Fitim Çaushi: Përcjellja e Kadri Roshit me një këngë labe

Në 11 janar u përkujtua 100 vjetori i lindjes së artistit të madh Kadri Roshi. Falenderojme grupin përzgjedhes që në këtë botim ka përfshire dhe kujtimet tona.

/Telegraf.al/ Me Kadri Roshin, më ka lidhur profesori im i teatrit dhe makiazhit, Agron Gashi. Në shtatorin e vitit 1963, profesori na çoi në Teatrin Popullor për të parë dramën “Familja e Peshkatarit”. Ne nuk e dinim se aty, rolin e Petritit e luante profesor Agroni. Na emocionoi shumë shfaqja, arti impresionues i Kadri Roshit në rolin e një babai patriot, që mezi përballonte hallet e familjes. Na emocionoi edhe loja befasuese e profesor Agronit tek roli i Petritit. E uruam kur mbaroi shfaqja dhe na shoqëroi deri në konvikt. Ishte një shembull në punën pedagogjike, por edhe në atë artistike. Prej tij i kam njohuritë e para të teatrit antik grek dhe romak. Ndërkohë çdo të shtunë, profesori na shpinte në Teatrin Popullor për të parë tërë dramat apo komeditë, sepse do t’i komentonim të nesërmen në mësim. Pagesën në llogarinë e Teatrit, e bënte shkolla, përmes urdhër-xhirimit. Aty u njoha më mirë me magjinë e Kadri Roshit dhe aktorët e tjerë, të cilët sikurse është thënë, ishin të kalibrit botëror. Në vitin e katërt, maturatët do të mbronin diplloma me dramën “Familja e Peshkatarit”. Nxënësit, nën drejtimin e profesor Agronit, kishin bërë një punë të lodhshme, por të mirë. Profesor Agroni ftoi në premierë disa personalite për të cilët, para shfaqes, shprehu falenderim dhe mirënjohje. Për profesor Kadri Roshin, u shpreh: “Kam ftuar sot profesorin tim, që më mësoi, më orientoi dhe më ndihmoi të eci në skenë dhe në jetë, për të më bërë vërejtjet, se çfarë kam marrë prej tij dhe çfarë më mbetet të marr ende, për t’u dhënë gjeneratave të reja, jo vetëm idetë, që shtron krijimtaria skenike, por edhe edukimin estetik dhe artistik, që e pasuron shumë botën shpirtërore të rinisë. Kam rastin ta falenderoj nga zemra profesorin tim, për gjithçka ka bërë për mua”. Pas përfundimit të shfaqjes, profesor Kadriu mbajti një ligjëratë që na ka përlotur. Me një buzëqeshje shumë fisnike, me një mirësi, që rrallë e kam hasur t’i burojë nga zemra si mjalti shërues i bletës, Ai na u drejtua plot respekt: “Ju uroj për këtë punë të bukur e mjaft profesionale. Ju kini mes tuaj një xhevair, që di të komunikojë me ju edhe me gjuhën e artit, por edhe forcën e shpirtit, forcë që na ka ndihmuar edhe neve atje në Teatër”. Ai e vlerësoi kaq shumë profesorin tonë, Agron Gashin, sa ne maturantët, jo vetëm u emocionuam, por e shtuam edhe më shumë dashurinë për profesor Agronin, sepse është e natyrshme, që mirënjohja për njeriun që ta vlerësojnë përfaqësuesit e elitës artistike të kombit, e shumëfishon nderimin dhe adhurimin për të. Po kaq dashuri na u shtua edhe për zemrën fisnike të profesor Kadriut, që me një natyrshmëri të rrallë, ia ngriti lart vlerat profesionale dhe njerëzore profesor Agronit. Me këto mbresa, e kam ndjekur vazhdimisht artistin e madh Kadri Roshi. Në vitin 1991, Gazeta “Zëri i Popullit” shkruante, se Artistin e Popullit Kadri Roshi, e kishin dhunuar me grushte disa vandalë, pranë kafe “Florës”, ku ai kishte shtëpinë. U trondita! Magjinë e skenën shqiptare e kishin dhunuar! Përse gjithë kjo egërsi kundër përfaqësuesve të kulturës dhe artit shqiptar?! Vetvetiu kaluan në përfytyrimin tim disa nga rolet e tij më të spikatura. E pashë me sytë e mendjes te “Doktor Aleksi”. Gjatë shfaqes jam ngashërryer. Të kundërtat: Brenda botkuptimit dhe kthesa e doktor Aleksit në anën e forcave përparimtare, gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas fitores së revolucionit popullor, ishin mishëruar aq artistikisht dhe me aq vërtetësi prej artistit, sa më emocioni dhe më elektrizoi. Profesor Kadriu me “Doktor Aleksin”, për vet gjendjen time shpirtërore, më kishte dhënë një satisfaksion të rrallë.

Veçanërisht Jonus Bruka tek “Familja e Peshkatarit” do të më shoqëronte tërë jetën. Ngado që shkoja brenda qenies time jehonte interpretimi i Kadriut: “Mua mos më duaj, as këtë qyqe që të ka bërë kokën, mos e duaj, po Shqipërinë, Shqipërinë ta duash harram”! I qante shpirti, i dridhej buza! Me vibrimet zanore, regjistrat e ndryshme që përdorte në ato 15 fjalë dhe shqetësimin prindëror që i buçiste sa një det, ngriti në skenë një furtunë, ndërsa me gjendjen shpirtërore që përjetonte, mbarte një mesazh madhor, i cili do të përbënte lajtmotivin e tërë jetës time: “Shqipërinë ta duash harram!” Dola nga gjendja e turbulluar që më solli leximi i gazetës, mora një milore shterpë, dy litra raki 22 gradë dhe i vendosa në bagazhin e makinës së ish drjtorit të bonifikimit Flamur Bime dhe nisem për Tiranë. Në shtëpinë e profesorit tim të nderuar Razi Brahimi, u ther milorja, u poq dhe u shtrua një drekë me pjesëmarrjen e regjizorit Dhimitër Pecani, nën drejtimin e të cilit pak kohë më parë prof. Kadriu kishte luajtur Ezopin e famshëm. Për atmosferë, kisha ftuar edhe disa gazetarë dhe aktorë. E kishte kaluar gjëndjen e rënduar shpirtërore dhe humori i gurgullonte, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Pas kësaj veprimtarie, takoheshim vazhdimisht dhe shkëmbenim mendime për teatrin, filmin dhe aktualitetin. Kishim qëndrime të përbashkëta…

Sigal

Një herë duke pirë kafe tek kioska pas Komitetit të Veteranëve, sot Kisha Ortodokse, na u afrua një mesoburrë dhe i thotë profesor Kadriut:

-Ti je njeri i mirë, pse ngatërohesh me dava kulakësh që fshehin grurin,

apo me Bektash Shkozën?

Kadriu qeshi dhe I’u përgjigj:

-Unë e rëmoj, e rëmoj, e rëmoj Bektash Shkozën nga brenda derisa i futem në zemër dhe i them atij, dil këtej se do të jem unë Bektashi për dy orë. Kaq. U bëra njeri i keq vetëm për dy orë?

-Dy orë një natë e dy orë natën tjetër, bëhen shumë dhe po u molepse, nuk del dot nga huqet e Bektashit. Kjo ishte filozofia e mjeshtërisë artistike, që kishte përcjellë me artin e tij Kadri Roshi në ato qindra karaktere që kishte mishëruar. Në prill të vitit 1995, mora nisiativën për të organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës koncertin polifonik “Kënga Labe në shekuj”, me grupet polifonike të Kardhiqit, ku unë punoja. Koncerti ishte konceptuar në formën e një spektakli, ku do të flitej për Polifoninë labe në shekuj. Për këtë kishim ftuar etnomuzikologun Prof. Ramadan Sokolin, në cilësinë e specialistit për polifoninë dhe njëkohësisht udhëheqës artistik i koncertit. Kishim ftuar gjithashtu Artistët e Popullit Çesk Zadeja, Artistin e Merituar Limos Dizdari dhe Artistin e Popullit

Kadri Roshi, për ta nisur koncertin me recitimin e këngës së parë me tekst të rapsodit Selim Hasani:

Shqipëri o shkëmb e gur,

vrite prite për flamur,

ata hiq e tinë vur..

Kështu ke qenë qëkur!

Tekstin ia kisha dhënë disa ditë më parë dhe sa artikuloi fjalën Shqipëri, salla shpërtheu në duartrokitje. Një tingull i fuqishëm, plot adhurim, krenari dhe forcë ekspresive. Veçanërisht me vargun “Flamurin maja më maja”, ai nxori gjithë dufin, si të ishte një copë llave e dalë nga një grykë vullkani. Pas recitimit u bashkua me grupin polifonik dhe vazhdoi këngën. Me mbarimin e këngës doli para mikrofonit dhe deklaroi: “Noli i madh ka thënë “Kur të vdes të më përcillni me një këngë labe”. M’u duk, se ky, ishte edhe amaneti i vet profesor Kadriut. Koncerti tingëlloi i freskët, i bukur, edhe për faktin se ishte hera e parë që hynte kënga popullore labe në Odeon. Veçanërisht pjesmarrja e solistes Irini Qirjako, dhe grupeve të Bënçës dhe të “Rinjve” të Gjirokastrës, ja ngritën nivelin koncertit, i cili jo vetëm u pëlqye për tingëllimin e tij artistik, por edhe për ritmin e tij, falë regjisorit, « Artistit të Merituar » Albert Minga dhe drejtueses së talentuar Zerina Kuke. Koncerti u regjistrua në television dhe u trasmetua më datën 14 prill 1995. Pas koncertit organizuam një darkë në një nga lokalet pranë Liqenit të Tiranës. Kadriu këndoi me gjithë shpirt me artistët popullorë dhe shpesh i thoshte Bert Mingës për Çesk Zadenë: “More edhe ti nga Labëria je, eja bëj iso që të mos na gjej në gabime ky specialisti, se kaq do ky, dhe na xjerr në gazetë, për prishje të traditës. »

Në atë darkë aq gazmore, më kanë mbetur si të gdhendura, fjalët e profesor Kadriut: “E dua këngën labe, ose këngën vendçe të them më mirë, por kur e dëgjoj të kënduar nga burimi, si këta djem, shpirti më gjallërohet dhe ndiej se pasurohem deri në kockë.”

E ftova përsëri profesor Kadriun në koncertin polifonik në mars 1996, në sallën e Teatrit të Estradës së Tiranës, së bashku edhe me prof. Dhimitër Shuteriqin dhe Artistin e Popullit Luftar Paja. Ashtu i thjeshtë, sa edhe madhështor, e ngriti sallën në këmbë. Pas koncertit i thashë të mos largohej se do të pinim një kafe. I dhashë 200. 000 lekë të vjetra.

-Janë shumë, janë shumë! – reagoi ai i shqetësuar.

-Janë edhe për koncertin e Odeonit vitin e kaluar, – i thashë unë,- atëhere nuk kisha dhe të përcolla pa gjë. Ende më ka mbetur në mëndje ajo ndjenjë ndershmërie dhe respekti për njerëzit e thjeshtë. Krahasur me ata, që për një koncert të kërkojnë miliona, profesor Kadriu mbetet model i artistit idealist dhe të ndershëm. Një herë më merr në telefon dhe takohemi tek kioska e tij e zakonshme. Ishte i shqetësuar, kishte lënë gruan në spital në Janinë, e cila duhet të operohej nga zemra, dhe kishte ardhur për të kërkuar mbështetje dhe ndërhyrje prej institucioneve mjekësore të vendit tonë, sepse nuk mund ta operonin pa pagesë. Kalova një moment të vështirë, nuk dija si ta qetësoja. Isha krejtësisht i kontraktuar dhe fjalët më ishin ngurosur. Gjatë bisedës m’u kujtua drama që kishte luajtur me teatrin e Vlorës: “Këtu do ta pi kafenë, këtu!”- i thotë kamarierit, ndërkohë që po vinin italianët. E ndieja veten i pafuqishëm, përderisa nuk e ndihmoja dot. Me shumë ndrojtje i them: -Profesor, do të desha të vija edhe unë me ju në Janinë dhe ta pinim një kafe edhe atje, por nuk mundem. Kur të kthehesh në Janinë tek shoqja, i thuaj të shkuara nga ana ime, merre dhe atë dhe shkoni ta pini një kafe tek sarajet e Ali Pashait në mes të Liqenit të Janinës, dhe t’i thuash kamarierit: “Këtu të ma sjellësh kafenë, këtu, se janë Sarajet e mija këto!” dhe i lëshova mbi tavolinë një kartomedhë 10.000 dhrami, që ma kishte sjellë vëllai nga Greqia. U befasua! Ju lagën sytë. Më shikonte dhe e kuptoi, se ishte e kotë që të kundërshtonte. Në janar të vitit 2008, artisti i madh ndërron jetë. U dëshpërova, se brezi i artë i skenës dhe ekranit po rrallohej si ato drurët e lashtë të një pylli shekullor. M’u kujtua amaneti i tij: “Kur të vdes të më përcillni me një këngë labe”. Në mënyrë të shpejtë, brenda ditës, organizova në “Saranda Television” një emision në të cilin intervistova autorin e monografisë për prof. Kadriun, prof. dr. Josif Papagjonin, që ndodhej ato ditë në Sarandë, dhe regjisorin Vangjel Agora. Pas intervistave, grupi polifonik i Sarandës këndoi një këngë labe me tekst për jetën dhe vlerat artistike të Kadri Roshit. Para këngës solisti Velo Korkuti, pjesmarrës në koncertin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, që e dëgjoi nga afër amanetin e artistit, pohoi se e quante një detyrim të shenjtë ta përcillte artistin e madh me këngën e Labërisë, për të realizuar amanetin e tij. Emisioni, i cili u përsërit disa ditë, u mirëprit nga qyteti i Sarandës dhe bisedimet e qytetarëve për Kadri Roshin të nesërmen, ishin të pranishme në të gjitha mjediset.