Folklori, ritmi paralel i jetës së Sejmen Gjokolit

768
Sigal

Ishte viti 1994, kur, vetëm pak javë pas kthimit nga Gjermania, ku kishte udhëtuar me grupin folklorik të fshatit Vranisht(Vlorë), Sejmen Gjokoli do të krijonte një tjetër strukturë të ngjashme, atë që do të mbante emrin “Bilbili”. Për pak mbushen 20 vite nga koha kur, në një ditë dimri do të takohej e bisedonte gjatë për këtë sipërmarrje private me një nga bardet e mbetur ende gjallë të penës e kulturës folklorike të Bregut, Lefter Çipa.  Duke patur si udhëheqësin e parë artistik të grupit, krijuesin e njohur popullor , jo vetëm të Bregut e Vlorës, “Bilbili” do të njihej shumë shpejt në mjedisin kulturor kombëtar dhe, më pas, në atë ndërkombëtar.

Sot, ai është ndër grupet më të njohura në Shqipëri në fushën e folklorit, me një rekuizitë të pasur çmimesh dhe vlerësimesh në aktivitete të shquara ndërkombëtare, ndërkohë që vetë Gjokoli, drejtuesi i këtij grupi, spikat mes personaliteteve të fushës, i dekoruar pak kohë më parë nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Naim Frashëri i Argjendtë”. Për të arritur deri këtu i janë dashur dekada, gjatë të cilave, dashuria e tij për folklorin, për këngën dhe vallen labe, për motivet nga gjithë Shqipëria, nga Kosova dhe të gjitha trevat shqiptare, është rritur e konsoliduar. Kjo dashuri nuk njeh kufij e aq më pak ata shpirtërorë, sepse siç thotë Gjokoli, kultura, traditat, folklori, ndërtojnë ura bashkëpunimi. Ajo lindi bashkë me të, në Zhulatin e largët të Gjirokastrës dhe është bërë bashkudhëtare e tij, përgjatë 58 viteve të jetës. Ende edhe sot e ruan në kujtesën e vet, imazhin që i krijonte në fëmijërinë e vet memoriali i atyre 40 burrave të Zhulatit, fshatit të tij të lindjes, të cilët luftuan si heronj kundër andartëve grekë në betejën e famshme të Lëkurësit, në mars të vitit 1878. Nuk është i sigurt nëse është imazhi i atyre luftëtarëve të lirisë që mëkuan tek ai dashurinë për folklorin, apo janë këngët që këndoheshin për ta, në dasma dhe në jetën e përditshme. Por, ajo që është e sigurt, lidhet me ndjesinë që kanë krijuar tek ai këngët e trimërisë, ku, ato për 40 trimat e Zhulatit, zinin një vend të veçantë.

 Ai memorial i gdhendur në një pllakë mermeri dhe i vendosur në trungun e rrapit shekullor, në qendër të fshatit ku nisi jeta e tij, tashmë është gdhendur në kujtesën e Sejmen Gjokoli, si një imazh, si një referencë, si një burim dashurie pa fund, për atë që ai e cilëson ritmi paralel i jetës së vet, folklorin. Ajo dashuri tashmë është bërë pjesë e patjetërsueshme e jetës së tij, rritet dhe ecën bashkë me të, pulson dhe vazhdon rrugëtimin në rrjedhën e viteve. Sejmen Gjokoli ka krijuar një raport të veçantë me traditat shpirtërore të krijuara nga brezat. Për të, një këngë, një valle, përbën një vlerë të vyer e cila duhet ruajtur, duhet promovuar, duhet studiuar. Sepse me të, lidhet e shkuara jonë, e tashmja dhe aq më shumë e ardhmja. Asgjë nuk duhet të humbasë, sipas tij, në zinxhirin e vlerave të krijuara nga brezat. Sepse ato përcaktojnë identitetin tonë kulturor dhe kombëtar, pa të cilat nuk mund të orientohemi e të shkojmë askund. Prandaj dhe kur sjell në kujtesë ato vite të largëta, kur dëgjonte dhe ndiqte me pasion nëpër dasma këngët dhe vallet, ai buzëqesh. Epika dhe lirika e atyre viteve e ngacmon. Kujton edhe sakrificat që bënte për të ndjekur Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Duheshin mjaft orë për të shkuar deri atje. Por, djaloshi i pasionuar pas motiveve popullore, nuk hezitonte. Ishte vetëm 14 vjeç kur, i vetëm, rrugë e pa rrugë, eci në këmbë për orë të tëra, për të parë në skenë edicionin e parë të këtij aktiviteti kombëtar të folklorit në vitin 1968. Prej atëherë, nuk i është ndarë asnjëherë këtij festivali. Aq sa, në edicionin e tij në vitin 1983, do të ishte një ndër protagonistët, ku do të merrte pjesë si rapsod e interpretues.  Këto janë copëza kujtimesh që rrjedhin ngadalë në bashkëbisedimin tonë, duke zënë vend natyrshëm në mozaikun e profilit që unë nisa të skicoj për të.  Sejmen Gjokoli,  sot 58- vjeçar, është një nga emrat më të spikatur të strukturës folklorike që funksionon sot në Shqipëri. Por edhe ndër ata specialistë të kulturës popullore që përfaqëson me dinjitet Vlorën dhe Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare. Ai është ftuar dhe ftohet së bashku me grupin që drejton, në pothuajse të gjitha eventet kulturore të folklorit që zhvillohen në Evropë. Ka një gjeografi pjesëmarrjeje mjaft të gjerë, ku përfshihen Moldavia, Lituania, Italia, Turqia, Gjermania, Franca, Spanja, Polonia, Kosova, Maqedonia, Holanda….., ku është vlerësuar me Çmimin e Parë për Folklorin, “Criulen” – Moldavi 1995, Grupi më i mirë i Festivalit “Balltika 99” Vilnus, Lituani, Çmimi i Parë, Festivali Klinë(Kosovë) 2002, Çmimi i Dytë Festivali Kaçanik(Kosovë  2006), etj, ndërkohë që është pjesëmarrës pothuajse në të gjitha aktivitete kombëtare. Është autor i shumë  tekste këngësh të polifonisë labe, kënduar nga grupe të ndryshme si dhe përmbledhur në dy CD me tituj, “Shami verdha shkoi…” dhe ” 7 yje Polifonie”. Ka botuar në vitin 2002 vëllimin “Shpirti që rron” me shkrime publicistike si dhe tekste këngësh. Vazhdon të shkruajë për kulturën dhe folklorin në shtypin e kohës në Shqipëri dhe Kosovë. Që prej vitit 2002  është pjesëmarrës në festivale të ndryshme në Kosovë, Tetovë e Shkup, si drejtues, rapsod, regjisor dhe anëtar jurie. Prej vitit 1999 është themelues dhe president i Qendrës Kulturore “Bilbilat e Jugut”, më pas Qendra Kulturore “Aulona”, në Vlorë. Mban edhe detyrën e Kryetarit të Rrjetit të grupeve dhe shoqatave të iso-polifonisë (organizëm i UNESCO-s ), është anëtar i bordit të gazetës ” Iso-Polifonia”. Diploma e inxhinierit të minierave nuk e ka penguar aspak në këtë raport me folklorin, përkundrazi. Madje këtu spikat edhe një simbolikë e veçantë, të cilën Gjokoli e përmbledh me shprehjen, “Për mua profesioni i inxhinierit dhe ai i studiuesit merren tè dyja me pasuri, veçse diploma me pasuritë e nëntokës, ndërsa tjetra me pasuritë shpirtërore të popullit…”.  Në maj të vitit 2009, do të organizonte edicionin e parë të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Internacional Folk Festival”, që sot është shndërruar në një aktivitet të përvitshëm që përkon me ditën e çeljes së sezonit turistik në Vlorë dhe ku përfaqësohen grupe folklorike nga vende të ndryshme të Evropës.  Me Grupin Folklorik “Bilbili” dhe “Aulona International Folk Festival”, Gjokoli është anëtar i CIOFF(Qendra Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike), me seli në Luksemburg.  Por, për Gjokolin, nuk është parësore CV-ja. Ajo përbën vetëm koperturën formale të “bacground”-it të tij krijues. Për të është i rëndësishëm kontributi, sa ai ndikon në ruajtjen dhe promovimin e traditave shpirtërore. “Për shkak të marrjes me folklorin në përgjithësi dhe iso-polifoninë në veçanti, më është dashur të njihem e bisedoj, përveç rapsodëve e krijuesve të shquar  të Labërisë nga Gjirokastra, Tepelena , Vlora, Saranda e Delvina edhe me njerëz të shquar në fushën e muzikës e trashëgimisë kulturore, profesorë e njerëz të shquar të fushës së kulturës si: Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli, Dritëro Agolli, Agron Fico, Teodor Laço, Xhevahir Spahiu, Afërdita Onuzi, Haxhi Dalipi, Agron Xhagolli, Fatmir Hysi, Vaso Tole, Roland Cene, Naxhi Kasoruho, Zhani Ciko, Ermir Dizdari, Josif Minga,  Esat Ruka, Sulejman Balza,Sadi Halili Rexhep Çeliku  etj e deri në Kosovë, si prof. Rexhep Munishi e Zymer Neziri”, thotë Gjokoli. Është pafundësisht mirënjohës ndaj tyre, ashtu si edhe ndaj artistëve popullorë, këngëtarëve e valltarëve të shumtë, të vjetër e të rinj, që, me përkushtim e sakrifica, mbajnë të gjalla e çojnë më tej traditat. Por, ai vetë, është njeri prej tyre…

Harilla KOÇI