Gëzim Loka: Të presim me madhështi e solemnitet 80 vjetorin e Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë dhe kolaboracionistët…

80
Sigal

Këtë vit, më 29 Nëntor, shqiptarët do të festojnë me madhështi e solemnitet 80 vjetorin e Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe kolaboracionistët e të gjitha ngjyrave dhe flamujve. Është një festë legjitime, e denjë për t’u festuar nga çdo shqiptar, pavarësisht ngjyrave politike dhe çdo ngjyrimi tjetër që i dallon ata midis tyre. Nuk ka dyshim se kjo është ngjarja më e madhe, më festive dhe më historike që ka ndodhur në kujtesën e shqiptarëve, si një popull luftarak dhe me frymë të paepur qëndrese dhe atdhedashurie.

Më 29 nëntor 1944, iku këmba e fundit e gjemanit nga Shqipëria (Shkodra) dhe krejt vendi ynë u gdhi e lirë, pa asnjë këmbë pushtuesi, nën flamujt e lirisë, që valëviteshin ashtu të përzhitur nga duhma e barotit…

NOA

Shqiptarët duke shporrur nga vendi i tyre një nga pushtuesit më mizorë të të gjitha kohëve, hapën një faqe të re në historinë e tyre. Në mbarimin e Luftës II Botërore dhe triumfin e koalicionit antifashist botëror, inkuadrohet dhe fitorja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar mbi pushtuesit nazifashistë dhe tradhtarët e popullit.

Qëndresa e shqiptarëve në analet e kësaj lufte titanike, është një faqe e lavdishme, ku shkëlqeu rezistenca dhe lufta e një populli heroik, me dhunti lirie dhe atdhedashurie. Gjatë epopesë së Luftës Antifashiste, më tepër se kurrë, u manifestua shpirti qëndrestar dhe liridashës i një populli martir, të etur për liri e drejtësi shoqërore, që në asnjë rast të historisë së tij të vjetër dhe të re nuk është pajtuar me mizoritë e pushtimit dhe aneksimit.

Si e tillë, kjo luftë e madhe titanike është një ngjarje e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, për të cilën kemi të drejtë legjitime të krenohemi ne dhe brezat e ardhshëm, për peshën që mbajtën paraardhësit tanë fisnikë gjatë kësaj lufte triumfale. Jemi ndër popujt që mbajti peshën e pushtimit më të gjatë në Evropë, vite sakrifikimi dhe flijimi, vite qëndrese dhe shprese, përballje me makinën më të rëndë e më të përçudnuar të krimit kolektiv në Evropë dhe në botë, me makinën nazifashiste dhe falangat e tyre.

Shqiptarët deri më sot e kanë njohur atë si një luftë Çlirimtare, duke e renditur Shqipërinë si pjesë e koalicionit të madh Antifashist, krahas vendeve më me peshë që u radhitën në Frontin e Lirisë, siç janë Bashkimi Sovjetik, Franca, Anglia dhe SHBA, të cilat jo vetëm e vlerësojnë këtë luftë, por i kanë ndjekur kriminelët nazistë deri në vrimë të miut për t’i ndëshkuar, edhe kur ata kanë qenë në moshën e thyer, nëntëdhjetë apo më shumë vjeç.

Shqiptarët u përfshinë në valët e kësaj lufte epokale, duke rreshtuar në frontin e lirisë rreth 70 mijë luftëtarë. Të gjithë dolën në mal me vullnet të lirë, sepse organizimi i tyre nuk u bë nga institucionet shtetërore, por me frymën qëndrestare që ushqeu në popull PKSH, roli i së cilës nuk mund të mohohet në organizimin dhe fitoren e kësaj lufte.

Pjesëmarrja masive e shqiptarëve në këtë luftë të madhe, ishte nën moton për një Shqipëri të lirë, pa pushtues të jashtëm e të brendshëm, për një Shqipëri sovrane e të begatë. Ndonjë gabim që u bë pas Çlirimit, jo vetëm nuk e ul rolin e Luftës Nacionalçlirimtare të shqiptarëve, por e ridimensionon atë, e ngre në lartësi të reja, të kauzës së lirisë së shqiptarëve. Ajo që ia   shton më tepër lavdinë dhe krenarinë kësaj lufte është se ne i dhamë Atdheut 28 mijë dëshmorë. Edhe nga numri i flijimeve, në raport me popullsinë, ne renditemi ndër ato vende që janë krenaria e Luftës Antifashiste. Për nga rëndësia e madhështia që pati Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, është pika më e shndritshme në historinë e Shqipërisë, është një faqe e ndritur në historinë e kombit shqiptar, me të cilën do të krenohen të gjithë brezat e shqiptarisë, dje, sot dhe nesër. Çdo përpjekje për të zgjeruar kufijtë kohorë të kësaj Lufte, duke argumentuar se çfarë ndodhi pas saj, gjë që dhe kjo duhet diskutuar, por nuk është temë e këtij shkrimi, apo për të shtuar si pjesë të saj grupime njerëzish që nuk u përfshinë në të, pra që nuk u përballën në beteja me pushtuesit, është e dështuar.

Kjo Luftë ka vendin më të merituar në histori, ku në beteja heroike e legjendare, që shkuan deri në vetëflijime, u shkrua epopeja e lavdishme e një populli të etur për liri.

Lufta Nacionalçlirimtare ishte një luftë e drejtë, e diktuar nga një nevojë urgjente e shqiptarëve për të shporrur të huajt nga trojet e tyre. Ajo u bë për lirinë e Shqipërisë dhe shërbeu si simbol për të gjithë shqiptarët. Çdo tendencë për ta minimizuar Luftën Nacionalçlirimtare, në rastin më të mirë dhe për ta mohuar atë, në rastin më të keq, ka qenë, është dhe do të mbetet e dështuar.

Këta mohues dhe falsifikues të historisë, duhet të ecin kokëulur dhe të kërkojnë falje për krimet e etërve dhe gjyshërve të tyre, t’iu kërkojnë falje shqiptarëve që paraardhësit e tyre, në orën historike të kombit qenë në anën e gabuar dhe bënë veprime të gabuara, të fajshme e të dënueshme, jo vetëm për kohën kur i kryen, por për të gjitha kohët.

Bijtë e kolaboracionizmit dhe tradhëtisë, që ashtu sikurse etërit e tyre iu bashkëngjitën fashizmit dhe nazizmit, sot i bashkëngjiten përbaltjes e njollosjes së luftës dhe emblemave të saj. Kjo është një përpjekje e dështuar e fanatikëve ekstremistë antiluftë, të cilët janë hedhur me tërbim rishtas kundër figurës së Enver Hoxhës, që ishte kryefigura e asaj lufte, lideri suprem i saj, personi që me një intuitë dhe karizëm gjeniaiteti arriti të zgjojë energjitë e një populli qëndrestar për t’i bërë ballë një agresioni të egër dhe të pashpirt.

Duke sulmuar Luftën, figurat, dëshmorët dhe heronjtë e saj, kjo eskortë jeniçerësh të shitur sulmojnë jo vetëm Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, por dhe trashëgiminë e vlerave të trashëguara, me rrënjë të ngulitura thellë në truallin e qëndresës shqiptare kundër të huajve.

Ky tetëdhjetëvjetor na kujton të gjithëve se epoka e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishte një epokë lavdimadhe; lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare, heronjtë dhe luftëtarët e saj, janë monumente epike të historisë shqiptare dhe do të mbeten përjetë të tilla.

Ky tetëdhjetëvjetor, që presim të festohet me madhështi dhe solemnitet, le të jetë për të gjithë shqiptarët një datë jubile e me vlera bashkimi dhe jo ndarje e përçarje.

Le të jetë një përvjetor që të rindezë fuqishëm krenarinë dhe legjitimitetin e një lufte të shenjtë, që na radhiti ne shqiptarëve në kolacionin e fituesve të Luftës së Dytë Botërore, na bëri krenarë për çfarë jemi e çfarë përfaqësojmë dhe duhet të na shtyjë që të ecim në ato rrugë që shtroi gjaku dhe sakrifica e pashembullt e luftëtarëve të lirisë.