Flet sopranoja me famë botërore Ana Naqe: Krenohem si shqiptare, skenave botërore

627
  • Në Belgjikë, kam bërë karrierë dhe realizova ëndërrën time të madhe.
  • Kur isha studente, pakësoja ushqimin, për të kursyer në blerjen e biletës, për të ndjekur nga afër koncertet.
  • Pas studimeve në universitet në Bruksel dhe mbrojtjes se masterit në Spanjë, nuk e kisha të vështirë të këndoja pothuajse në çdo skenë të Europës.
Sigal

Intervistoi: Fadil Shehu

Ajo ende kujton me shumë mall e nostalgji vitet e fëmijërisë në Fier. I mban mënd ato si vite të bukura, të lumtura, të pasura, plot gjëra të reja, plot ndryshime. Padyshim mbeten vite që kanë lënë gjurmë në kujtesën e saj dhe pse ka mbi 20 vjet që jeton në Belgjikë.

– Në moshën gjashtë vjeçare, ju nuk shkuat në shkollat e tjera të qytetit, por në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa”në qytetin tuaj në Fier. Ishte kjo dëshirë e prindërve apo rastësi?

-Patjetër që ishte dëshirë e prindërve të mi, që unë të studioja për violinë. Prindërit e mi, vërtetë nuk janë artistë të formuar, por kanë lexuar shumë libra dhe kompozitorë të huaj. Eshtë e vërtetë që unë shkova në moshën gjashtë vjeçare në këtë shkollë, ku violina ishte ëndërra e pasionit tim. E mbaj mend kur isha shtatë vjeçe, luajta një koncert violine. Për herë të parë në shkollën tonë erdhi Radio Televizioni Shqiptar, për të filmuar koncertin ku unë luaja në violinë. Ai ka qenë koncerti im i parë para publikut.

 -Si erdhi motivi i largimit tuaj nga Shqipëria kur ju ishit ende në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa” në qytetin e Fierit?

-Ndoshta fati, ndoshta dhe talenti, trokitën për të ardhmen time. Largimi im nga Shqipëria ka filluar në kohë të hershme, kur ende isha nxënëse e kësaj shkolle. Fillimisht nëpërmjet turneve të shumta, si soprano, soliste në kor, e më pas duke u shkëputur avash, avash, Mund të them që edhe pse me zemër jam në Shqipëri, ndodhem prej më se njëzet vite në Belgjikë, në vendin ku kam bërë karrierë dhe realizoj ëndërrën time të madhe.

-Sa i vështirë ishte integrimi juaj si emigrante, në jetën dhe artin e një vendi si Belgjika?

-Integrimi im në Belgjikë si artiste nuk ka qenë aspak i lehtë. Ndoshta dhe për faktin që si fëmijë kam qenë e lidhur shumë me prindërit, motrat, gjyshet, tezet, dajot dhe të afërm të tjerë të familjes. Ndieja mungesën e tyre. Po kështu përballimi për nga ana financiare iu desh prindërve të sakrifikonin jo pak. Dy vitet e para kam derdhur lot pothuajse ditë për ditë. Kontaktoja shpesh me mamin duke këmbëngulur të rrikthehesha në Shqipëri. Ndërsa mami dhe babi më jepnin kurajo, të vendosur që unë të vazhdoja jetën dhe studimet në Belgjikë. Natyrisht në veçanti integrimi në fushën e artit, kërkon të investosh. Kur isha studente, kishte raste që paksoja ushqimin, për të kursyer në blerjen e biletës, për të ndjekur nga afër koncertet. Falë përkushtimit, fatit, pjesëmarrjes sime në koncerte, bëri që shumë shpejt të bëja projekte duke fituar audicione, pasi më konsideronin të talentuar.

– Ndërkohë që vazhdonit studimet njëkohësisht nisët të studionit dhe në degën e kantos, e cila më pas do të bëhej e rëndësishme në jetën tuaj. Ishit e sigurt që kishit bërë zgjedhjen e duhur?

-Kur po studioja për violinë, një nga degët e domosdoshme dhe e detyruar në shkollë, është detyrë dhe zgjedhje e një tjetër degë të dytë arti, për të bërë prova. Por gjatë provave një ditë profesorja e kantos që më ndiqte gjatë provave, këmbënguli që unë të studioja për kanto, duke pretenduar që kjo degë do të ishte e ardhmja ime. Kështu që nisa t’i studioja të dyja për violinë dhe kanto, që padyshim kurrsesi nuk ishte e lehtë. Në fillim nuk isha e bindur që kisha bërë zgjedhjen e duhur për kanto. Por më vonë pashë që kanto u bë e rëndësishme për mua, pasi dhe kontakti me publikun ishte i drejtëpërdrejtë dhe emocional. Përfundimisht kanto ishte pjesë e karakterit dhe natyrës time.

– Sapo përfunduat masterin për soprano në Spanjë, emëroheni si këngëtare në trupën e operas dhe baletit në Belgjikë. E prisnit këtë pozicion?

– Pas studimeve në universitet në Bruksel dhe mbrojtjes se masterit në Spanjë, nuk e kisha të vështirë të këndoja pothuajse në çdo skenë të Europës. Si frilence më dhanë mundësinë të këndoja në opera. Por aty kisha kënduar dhe më parë. Vazhdojnë të më angazhojnë dhe në opera të Luksenburgut, Italisë, Francës, Gjermanisë, Hollandës etj. Sigurisht përballesha me konkurentë nga e gjithë bota. Të jesh e zgjedhur nga një juri ndërkombëtare, për mua përbën një vlerësim dhe arritje shumë të madhe. Padyshim jam ndjerë e lumturuar që midis konkurentëve nga mjaft shtete, juria më vlerësoi mua, madje të interpretoj rolin më të veçantë, më të rëndësishëm si soprano.

-Pas disa audicioneve, përzgjidheni si soprano në një koncert të rëndësishëm. Si do e kujtonit këtë rol, i cili ishte i pari në karrierën tuaj, duke patur parasysh, që në atë periudhë ju ishit vetëm tetëmbëdhjetë vjeçe?

– Para se të fitoja marrjen e një roli të rëndësishëm në një koncert, unë kisha luajtur dhe më parë një rol jo të lehtë në koncertin “Flauti magjik i Moxartit në teatrin “Ryal de la Monale” në Bruksel. Ishte një produksion shumë i bukur, të cilin ne e kemi interpretuar dhe në opera të tjera, duke bërë dhe turne. Në prag të koncertit të ri kur unë sapo kisha mbushur  tetëmbëdhjetë vjeçe, drejtuesit ishin ende në dilemë në përzgjedhjen e tyre. Ishte një diskutim midis regjisorit dhe drejtorit artistik të operas dhe baletit që ky rol do interpretohej nga unë apo nga dikush tjetër. Regjisori këmbngulte në zgjedhjen e tij dhe i thoshte drejtorit, që ky rol do të interpretohet nga Ana, sepse është këngëtare magjike, dhe në këtë koncert ajo duhet të jetë në rolin kryesor. Më së fundi u vendos që roli në fjalë të interpretotohej nga unë.

-Sa ju ka shërbyer instrumenti i violinës, në profesionin tuaj si soprano?

-Violina është instrumenti më i çmuar për mua, duke më shërbyer për vite me rradhë. Padyshim është një instrument që do shumë punë, sakrificë e këmbëngulje. Është një instrument që të jep shumë disiplinë. Nëse unë qysh në fillim do të studioja vetëm për kanto, nuk do të kisha marrë të gjitha orët e studimit të ritmit, solfezhit, melodisë, me intonacionet që shoqërojnë violinën. Duhet të mësohet shpesh veshi me këto intonacione, të cilat në kanto nuk i has aq shumë. Puna e shpeshtë studimore, për gjashtë orë në ditë, është një punë e përkryer. Violina për mua ka qenë një ndihmë tepër e madhe  në studimet e kryera për kanto.

– Çfarë elementësh duhet të zotërojë një soprano si ju, për të qenë e sukseshme?

-Një soprano për të qenë e sukseshme, krahas zërit te bukur, duhet të zotërojë dhe elemente të tjerë si paraqitja, mënyra e veshjes, të folurit, të flasë disa gjuhë të ndryshme, të promovojë veten, të aktroj shumë mirë, pa dyshim dhe forca shpirtërore, të cilat ndihmojnë në arritjen e suksesit. Falë përkushtimit, zotërimit të këtyre cilësive në ecurinë e karrierës sime, kam arritur të bëj gjëra të bukura duke prekur suksesin.

– Është domosdoshmëri që një soprano si ju, të zotërojë disa gjuhë të huaja?

-Padyshim, në profesionin tim si soprano.është e domosdoshme zotërimi i disa gjuhëve të huaja, çka bën që përkthimi dhe studimi i një vepre operistike të përkthehen me lehtësi. Unë zotëroj shtatë gjuhë të huaja, të cilat më ndihmojnë shumë. Të përkthesh një vepër, është vërtetë një punë kolosale, ku dihet që përkthimet që t’i përballesh janë në gjuhë të ndryshme. Kështu që zotërimi i disa gjuhëve të huaja, lehtëson mjaft punën pasi çdo fjalë dhe fjali, kuptohet më shpejt dhe më saktë. Koha është esenciale.

-A është zëri juaj më i rëndësishëm dhe më i vështirë nga ai i sopranove Inva Mula, Ermonela Jaho etj. Çfarë të veçantë përbën zëri juaj nga ai i artistëve të tjerë shqiptarë?

– Zëri im që është e liriko-spinto, jo tamam dramatik,…por ka karakter dhe ngjyra dramatike si është dhe shpirti im.(qesh). Mund të them që nuk është më i rëndësishëm, më i vështirë, se i sopranove Inva Mula, dhe Ermonela Jaho. Aspak jo. Eshtë  thjesht ndryshe. Zëri im ështe ndryshe nga ai i të tjerëve nga ngjyra, volumi, stili, rëndesa dhe repertori.

-Si do i vlerësonit marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tuaj me këta artistë?

-Marrëdhëniet, bashkëpunimet me artistë si Inva Mula, Ermonela Jaho, Elda Laro etj, janë momente të vleshme, të vyera për një artist. Kontaktet me këto soprano, janë eksperienca që nuk i harron kurrë në jetën tënde, sepse duke u rritur me këto imazhe kaq të bukura, këto krenari për ne shqiptarët, ku një këshillë në zgjedhjen e një repertori, një fjalë e mirë për një audicion të vështirë vlejnë shumë për një artist. Padyshim ato i vlerësoj jashtë mase.

-Jeni mirëpritur suksesshëm në koncerte të skenave botërore në Belgjikë, Spanjë, Francë, Amerikë, Japoni, Kanada, Kinë, Belgjikë, Danimarkë, Estoni, Shqipëri, Hollandë, Uruguaj….Cili publik i këtyre vëndeve ju ka pëlqyer më shumë?

-Publiku që më ka pëlqyer më shumë është ai i Spanjës ku numuri i publikut i kalonte pesë mijë spektatorë. Gjithashtu mbresa të veçanta kam shijuar përballë publikut francez, në teatrin “Du Catelet”në Paris. Ishte periudha që po nisnin sërish aktivitetet pas Covidit. Kishim mbi një vit pa performuar. Aty na pritën mjaft mirë. Përjetuam emocione të veçanta. Të nesërmen muarrëm vlerësime të bukura nga gazetat e Parisit.

-Keni realizuar role të rëndësishëm, në nivele botërore. Por më shumë ju flisni për rolin e Aidës e kompozitorit të madh Xhuzepe Verdi. Pretendoni që ky rol është më i arirë tek ju?

-Eshtë e vërtetë. Kam folur jo pak për këtë rol, me mbresa të veçanta, realizimi i të cilit ishte thjeshtë një rastësi. Do të thosha se në çdo interpretim, Aida është një rol i madh. Është një ëndërr e madhe, pothuajse një sfidë të këndosh një repertor të tillë. Edhe për role të tjerë do të kisha folur po me kaq pasion si me Aiden. Por mendoj që Verdi është disi më ndryshe. Një rol sa më shumë ta interpretosh, aq më mirë përshtatet dhe kuptohet si karakter. Një rol sido që ta këndosh, fillon e kërkon “pjekje”në vetëvete dhe për ta realizuar kërkon jo më pak se gjashtë muaj.

-Keni patur rast se në njërin prej roleve që interpretoni me shumë pasion e dashuri është dhe jeta e Anës.?

-Po sigurisht. Në disa role pasqyrohet jeta ime, si dhe tek njerëz të tjerë. Padyshim do të jesh në një përballje të tillë kur interpreton në një histori dashurie, në një vuajtje ose në një peng të fëmijëve ndaj familjes, ndodhja larg famijes, apo largësia me prindërit. Operat nuk janë utopi ose diçka e pa arrirë. Edhe ato janë të pranishme në histori reale të hershëm, por gjithësesi aktuale në jetën që jetojmë. Gjithësesi ka shumë aspekte, ku në disa role ofrohet dhe një pjesë e jetës sime.

-Kohët e fundit keni marrë pjesë si aktore në festivalin ndërkombëtar të filmit në Itali (Milano)”Miff Award, në filmin “Bovary xxl”, ku ju u nderuat me çmimin prestigjioz, “Award Silver Platen”. Si erdhi ky vlerësim tek ju?

-Zonja Bovari, është një vepër që fillimisht u shfaq në teatër dhe shumë shpejt u arrrit të shfaqej si film. Unë arrita ta realizoj bindshëm këtë rol si në skenë ashtu dhe në film. Në këtë film luajta rolin e Lucia di Lammermoor, duke kënduar me kompleksin e orkestrës lLa Monel në Bruksel, duke u shfaqur njëkohësisht në Tv. Belge. Suksesi i arritur bëri që ky film, jo vetëm të merrte pjesë në festivale të ndryshme dhe të shfaqej njëherësh në kinematë dhe televizionet Belge. Isha tepër e lumtur edhe pse gjithçka u arrit të realizohej mrekullisht brënda disa ditëve. Ishte diçka e vështirë, por shumë e bukur, edhe pse mua më pëlqejnë sfidat. Ndjehem tepër e lumtur dhe mirënjohëse pasi marrjen e këtij çmimi nuk e prisja. Tashmë ky film pritet të shfaqet nëpër botë kryesisht në Madrid, Paris, Oslo, Romë, Amserdam, dhe Cikago.

– Sërish luani në një tjetër film, në rolin Viola. Përtej të qënurit violiniste, soprano e famëshme pretendoni që aktrimi është tjetër gjini që dashuroni?

-Po. Filmi i dytë ku unë morra pjesë në audiencë me titull “Alleer Retour”. Padyshim u ndjeva mirë që do të interpretoja në këtë film përkrah dy aktorëve të njohur njeri Belg dhe tjetri portugez, i cili tregon për jetën e një emigranti. Por xhirimet nuk ecën sipas parashikimeve për shkak të covidi-it. Përkushtimi i dha frytet e veta, ç’ka bëri që finalizimi i filmit të realizohej shumë shpejt. Tashmë ky film do të shfaqet në kinematë belge, nga mesi i muajit të ardhshëm (mars). Kur kam qenë e vogël në shkollë ende më kujtohet roli im i parë në skenë. Interpretoja në dramën “Romeo e Zhulieta”, ku unë luajta Zhuietën. Patjetër që vazhdimi i jetës time shumë vite me artin, do të thotë që tashmë e quaj veten aktore, ku gjithëçka nisi herët me rolin e Zhulietës. Kjo gjë ka vazhduar gjatë njëzet viteve të mia në Belgjikë. Kam aktruar goxha si muzikante dhe aktore. Ky binom është mëse i natyrshëm ku sot mjaft artistë kërkojnë të gërshetojnë muzikën me aktrimin.

-Si është kur jetën ia përkushtoni trinomit: violiniste, soprano dhe aktore?

-Unë kam lindur me artin, madje binjake me artin. Ndërkohë vitet e fundit shumë kohë ia kam kushtuar kantos, dhe më pak violinës. Kurrësesi nuk e mohoj faktin që tashmë ndodhem midis trekëndëshit violiniste, soprano dhe aktore. Më parë violinës i jam përkushtuar tërësisht për çdo ditë tetë orë. Kam patur sukses në koncerte në violinë dhe piano ndonëse kanto erdhi rastësisht, natyrshëm duke treguar kujdes zërin, disiplinën dhe aktrimin, për një komunikim dinjitoz drejt për drejtë me publikun.

-Ju keni një djalë të bukur si ju. Çfarë ka marrë ai nga nektari i mamasë së tij artiste?

-Faleminderit Fadil. Po kam një djalë të bukur që quhet Ilia. Ai ka marrë emrin e gjyshit tim, babait të mamasë time. Sot Ilia pikturon, aktron, interpreton bukur dhe në violinë. Me kalimin e viteve ai u rrit. Gjithësesi edhe pse këto hobi ai nuk i harron, duket që po zgjedh të ardhmen e jetës së tij. Aktualisht ai studion në shkencat ekonomike.

-Ku qëndron sekreti i bukurisë suaj ?

-(Buzëqesh lehtë) Mendoj që sekreti i bukurisë time qëndron në sinqeritetin, zemërgjërësinë time, respekti ndaj njerëzve, fal dashuri dhe të ndihmoj tjetrin. Jam e tillë, sepse dua përherë e më shumë të jem e vërtetë në jetë. Ndaj gjithmonë më pëlqen vetvetja.

-Kolegët tuaj shprehen në jo pak raste që jeni ekzotike. Ju pëlqen kur ju thonë kështu?

-(Qesh) Vërtetë më pëlqen kur kolegët e mi, në mjaft raste më thonë ekzotike. Duket sikur më ndan disi nga kjo zonë ku unë jetoj prej vitesh, nga Franca, Gjermania, apo vëndet nordike. Por e di që kjo ana ime është ekzotike, është ballkanase. Ne jemi njerëz impulsiv, të ngrohtë, të zjarrtë. Tamam ballkan, vullkan. (buzëqesh). Më kujton gjithmonë që unë jam ballkanase, që unë jam shqiptare. Ndaj më vjen mirë që kolegë e shokë nga vënde të tjera më thërrasin ekzotike.

-Jetoni prej mëse njëzet vite në Belgjikë. Mendoni që ende ndjeheni e huaj, si emigrante?

-Ndonëse e huaj nuk ndihem, por sigurisht e kupton që je e ardhur në Belgjikë. Ndërkohë shoqëria është disi e vështirë për të krijuar. Por më tepër se gjithçka ndjej mungesën e familjes time, të motrave të mia. Do të doja t’i kisha pranë në çdo eveniment apo ngjarje në jetën time. Gjithësesi duhet të pranoj që unë ende pas njëzet viteve këtu, vazhdoj ende të jetoj në Bruksel. Duhet të pranoj që Belgjika është shtëpia ime.

-Në fund dhjetorin e vitit të kaluar, keni dhënë koncerte në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë dhe teatrin “Migjeni” në Shkodër. Sa ju ka munguar publiku shqiptar në evente të tilla?

-Koncertet e fund vitit të kaluar”galat”, shfaqur në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë dhe në teatrin ‘Migjeni” në Shkodër, së bashku me prof., pianiste në operën e Berlinit-Gjermani. e shoqes, motrës time, Elda Laro, ishin një ndjesi e bukur për mua: pasi unë këndova para publikut të vendit tim, para njerëzve të mi. Mbresa të veçanta përjetova, sepse ajo gjuhë e bukur shqipe, më dha shumë krenari në veçanti duartrokitje e publikut që nuk i kam parë kurrë në asnjë vend tjetër të botës. Falenderoj drejtuesen e TKOB në Tiranë, Abigeila Voshtina që më krijoi mundësinë e këtij komunikimi magjik. Ishte një emocion, një ëndërr e imja të realizoja këto dy koncerte para publikut tim, sepse unë jam shqiptare. Jam tepër e lumtur si këngëtare që realizova këto koncerte, pasi më parë si instrumentiste në violinë, kam dhënë koncerte në teatër dhe televizion. Ishte vërtetë një mrekulli.

-Jeni ndër artistët që keni interpretuar role nga kompozitorët botëror si Rosini, Moxarti, Puçini, Bize, Verdi …Cili prej tyre është preferenca juaj?

-Po kam interpretuar krijime të kompozitorëve të shquar botëror: si nga kompozitorë klasik ashtu dhe ata barik, konteporan apo romantik. Por ata që më pëlqejnë më shumë, të cilët unë i  konsideroj perla, janë Verdi dhe Puçini. Janë këta që i përshtaten bukur zërit tim. Eshtë një përshtatje midis nesh në drejtim të stilit, historisë. Këto bëjnë që zëri im të përshtatet me karakterin, apo me atë çka unë kam dëshirë.