Fitim Çaushi: Akademia nuk duhet të heshtë ndaj tjetërsimit të polifonisë shqiptare prej sekretarit të Akademisë, z. Vasil Tole

620
Polifoni apo iso-polifoni?
Tole na dëshmon se “iso-polifonia” nuk është më një dukuri thjesht shqiptare, dhe UNESKO nuk ka përse ta shpalli atë si pasuri të trashëgimisë shpirtërore, jo materiale të popullit shqiptar, por “më gjerë”, pasuri ndërballkanike, ndëreuropiane. Populli shqiptar nuk ka përse të pretendojë për një vlerë që nuk është e tij, sepse prof. Tole paska futur në UNESKO një kulturë muzikore popullore që i përket edhe popujve të tjerë, “iso-polifoninë”
Jo pak intelektualë dhe artistë popullorë kanë reaguar ndaj tjetërsimit të polifonisë shqiptare prej sekretarit të Akademisë tuaj, z. Vasil Tole, por çuditërisht nuk kemi asnjë reagim kundër këtij tjetërsimi nga institucionet shkencore apo edhe nga ndonjë punonjës shkencor, që punon në këto institucione! Nuk e kuptojmë si mund të heshtet kur hidhet poshtë puna shkencore shumë vjeçare e punonjësve të kësaj Akademie, duke mohuar polifoninë shqiptare, si krijimtari e popullit shqiptar, me “zbulimin” famëkeq të “iso-polifonisë”, pa e diskutuar paraprakisht krijesën dështake në një forum shkencor! Ky tjetërsim, si një virus antikombëtar dhe mohim i hulumtimeve të profesorëve të nderuar shqiptarë, hyri befasues në UNESKO, si një rrufe në qiell të hapur. Çuditërisht institucionet e specializuara dhe punonjësit e tyre e pranuan apriori këtë dhunim të rëndë të Kulturës Popullore të Shqipërisë së Jugut, duke e reduktuar tjetërsimin antishkencor thjesht si çështje emërtese. Problemi nuk është thjesht çështje emërtese, por çështje gjeneze dhe përkatësie etnike, të cilën prof. Tole e shpjegon me origjinë nga e “qara me botë”, nga ulërimat, një shpjegim antishkencor. Më e papranueshme është origjina e saj nga sirenat greke dhe kori antik grek, sikundër përpiqet ta argumentojë profesori jon i nderuar:
”Në lidhje me këtë veçori tingullore të sirenave, na vjen mirë të pohojmë se ka një përqasje me mendimet më të përhapura mbi veçoritë e zërave këngëtorë të iso-polifonisë së shqiptarëve“[1] . Sikundër shihet ka vetëm “përqasje” të zërave këngëtorë të “iso-polifonisë” së shqiptarëve me “iso-polifoninë” e Sirenave, dhe jo përparësi polifonia e shqiptarëve, sikundër e ka në realitet. Si për ta imponuar këtë gjenezë, prof Tole arsyeton: “Do të ishte një ndihmesë e madhe për shkencat e etnomuzikologjisë dhe antropologjisë kulturore në përgjithësi, nëse do të arrinin në përfundimin, se rituali vajtimor është gjithashtu një nga fillesat e artit dhe kori antik vajtimor nuk është veçse laboratori i tij” [2]. 
Rituali vajtimor
Prof. Tole dëshiron që rituali vajtimor, pra “e qara me ligje” që ndodhet vetëm në Shqipëri, si fillesa e artit, të jetë krijuar në laboratorin e korit antik! Dhe kor antik ka vetëm letërsia greke. Për ta bërë të besueshme dhe të pranueshme këtë gjë, prof. Tole konkludon: “Iso-polifonia jonë popullore duhet konsideruar ashtu siç është: një fenomen elitar i të menduarit muzikor shqiptar e më gjerë” [3]. Në studimin “Pse qajnë kuajt e Akilit” ai e shtrin “iso-polifoninë” deri edhe si dukuri Evropiane: “…të qarës me botë-me ulërimë”, dhe asaj me “ligje” si fillesa e iso-polifonisë popullore shqiptare dhe e krijimeve artistike shpirtërore popullore në përgjithësi, një nga dukuritë më të hershme të muzikës shumëzërëshe në Europë e më gjerë” [4]. Sikundër mund ta vëreni edhe juve zoti Kryetar, për prof. Tolen, “iso-polifonia” është fenomen i të menduarit muzikor, edhe grek, edhe sllav, edhe boshnjak, edhe bullgar, edhe…. 
Prof. Beniamin Kruta
Me “iso-polifoninë” e prof. Toles, që shtrihet “më gjerë” se sa mendimi muzikor shqiptar, ne nuk i vëmë dot kufijtë tanë kulturorë, ndërkohë që me polifoninë popullore labe e toske i vëmë fare mirë kufijtë kulturorë edhe ne. Prof. Beniamin Kruta ka shkruar:
1.“Shtrirja e polifonisë në këtë ose atë formë më shumë o më pak, përkon me ato zona ku është bërë kalimi nga kultura ilire në kulturën e kombësisë shqiptare”.[5]
2.”Zëri i dytë, në të shumtën e rasteve, përpunon një substancë melo-ritmike të afërt, dhe, jo rrallë, të njëjtë me atë të zërit të parë. Kjo bën të ndihet përherë jehona e vazhdimësisë së një figurë të dëgjuar, element ky i rëndësishëm që dëshmon për origjinën e lashtë të kësaj polifonie. Struktura të tilla polifonike imitative nuk dëgjohen askund nëpër treva të tjera të Ballkanit dhe të Europës.”[6]
Pra, struktura të tilla polifonike, nuk dëgjohen askund, përveç se te shqiptarët, janë një tip i të menduarit muzikor “të ngushtë” shqiptar, sepse kanë lindur në Shqipëri, sikundër ka konkluduar edhe profesor Ramadan Sokoli: ”Polifonia jonë popullore me tipare origjinale, të lashta, ka lindur në vendin tonë nga puna e shumë brezave shqiptarësh”.[7] Me tjetërsimin e polifonisë shqiptare, si dukuri e të menduarit muzikor “më gjerë”, pra grek, boshnjak, sllav, bullgar, etj., prof. Tole na dëshmon se “iso-polifonia” nuk është më një dukuri thjesht shqiptare, dhe UNESKO nuk ka përse ta shpalli atë si pasuri të trashëgimisë shpirtërore, jo materiale të popullit shqiptar, por “më gjerë”, pasuri ndërballkanike, ndëreuropiane. Populli shqiptar nuk ka përse të pretendojë për një vlerë që nuk është e tij, sepse prof. Tole paska futur në UNESKO një kulturë muzikore popullore që i përket edhe popujve të tjerë, “iso-polifoninë” dyzërëshe, por me materiale artistike shqiptare, tre dhe katërzërëshe! Këtu është ngatërresa e prof. Toles, që identifikon dhe redukton polifoninë popullore shqiptare të zhvilluar, tre dhe katërzërëshe, me polifoninë dyzërëshe të vendeve të tjera. Me tjetërsimin e tij, akademiku Tole mohon tërë sakrificën e gjeneratave që e përcollën artistikisht këtë pasuri kombëtare nga shekujt, tërë punën studimore të profesorëve e specialistëve etnomuzikologë shqiptarë. Profesor Aleks Buda, ish kryetari i akademisë së shkencave, ka referuar më se një herë termin Polifoni në konferenca të ndryshme kombëtare. Natyrisht profesor Buda nuk ka qenë etnomuzikolog, por ka vlerësuar arritjet e shkencës së etnomuzikologjisë dhe specialistëve të saj:
-Kosta Loli:”Çdo ditë e më shumë hyja në labirintet e në mrekullitë e të kënduarit polifonik…Xhevati me shokë këndojnë në mënyrë polifonike dhe harmonike këngët epike e lirike…kënga polifonike i ngjan rrapit shekullor…”. 
Nesër do të lexoni:
– Spiro Shetuni, Roland Çene, Hysen Filja, Moikom Zeqo, Çesk Zadeja, A. Paparisto, Shpëtim Kushta, Limos Dizdari, për polifoninë
– Tole: Polifonia shqiptare e ka gjenezën prej sirenave greke dhe është përpunuar në korin antik grek, apo është një fenomen shqiptar?
– A duhet pranuar se polifonia ka karakter antihistorik, sikundër shkruan prof. Tole?
Sigal