Gazeta Telegraf/Kriza në teatër qëndron në mënyrën e organizimit të tij

497
Sigal

Alban Progonati

 Teatri shqiptar dhe
koha që po jetojmë po nxjerr në pah shumë defekte. Teatrot në botë po mbushen,
ndërsa tek ne disa herë zbrazen. Teatri shqiptar pa drama shqipe. A po bëhet
reformë në teatrin shqiptar? A është në nivelin e duhur reforma dhe prurjet në
TK. Si duhet të jetë sot TK dhe çfarë duhet të përfaqësojë në të vërtetë një
drejtor teatri? Dalin shumë pyetje por pa përgjigje nga drejtuesit. Janë bërë
takime, analiza, lëvizje drejtorësh, lëvizje aktorësh, turne jashtë vendit, por
TK nuk po ngjitet në nivelin e duhur. Shihet se regjisura në krahasim me
nivelin e aktorëve është më mbrapa, pse?

 

Flitet për krizë në teatër, sa dhe si ekziston kjo kizë,
ku qëndron për ju kriza në teatër?

Kriza në teatër
qëndron në mënyrën e  organizimit të tij. Jemi midis dy të
kundërtave. Ishim në një sistem tjetër ekonomik dhe ai kishte sistemin e tij të
organizimit në kulturë! U futëm në një sistem krejtësisht tjetër dhe duhet të
kemi, pra, edhe një organizim krejt të ri të teatrit! Ndërkohë që nuk e kemi!

Si mendoni se do të bëhet ky organizim i ri?

Gjithçka duhet të
prishet dhe të fillojë nga e para. Nëqoftëse do të duam të organizojmë teatrin
ne do të duhet të zgjedhim një drejtor të ri, i cili duhet të jetë një
autoritet artistik, t’i japim të drejta të plota dhe ai si një “pronar” nga më
të egrit, me një testim të saktë, të zgjedhë jo vetëm ekipin administrativ, me
të cilin do të drejtojë, por edhe aktorët që do të formojnë ansamblin artistik
të teatrit, të ardhshëm. Gjithashtu, duhen futur koncepte të reja në pagesat e
aktorëve, në marrëdhëniet me ta, në klasifikimin e tyre! Duhet të rrimë gatitu
përpara autoritetit artistik të aktorëve të klasit të parë. Aktori është elitë
e duhet të marrë vlerat e elitës. Pra, këto marrëdhënie duhet të diktohen.

 

Si të diktohen këto marrëdhënie?

Padyshim, nëpërmjet
një kontrate. Duhet të kuptohet, një herë e mirë, që aktori, e këtu flas për
artistin e vërtetë dhe jo për ata aktorë që qëndrojnë në teatër se buron një
pikë, dhe të tillë ka mjaft, duhet të marrë miliona dhe jo të presë fundin e 15
ditëshit! Po mendoi 15 ditëshin atëherë ai është një “artist” absurd! Pra, e
vetmja zgjidhje është kontrata.

 

Si duhet futur kjo kontratë?

Kontrata, për
mendimin tim, duhet të zhvillohet kështu: Të gjithë aktorët duhet të dalin
jashtë teatrit me një përkrahje të barazvlefshme, me rrogën aktuale, për tre
vjet. Pastaj, aktorët gjatë kësaj kohe duhet të afrohen me kontratë. Nëqoftëse
X aktor nënshkruan dy kontrata në vit, pra për tre vjet ai nënshkruan gjashtë
kontrata, detyrimisht ai është i vlefshëm për të ardhmen e teatrit. Nëse gjatë
kësaj kohe ai nuk nënshkruan asnjë kontratë, kjo tregon se ai nuk ka vend në
teatër e ai duhet të largohet.

Pra, përveç të tjerash, ju e shikoni kontratën edhe si
një mjet përzgjedhës të vlerave artistike. Po a nuk ju duket se aktori në këtë
mënyrë bie në komercializëm?

 

Absolutisht jo.
Nëqoftëse kontrata do të më sigurojë ato të ardhura që më shërbejnë për një
jetë mbi mesataren, unë atëherë do të shpreh mllefin tim artistik. Përkundrazi,
duke më lënë në këtë pozitë që jam, unë do të mendoj për komercializëm, se do
të bëj shfaqje të tilla që të tërheq sa më shumë spektatorë dhe që të marr të
famshmin 90%. Natyrisht, tani për tani 90% m’i plotëson nevojat, por kontrata
është konkurencë dhe konkurenca është vlerë.

Kjo përsa i përket anës organizative? Në një intervistë
të dhënë javën e kaluar në gazetën tonë theksohej se kriza e sotme e teatrit
është krizë e regjisurës. Si mendoni ju?

Padyshim që
regjisura, në krahasim me nivelin e aktorëve është më mbrapa. Kjo nuk duhet
kuptuar, për mendimin tim, se ne nuk kemi regjisorë prandaj edhe nuk kemi
teatër! Në dhjetë vjeçarin e fundit janë vënë shfaqje tepër interesante nga ana
regjisoriale, por nuk është këtu problemi. Për mendimin tim, ka një krizë të
dramaturgjisë nacionale. Ka një krizë të konceptimit të dramave të reja.
Ndërsa, përsa i përket regjizurës unë mendoj që ka një nxitim në kërkim të
alternativave teatrore. Duke punuar për 50 vjet, në një sistem tjetër ekonomik,
ne kishim një lloj teatri tjetër, jo vetëm përsa i përket ideve, por dhe
formave për të shprehur këto ide! Dhe ç’ndodhi? Bëhen përzierje të këtij teatri
realist, me te cilin u mësuam për vite me radhë, me teatrin e plastikës, të
pantomimës, të absurdit edhe formave të tjera, pak të njohura tek ne! Por, duke
vepruar kështu ne shkatërrojmë, për mendimin tim, unitetin e stilin e një
vepre! Unë e kuptoj që Ibseni dhe Çehovi mund të vihen në mënyrë moderne, por
nuk mund ta nis shfaqjen realiste dhe nga gjysma i fus teatrin e plastikës dhe
pastaj e mbyll me pantomimë! Ky veprim do të na çonte në eklektizëm! Pra, më
tepër se sa për një krizë të regjisurës, kemi të bëjmë me një hallakatje në
kërkim, “gjoja”, të formave të reja, të shprehjes artistike, të një lloj
“qëndrimi” formalist ndaj mesazhit të autorit të veprës dramatike, që kemi vënë
në skenë!

Teatri Kombëtar u krijua në vitin 1945 në Tiranë

Fillimi i viteve
40-të është lidhur ngushtë me Teatrin e Luftës Nacional-Çlirimtare, grupet
teatrore të të cilit u bënë bërthama e krijimit menjëherë pas luftës të Teatrit
Profesionist I Shtetit dhe Shkollës së Dramaturgjisë. Aktorët të parë të
Teatrit Profesionist ishin Mihal Popi, Gjon Karma, Mihal Stefa, Ndrek Shkjezi,
Liza Vorfi, Behije Çela, Ndoc Meshkalla, Hasan Reçi. Shumë shpejt në teatrin
profesionist erdhën nga lëvizja amatore emra shumë të njohur si Marie Logoreci,
Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Besa
Imami, Violeta Manushi si dhe regjisori i porsadiplomuar Pandi Stillu.