Gjeniu shqiptar që ndihmoi për krijimin e Whatsapp, po mahnit botën me talentin e tij

740
Teksa e dëgjoj duke folur, pyes veten: “Të jetë një fëmijë kristal”? Spiritualistët dhe konspirativët thonë se fëmijët e lindur mes viteve ‘90-2000, janë “fëmijët kristal”, brezi i ri në tokë, që do ta ndihmojë njerëzimin të kalojë në një shkallë të re evoluimi. Besohet se janë mjaft të kapshëm, kreativë dhe shumë inteligjentë, ashtu siç më duket edhe ky djalë, që më flet për arritjet dhe vizionin e tij për të ardhmen. Aleksandër Bello është 24 vjeç, por përvoja dhe idetë e tij, nuk kanë lidhje me moshën. Është pa dyshim një mendje e ndritur, që e tejkalon moshën biologjike. I riu nga Tirana, prej afro një viti e gjysmë punon në kompaninë WhatsApp, në Karolinën e Veriut, në pozicionin e inxhinierit të software-ëve, mirëpo veç kësaj, kompania i ka besuar edhe një detyrë tjetër të rëndësishme: atë të identifikimit dhe përfshirjes së talenteve të reja në këtë fushë. Për një djalë që kishte studiuar në gjimnazin “Harry Fultz” në Tiranë, ishte e paimagjinueshme të bëhej pjesë e një kompanie gjigante. “Kisha dëshirë të shkoja në Amerikë për studime, sepse atje investohet shumë për shkencën, kërkimin dhe inovacionin. Në fillim aplikova dhe nuk e dija as nëse do të pranohesha, e jo më që të përfitoja bursë. Thjesht e provova dhe rastisi që mora disa përgjigje. Më pas nuk dija se kë të zgjidhja.” Aleksandri vendosi të ndiqte studimet në “California Institute of Technology”, pranë Los Anxhelosit dhe i përfundoi ato në vitin 2015. Gjatë viteve të studimit, u përfshi në disa internshipe, duke krijuar kështu eksperiencat e para profesionale, që e ndihmuan të ngjitej në majat e një kompanie me emër në fushën e aplikacioneve dhe komunikimit në internet, siç është WhatsApp-i. “Vitin e parë, gjatë pushimeve të verës, punova në Brazil. Aplikova në internet, sepse pashë që kishin nxjerrë një njoftim. Ajo përvojë më shërbeu shumë. Kështu, gjatë muajve të verës përgjatë katër viteve të studimit, kam punuar në pozicionin e inxhinierit në kompani të ndryshme.” Pa dyshim që përvoja më e rëndësishme për të deri tani, është ajo në kompaninë WhatsApp, ku fillimisht ishte pjesë e internshipit dhe nuk mendonte se mund të punësohej. “Unë e përdorja shumë aplikacionin WhatsApp, veçanërisht kur shkova në Amerikë. Në verën e vitit 2014, kompania kërkonte studentë për internship. Shumë shokë të mi, as që e njihnin si aplikacion, sepse në Amerikë nuk është shumë i përdorshëm, kurse për mua ishte shumë e rëndësishme të përfshihesha në atë kompani. Më pëlqente edhe sepse ishte kompani e vogël (jo si Google apo Microsoft) dhe në kompani të vogla ke mundësi të jesh pjesë e çdo arritjeje të madhe.” Por, sot, WhatsApp-i nuk është më një kompani e vogël, pasi rreth një vit e gjysmë më parë asetet e tij u blenë nga Facebook. “Kur Facebook-u bleu WhatsApp-in unë isha në internship aty. Sigurisht që isha shumë entuziast. Pas blerjes, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Facebook-u ka investuar në shumë aspekte, në infrastrukturë dhe në njerëz. Përveç faktit që tani jemi rreth 70 inxhinierë, nuk jemi prekur shumë nga zgjerimi i kompanisë dhe kemi ruajtur klimën e ngrohtë mes nesh”, – shprehet Aleksandri. Detyra e tij si inxhinier në WhatsApp, ka të bëjë me kujdesin ndaj serverave që shërbejnë për shpërndarjen e mesazheve. Pra, në njëfarë mënyre, ai bën të mundur shkëmbimin e bisedave tona të shkruara. Gjithashtu, në kuadër të ndryshimeve të fundit që ka bërë kompania, ai kujdeset edhe për sigurinë e komunikimeve verbale. “Kur vij në Shqipëri, të gjithë më pyesin: ‘A përgjohen bisedat?’ Në sajë të shërbimit Encryption, që prej vitit 2016, është e pamundur të përgjosh një bisedë në Whatsapp”, – shpjegon ai. Në çfarëdolloj këndvështrimi, është arritje e jashtëzakonshme të jesh pjesë e kompanive si WhatsApp-i dhe Facebook-u. Edhe vetë Aleksandri e vlerëson si një mundësi të madhe dhe na tregon se kolegët e tij janë më të mëdhenj në moshë, e rrethohet ngado me “veteranë”, prej të cilëve ka mundësi të mësojë. Interesant është edhe fakti se, zyrat e kësaj kompanie janë në një qytet pranë San Franciskos, në Kaliforninë e Veriut. Zona quhet “Silicon Valley”, ku janë edhe zyrat e kompanive Google, Facebook, Microsoft dhe shumica e kompanive që kanë lidhje me teknologjinë. “Është një ambient artificial, – rrëfen Aleksandri. – Aty rrethohesh ngado me njerëz të shkencës. Futesh në tren dhe dëgjon njerëz që flasin për teknologjinë, ulesh në një bar apo restorant dhe pranë mund të kesh një drejtor ekzekutiv të një kompanie, që flet me një investitor. Gjëra të tilla aty janë më se normale. Fillimisht të duket bukur, por kur jeton gjatë, është një lloj realiteti që të mbingop. Nga ana tjetër, jeta aty të krijon një lloj ankthi. Mua më josh inovacioni dhe kur dëgjoj që dikush ka marrë një fond iks për një ide, filloj të mendoj: ‘Po unë dhe shokët e mi çfarë duhet të bëjmë?’ E kështu, në njëfarë mënyre, të gjithë jemi në kërkim të diçkaje të re. Kjo “diçka” e re për Aleksandrin dhe shokët e tij, tanimë ka një emër. Projekti i tyre quhet “Tirana Code” dhe është një iniciativë që synon të evidentojë dhe të lidhë të rinj të interesuar në fushën e teknologjisë. E kanë filluar me Shqipërinë, por plani i tyre është të shtrihen edhe më gjerë. “Kemi organizuar disa aktivitete dhe më ka lënë mbresa fakti se këtu ka shumë të rinj të talentuar. Të gjithë bashkë, ndihemi më të motivuar për të mësuar dhe ndërtuar gjëra të reja. Fusha e inovacionit social më pëlqen shumë dhe dua të përqendrohem këtu. Unë nuk e shoh profesionin tim të mbyllur vetëm brenda shkencës, dua që këto njohuri t’i zbatoj edhe në fusha të tjera, si: arsim, shëndetësi etj. Shumë nga inxhinierët që njoh, janë të përqendruar te puna e tyre, por unë jam disi ndryshe. Nuk rri dot pa u përfshirë edhe në gjëra të tjera. Për mua shkenca është një fushë që mund t’i bashkëngjitet çdo industrie apo fushe tjetër.” Në këtë këndvështrim, Aleksandri qëndron i lidhur edhe me Shqipërinë. Ai vjen shpesh në Tiranë, jo vetëm për të vizituar familjen, por edhe për të hedhur themelet e projekteve të tij për të ardhmen dhe kur e pyes për to, thotë se ka disa syresh. Duket sikur jemi në një pikë ku njerëzimi i ka arritur të gjitha, por unë besoj se ka gjithmonë gjëra të reja për të zbuluar. Mendoj se gjërat më të mëdha nuk i kemi arritur akoma,” – thotë inxhinieri shqiptar i kompanisë WhatsApp. Kur kthen kokën pas për të parë rrugëtimin e tij duket sikur ka ecur me hapa gjigantë, por për djalin nga Tirana, gjërat kanë ardhur gradualisht. Aleksandri është i mendimit se njeriu duhet t’i kujtojë gjithmonë vetes se ku ishte dhe ku është, sepse duke i parë gjërat në retrospektivë, të ndihmon të projektosh të ardhmen. Ai është treguar i fortë dhe i pathyeshëm përballë sfidave dhe gjithnjë e ka parë botën me zemër të pastër, me synimin për ta bërë atë më të mirë.
Sigal