Fitim Çaushi: Pagëzori i terminologjisë “iso – plifoni”, Vaso Tole e dhunoi realitetin historik të polifonisë

738
Sigal

 Shkrimtari Fitim Çaushi: Tjetërsimi i emrit të polifonisë shqiptare  është turp kombëtar

Megjithëse pagëzori i terminologjisë “iso – plifoni”,  prof. Tole, e ka bërë fakt të kryer tjetërsimin e këngës shumëzërëshe të Shqipërisë së Jugut, askush nuk mund t’i shmanget polemikës me të, prandaj nëpërmjet këtij studimi jemi të detyruar të parashtrojmë disa argumente, të cilat e vënë në pikëpyetje ndershmërinë shkencore të inkursionit të tij famëkeq. Pas vitit ’90, për motive të ndryshme, u kryen rishikime, rehabilitime, falsifikime dhe përçudnime të historisë dhe kulturës sonë kombëtare, aq sa  për një paskajore, kërkohet ndryshimi i gjuhës standarde të shqipes, për një pseudombledhje të Mukjes synohet tjetërsimi i misionit të saj si “kuvend kombëtar”, për disa vepra të dobëta letrare hidhet poshtë gjithë letërsia artistike e realizmit socialist dhe për një “cluster ton të fshehur” tjetërsohet polifonia popullore shqiptare, duke krijuar një ndjesi të hidhur te studiues, artistë popullorë dhe intelektualë të ndryshëm.

Studiuesit tanë të nderuar

Profesorët dhe studiuesit tanë të nderuar si Zihni Sako, Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli, Baki Kongoli, Tish Daia, Beniamin Kruta, Limos Dizdari, Tish Daia, Shpëtim Kushta, Roland Çene, Spiro Shituni, Kosta Loli, Razi Brahimi, Tasim Gjokutaj, Bardhosh Gaçe, Lefter Çipa, Agron Fico, Shyqyri Hysi e shumë e shumë të tjerë, në studimet dhe leksionet e tyre, e kanë cilësuar këngën shumëzërëshe të Shqipërisë së Jugut, Polifoni, të pranuar edhe prej vet prof. Vasil Toles, i cili në vitin 1999 shkruan: “vetëm në shek XX trashëgimia muzikore  shumëzërëshe me iso, e Shqipërisë së Jugut, u përcaktua dhe u klasifikua  nga etnomuzikologjia e re shqiptare si polifoni popullore”[1], për të cilën ky studiues më tej pohon: “Në hyrje të punimit tonë mbi iso-polifoninë popullore shqiptare do të na duhet të qëndrojmë në shpjegimin e termit polifoni sipas kuptimit më të gjerë që kjo fjalë mbart….por edhe ta pranojmë atë tashmë si realitet të provuar nga të gjithë”[2]  Ndonëse është një realitet i provuar, profesor Tole guxoi dhe e dhunoi realitetin historik të polifonisë, duke na vendosur mes dy poleve: etnomuzikologjisë shqiptare, me përfaqësuesit e saj të sipërpërmendur, dhe recetave të prof. Toles, i cili braktisi termin “Polifoni shqiptare”, duke shpikur një nocion të ri, termin “iso-polifoni”! Jemi në dilemë, nga duhet të shkojmë, nga shkenca e etnomuzikologjisë shqiptare, “si një realitet i provuar nga të gjithë”, apo nga prof. Tole, i cili ende nuk ka kumtuar në ndonjë konferencë apo simpozium shkencor, organizuar nga shteti shqiptar për këtë “shpikje”origjinale!  Nuk do të kishin ndonjë rëndësi të veçantë shkrimet e prof. Toles nëpër libra, (përmbledhje leksionesh për studentët) pasi atyre u mungojnë argumentet e sakta shkencore, nëse ato nuk do të konkretizoheshin në një vendim të UNESKO-s, e cila pranoi propozimin e Toles nga pozitat e përfaqësuesit të Ministrisë së Kulturës shqiptare, ku ai punonte. Me këtë tjetërsim, Shqipëria nuk do të ketë më  muzikë polifonike, sikundër është konsideruar e tillë të paktën në hapsirën e disa shekujve, prej bartësve dhe studiuesve të saj. Lebërit, kur bëhen bashkë, nuk do të thonë më; “ja marrim një kënge”, por “detyrohen” të thonë; “ja marrim një isoje”.

Propozimi i Toles në UNESKO

 Me dekret të UNESKO-s, Shqipëria do të ketë vetëm muzikë “iso-polifonike”, polifonia popullore i mbetet peshqesh një populli tjetër…! Sikur Polifonia shqiptare të mos hynte në UNESKO me kushte të tilla tjetërsuese,  çfarë do të humbiste në vlerën dhe pasurinë e saj artistike? A nuk ishte edhe më i njohur dhe më i respektuar ky margaritar artistik i popullit tonë në Europë e në botë, nga dhjetra koncerte të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore,  ansambleve amatore dhe grupeve polifonike? Kush e autorizoi studiuesin Tole, të bëjë të tilla mblesëri, nëpër mjegullën famëkeqe të epokës së tranzicionit, nuk e dimë, sepse nuk kemi një vendim shtetëror, apo përfundim të një diskutimi nga një auditor specialistësh e artistësh popullorë, të cilët e përcjellin këtë trashëgimi kulturore gojë më gojë nga stërgjyshërit e tyre, por dimë, se në konventat e UNESKO-s për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jo materiale, si në rekomandimin e saj të vitit 1989, në Deklaratën e përbotshme të vitit 2001 për diversitetin kulturor, dhe në Deklaratën e Stambollit të vitit 2002, pranohet: se proceset e mondializimit dhe të ndryshimit shoqëror, krahas kushteve që krijojnë për një dialog  të përtërirë mes bashkësive, shkaktojnë gjithashtu, njësoj si edhe dukuritë e mostolerancës, kërcënime të rënda për degradim, për zhdukje dhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore jo materiale, veçanërisht për faktin e mungesës së mjeteve për ruajtjen e kësaj të fundit. Konventa përcakton atë që i konsideron trashëgimi shpirtërore: ”të gjitha praktikat, paraqitjet, shprehjet, njohuritë, veglat, artefaktet dhe hapësirat kulturore që bashkëshoqërojnë ato, që bashkësitë grupet dhe, kur është rasti, individët i pranojnë si pjesë përbërëse të trashëgimisë së tyre kulturore”[3].

Qëllimi i Konventës së UNESKO-s dhe shkatërrimi i Toles

Një kërcënim i tillë për degradim, për zhdukje dhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore jo materiale të Shqipërisë së Jugut e filloi, veç të tjerash, vetë prof. Tole me tjetërsimin e Polifonisë shqiptare, megjithëse qëllimi kryesor i Konventës së UNESKO-s, është ruajtja e kësaj trashëgimie përmes masave që synojnë jetëgjatësinë e saj. Ndaj në konventë kërkohet që “publiku të mbahet i informuar për kërcënimet që rrezikojnë këtë trashëgimi[4]. Me tjetërsimin e prof. Toles, nuk ka qenë nevoja të paralajmërohet populli i Shqipërisë së Jugut për këto lloj rreziqesh, sepse vetë profesori  e rrezikoi dhe e eliminoi Polifoninë. Që nga koha që Polifoninë e mori UNESKO, po i shkurtohet jeta….ndonëse në kuadrin e veprimtarive për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jo materiale, shkruan profesor Tole: “ç’do shtet përpiqet të sigurojë pjesëmarrjen sa më të madhe të bashkësisë, të grupeve dhe individëve që krijojnë, mirëmbajnë dhe përcjellin këtë trashëgimi, dhe t’i përfshijnë gjallërisht në administrimin e saj”[5]

E kundërta e Prof. Toles

Prof. Tole ka bërë të kundërtën, përjashtoi pjesëmarrjen e bashkësisë që e përcjell këtë trashëgimi, përçau forcat artistike të këngës polifonike dhe nxiti një sërë polemikash kundër tij, sikundër ishte ajo e profesor Bardhosh Gaçes, prof. Sokol Shupos, Shoqatës Labëria  dhe Shoqatës Polifonike të Shqipërisë. Duke shfletuar punimet e z. Tole, nuk na bind asnjë version i paraqitur prej tij. Për këto arsye:

  •  nuk kemi paketën zyrtare me propozimin e tij, që ka përcjellë në asamblenë e UNESKO-s;
  • nuk kemi vendimin e Ministrisë së Kulturës;
  •  nuk kemi ratifikimin e marrëveshjes së UNESKO-s nga parlamenti shqiptar;
  •  nuk kemi fotokopje të procesverbalit që është diskutuar kësisoj në UNESKO etj.

Si përfaqësues i shtetit, prof. Tole ka futur në UNESKO atë që imponon ai si individ, jo traditën e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, të afirmuar nga etnomizokologjia shqiptarëve dhe bartësit e saj. Si ka mundësi që përdor statusin shtetëror për probleme kombëtare, duke paraqitur iniciativa e dëshira individuale në organizmat ndërkombëtare?! Z. Tole e di se, për këtë ndryshim duhet të kishte organizuar konsultime me një auditorë të gjerë në vendin tonë, specialistë, profesorë, e ndoshta lindte nevoja për të organizuar edhe një simpozium shkencor për ta marrë kolegjialisht e zyrtarisht një vendim të tillë, nëse i takonte për ta bërë. Tjetërsimi i prof. Toles nuk është pranuar nga opinioni shkencor, populli ynë nuk e ka aprovuar këtë ndryshim, as specialistët e fushës përkatëse nuk e kanë aprovuar këtë ndryshim, as artistët popullorë që e këndojnë dhe e transmetojnë këtë trashëgimi kulturore, nuk e kanë aprovuar “iso-polifoninë”, përveç disa sejmenëve që gjithë jetën kanë ditur t’u mbajnë kalin të mëdhenjve për interesa të ngushta dhe përfitime personale. Ata duan Polifoninë, sikundër është: një polifoni brilante me larminë, forcën, pasurinë, ngjyrat, origjinalitetin, që ka befasuar  specialistë, studiues dhe profesorë të huaj gjatë Festivaleve Folklorike të Gjirokastrës, të cilët e kanë vlerësuar si Polifoni popullore, formë muzikore krejtësisht e veçantë që gjendet vetëm tek shqiptarët, dhe jo si “iso-polifoni”.

Etnomuzikologu bullgar dhe realiteti shqiptar

Teodor Djidjev, etnomuzikolog në Institutin e Muzikologjisë së Shkencave në Bullgari, në vitin 1983, gjatë ditëve të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, është shprehur: ”Një përshtypje të veçantë më bënë grupet polifonike, mënyrat e të kënduarit, janë vërtet të veçanta, qofshin këto vokale burrash e grash…”[6]  Studjuesi ballkanas e quan të veçantë mënyrën e të kënduarit polifonik të shqiptarëve. Përse prof. Tole mori një përgjegjësi të tillë, tjetërsimin, pa e pyetur specialistët dhe popullin që e përcolli këtë formë muzikore prej stërgjyshërve të tij? Përse znj. Arta Dade, në funksionin e ministres së kulturës, në vitin 2002, mori vendimin t’ia propozonte zyrtarisht UNESKO-s, me emrin ”iso-polifoni”, pa pyetur si emërtohej më parë kjo formë muzikore? Nuk e dinte, apo e konsideroi si një plaçkë trashëgiminë shpirtërore të popullit tonë, të cilën mund ta tregtonte sipas dëshirës së njërit dhe tjetrit? Si shpjegohet që znj. Arta nuk e dinte, se kohë më parë janë bërë përpjekje për ta futur Polifoninë shqiptare në Unesko?!  Prof. dr. Bardhosh Gaçe në intervistën e tij në gazetën “Telegraf”pohon: ”Këtë projekt e kishin nisur me UNESKO-n dy studiues të njohur, Agron Xhangolli dhe Afërdita Onuzi, por e plotësuan më vonë Beniamin Kruta dhe S. Shituni…Një nga të interesuarit për Polifoninë shqiptare ka qenë studiuesi anglez Aleksandër Thanton, i cili për ta bërë më të afërt Polifoninë Shqiptare në UNESKO dhe për ta vënë në mbrojtje të saj, bëri filmin dokumentar “Polifonia Shqiptare”, i cili mori çmimin e parë në festivalin “Tursian”, në Gjermani në vitin 1990. Në vitin 1994-1995 UNESKO kërkoi të prezantohej kjo kulturë…por në vend të saj, në vitin 2002 u vendos befasisht  një tabelë në Vlorë dhe festivali i Polifonisë u quajt “Takimi i iso-polifonisë”. Ministrja e Kulturës e asaj kohe, Arta Dade, e quajti të mirëqenë, por pati kundërshtime të mëdha nga specialistë të folklorit dhe muzikës, nga këngëtarët popullorë”[7]

Polifonia shqiptare nuk është pronë vetjake

Polifonia shqiptare nuk është pronë vetjake as e prof. Toles, as e Ministres Arta Dade, apo ministrave që vijnë e shkojnë, madje as e  ndonjë tjetri. Ajo është pronë e popullit, e kulturës  kombëtare shqiptare, e lebërve dhe toskëve, që e kanë krijuar dhe bartur atë në rrjedhat e historisë sonë kombëtare nëpër shekuj, si dëshmi e identitetit tonë kombëtar! Fakti që kënga e Shqipërisë së Jugut, nga studiues dhe artistë popullorë emërtohet Polifoni, tregon se, as akademiku Tole, as UNESKO e as ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare a kombëtare, nuk ka pasur forcë ta ndryshojë këtë emërtim nga ndërgjegjia e popullit, vazhdon ende të quhet Polifoni, jo për konservatorizëm, por, për bindjen e thellë se kënga e Shqipërisë së Jugut duhet të quhet, sikundër është quajtur historikisht – Polifoni. Pavarësisht qëndrimeve tona të tanishme, “shpikja” e prof. Toles, duke shfrytëzuar pozitën  e Drejtorit të Trashëgimisë Shpirtërore në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, fitoi të drejtën e qytetarisë, stampuar në UNESKO, madje ai e përgatiti terrenin me një manovrim fantastik. Në librin e tij “Folklori muzikor”, botuar më vitin 1999, nga Shtëpia Botuese e Librit Universitar, ka vendosur si redaktor emrin e profesorit të nderuar dhe babait të muzikës klasike shqiptare, Çesk Zadesë, në kohën që ai, qysh në 1996, ka qenë i sëmurë dhe në mesin e vitit 1997 nderoi jetë në Romë.

-vijon nesër-