Fitim Çaushi/ Vaso Tole kërkon ligjërimin e teorisë dështake të “iso- polifonisë”

607
Në gazetën “x”, datë 10 prill 2015, Sekretari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, kërkon rishikimin e ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar, me “merakun” e madh, se vlerat e trashëgimisë janë të rrezikuara. Ai pohon:
“Më 7 prill 2003, për të parën herë u vendos në mbrojtje ligjore trashëgimia kulturore shpirtërore e shqiptarëve, si pjesë e ligjit “Për trashëgiminë kulturore”. Sot pas 12 vitesh, ka ardhur koha e një ligji të ri për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe për gjithë trashëgiminë kulturore shpirtërore në Shqipëri”.
Çfarë ndryshoi për 12 vjet, që Vaso kërkon rishikimin e ligjit ekzistues?! Çfarë ishte i gabuar në ligjin e mëparshëm? Asgjë nuk na sqaron Vaso, por si gjithmonë dhelparak, lëshon thirrjen “shpëtimtare”:
“Thirrja ime shkon në drejtim të institucioneve, Ministrisë së Kulturës…një ligj i cili të përcaktojë trashëgiminë kulturore shpirtërore si pasuri kombëtare me rëndësi strategjike, si burim i pazëvendësueshëm për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit dhe një nga gurët e themelit për zhvillimin e kulturës dhe të sistemit të vlerave kombëtare”. Kaq qorra këta politikanët tanë, saqë nuk kuptojnë se aprovimi i ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore do të realizonte zhvillimin ekonomik të vendit dhe do t’i thoshte tutje fukarallëkut dhe papunësisë?! Sipas Toles, ligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore të shqiptareve ka qenë deri tani vetëm me rëndësi taktike, këtej e tutje, sekretari i Akademisë së Shkencave, z. Tole, urdhëron që ligji i ri “të jetë me rëndësi strategjike”!
Përse nuk ia dha këtë rëndësi strategjike kulturës shpirtërore, Vaso Tole, qysh në ligjin e viti 2003, sepse ka qenë po ai, që e ka hartuar dhe propozuar ligjin e vjetër, si drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të Ministrisë së Kulturës?! Nuk ia dha, sepse deri atëherë nuk ishte propaganduar ende “iso-polifonia” në UNESKO dhe në opinionin e brendshëm shqiptar, ajo u propagandua dy vjet më vonë, pasi kishte dalë ligji. Këtu fshihet lepuri, ai kërkon të mbrojë me ligj pjellën e tij dështake, jo pasurinë shpirtërore të shqiptarëve. Tole atëhere gjeti shesh dhe bëri përshesh, sepse ministre e atëhershme, Arta Dade, iu nënshtrua manipulimeve të Vasos dhe e firmosi qorrazi virusin antikombëtar të tij. Me dhelpëritë e tij, Tole kërkon të komprometojë edhe ministren e re, për të mbrojtur me ligj virusin e tij antikombëtar, “iso-polifoninë”, që mohon polifoninë shqiptarëve me gjenezë nga ky popull, ngjizur qysh në kohët e lashta. Me manovrimet e reja, ai kërkon të maskojë inkursionin e tij antikombëtar, ndaj pohon: 
“Iso-polifonia popullore shqiptare është folklor…dhe tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare…Isopolifonia është dukuria bazë muzikore në Shqipërinë e Jugut”, ndërkohë që dukuri bazë muzikore në Shqipërinë e Jugut, është Polifonia dhe vetëm Polifonia. Akoma me avazin e Mukës ky pretencioz, edhe pse në studimin “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare”, i është bërë me argumente autopsia, kësaj krijese anormale! Akoma do të vazhdojë Vaso Tole me teorinë:”Ç’bën o Stas? Po shqep thasë…”. Tole, në tatëpjetën dhe dëshpërimin e tij, sepse nuk e imponoi dot pjellën e tij dështake tek etnomuzikologët shqiptarë dhe artistët popullorë, e kujton Ministrinë e Kulturës për të mbrojtur “iso-polifoninë” e tij me ligj, me shpresën se edhe kësaj here do të gjejë strehë manovrimi i tij antikombëtar tek institucioni, ku ai u imponua me statusin e të vetmit kompetent! Përcaktimi i tij për “iso-polifonisë” si “tipologji shpirtërore kombëtare shqiptare”, është demagogji deklarative, është e imponuar nga reagimet e disa studiuesve në media, pasi tek libri “Folklori muzikor 1”, faqe 16, ka shkruar:
“Iso-polifonia jonë popullore duhet konsideruar ashtu siç është: një fenomen elitar i të menduarit muzikor shqiptar e më gjerë”. Këtë e përforcon edhe në studimin “Pse qajnë kuajt e Akilit”: “…si një nga dukuritë më të hershme të muzikës shumëzërëshe në Europë e më gjerë” ( f. 12)
Si duhet…
Me tjetërsimin e polifonisë shqiptare, si dukuri e të menduarit muzikor “më gjerë” se sa shqiptar, pra grek, boshnjak, sllav, bullgar, etj, prof. Tole na dëshmon se “iso-polifonia” nuk është më një dukuri thjesht shqiptare, dhe nuk ka pse të shkruaj formalisht, sikur kjo kulturë muzikore është kombëtare shqiptare! Kemi rastin ta pyesim z. Tole për të na dhënë një përgjigje përfundimtare:
– Polifonia katërzërëshe e Shqipërisë së Jugut, është shqiptare, apo ekziston edhe në vende të tjera të Ballkanit dhe të Europës?!
– Ka lindur kjo polifoni në Labëri të Shqipërisë, apo në vendin e sirenave dhe të korit antik, sikundër ka shkruar Vaso Tole?!
– Ka gabuar shkenca jonë etnomuzikologjike me Çesk Zadenë, Albert Papariston, Ramadan Sokolin, Beniamin Krutën, Hysen Filen, Spiro Shitunin, Kosta Lolin e shumë e shumë muzikantë dhe artistë të tjerë, dhe këtë gabim e korrigjoi akademiku Tole?
Trashëgimia kulturore shpirtërore e shqiptarëve, është e rrezikuar, jo për shkak të ligjit, por për mos vlerësimin dhe zbatimin e ligjit, sepse vetë Vaso Tole, me “iso-polifoninë” e tij të mallkuar, e rrezikoi dhe e mohoi kulturën shpirtërore të Shqipërisë së Jugut, duke mohuar gjithë arritjet e etnomuzikologjisë shqiptare në 60 vjet. 
Ende sot, nuk po riparohet gafa e Arta Dades që firmosi kuturu “iso-polifoninë”. Nëse do të mbrohet me ligj “iso-polifonia”, do të jetë një katastrofë kulturore për kulturën tonë kombëtare, dhe tymi kësaj katastrofe, do t’i dali nesër!
I bëj thirrje Akademisë së Shkencave, Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve shkencore, të shtojnë vigjilencën ndaj provokatorit Vaso Tole, sepse ai kërkon, përmes një ligji të imponuar, asgjësimin dhe tjetërsimin e vlerave më të çmuara të Kulturës Kombëtare Shqiptare.
Sigal