Festivali i “Iso-Polifonisë”, “Haxhi Dalipi” në Vlorë, fitojnë Katina Bejleri dhe grupi i Himarës

822
Në datat 20 dhe 21 nëntor, Qendra Kulturore e Veprimtarive Folklorike Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë dhe Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare, me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Iso-Polifonisë si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, mbrojtur nga “UNESCO” organizoi një festival Tipologjik Kombëtar të “Iso-Polifonisë” . Ky Festival u zhvillua në ambientet e teatrit “Petro Marko”, Vlorë. Me këtë veprimtari të suksesshme , “Iso-Polifonia” jonë popullore, kjo dukuri e jashtëzakonshme e të konceptuarit dhe e komunikimit njerëzor u vendos në vendin që meriton, pasi tashmë ajo qëndron krenare në listën e madhe të kryeveprave të botës shpirtërore të njerëzimit”.Kjo listë e kryeveprave në thelb përbëhet nga fenomene dhe shfaqje dukurish të kulturave shpirtërore të popujve të ndryshëm të botës, të cilat qëndrojnë në themel të kulturës njerëzore dhe që dallohen për frymën dhe llojin unikal që ato përfaqësojnë. “Iso-Polifonia” popullore shqiptare u shpall “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESKO, më 25 nëntor të vitit 2005, ndërkohë që data 25 nëntor është gjithashtu një ditë historike për mbarë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve. Në këtë ditë “Iso-Polifonia popullore shqiptare” u fut në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, fakt që u kumtua në të gjitha mediat e botës nga Dr. Koichiro Matscura, Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s, nga selia qendrore e UNESCOs në Paris. Edicioni i 11-të i “iso-Polifonisë që u zhvillua në datat 20 dhe 21 nëntor në qytetin e bukur bregdetar të Vlorës, pati emocione të veçanta. Ky Festival tashmë ka fituar fizionominë e tij, duke sjell gjithmonë risi në netët e zhvilluara. Pjesë e këtij Festivali ambicioz ishin shumë grupe polifonike që vinin nga treva të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht nga ato të Jugut. Në fund të Festivalit u ndanë dhe çmimet, ku vendin e parë e zuri grupi polifonik i Himarës, me në krye këngëtaren e talentuar Katina Bejleri. Mes lotëve të gëzimit, ajo u shpreh se, “është një ditë e veçantë, është një ditë që më lumturoi, pasi, tashmë grupi ynë ka dhe një trofe më shumë, mes kaq e kaq grupeve të shkëlqyera të Polifonisë”. Çmimin e dytë në këtë Festival e mori grupi polifonik me famë “Argjiro” , i qytetit të Gjirokastrës.
Sigal