Fadil Kepi: Vitet e punës në kooperativë, pensioni suplementar për ushtarakët, individët me titullin “Profesor”

3698
Llogaritja e viteve të punës në kooperativë për pension 
Pyetje 
Pensionisti Rahman Selfo nga Vlora në letrën e tij trajton këtë problem. Kam 4 muaj që dola në pension pleqërie dhe sipas librezës së punës, si i vetëpunësuar në bujqësi dhe ditëve të punës të realizuara në ish kooperativën bujqësore, kam 34 vjet e 2 muaj, por sigurimet shoqërore nuk më kanë marrë parasysh 3 vjet që jam vetësiguruar në bujqësi në Përmet dhe 2 vjet (1991-1992) që nuk gjinden borderotë e pagave ku kam punuar. Pyes, si llogariten vitet e punës që kam punuar në ish, kooperativë bujqësore për periudhën 1972-1985 ?
Përgjigje
Për ditët e punës që keni realizuar nga 1 janari i vitit 1972 deri në fund të vitit 1985, për pension llogariten në këtë mënyrë: Vit i plotë pune për pension quhet kur keni bërë 280 ditë pune në një vit kalendarik. Sipas dokumenteve që keni dërguar në gazetën “Telegraf” ju në çdo vit keni realizuar më shumë se 280 ditë pune, por ditët e punës që keni bërë mbi 280, nuk merren parasysh për llogaritjen e pensionit. Për sigurimet si i vetëpunësuar në bujqësi në Përmet ku keni marrë tokë sipas ligjit, quhen periudha pune nga 1 tetori i vitit 1993 deri më 30 prill 2004, pavarësisht se keni banuar në Përmet apo në Vlorë. Nga data 1 maj të vitit 2004 e në vazhdim që keni banuar në Vlorë, sipas vendimit të Qeverisë nr. 551, datë 27 korrik 2016, shumat e paguara si i vetëpunësuar në bujqësi konvertohen në vite pune sikur keni bërë sigurime vullnetare. Për 2 vjet (1991-1992) që keni punuar por nuk gjenden dokumentet që vërtetojnë se keni paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, duhet ti drejtoheni Gjykatës Administrative. Meqenëse nuk jeni bindur me përgjigjen zyrtare të drejtorisë së sigurimeve shoqërore në Vlorë, keni të drejtë t’i bëni kërkesë me shkrim komisionit të ankimit në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Vlorë. Po të mos bindeni me përgjigjen zyrtare që do të merrni mund t’i drejtoheni me ankesë tjetër komisionit epror të ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë dhe së fundi në Gjykatën Administrative.
Përfitimi i pensionit suplementar si ushtarak mbi pensionin e pleqërisë
Pyetje
Lexuesi i gazetës “Telegraf” Rexhep Zela nga Kukësi shkruan: kam punuar ushtarak efektiv 16,5 vjet dhe në vitin 2007 nga KMCAP kam dalë invalid i plotë i grupit të dytë. Pyes, a përfitoj pension suplementar si ushtarak mbi pensionin e pleqërisë dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjek ?
Përgjigje, 
Mbështetur në nenet 17 dhe 18 të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve” përfitojnë të drejtën për pension invaliditeti suplementar në rastet kur janë deklaruar invalid të plotë ose të pjesshëm, sipas ligjit të sigurimeve shoqërore. Pensioni suplementar i invaliditetit llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto mujore për çdo vit (të plotë)por jo më shumë se 50% të pensionit të invaliditetit. Kur ushtarakët bëhen invalidë në krye të detyrës apo për shkak të saj, masa e pensionit suplementar të invaliditetit është 20% e pagës referuese. Sqarime më të hollësishme, mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Kukës.
Mospagimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore nga punëdhënësit
Pyetje
Një nënë nga Burreli shkruan: kam lindur 6 fëmijë. Ditët e fundit plotësova moshën 55 vjeçe e kam punuar 30 vjet e siguruar dhe dorëzova në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore dokumentet për pension të plotë. Mbas disa ditësh punonjësit e sigurimeve shoqërore më njoftojnë se 2 vjet një nga qendrat e punës, nuk më ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe për këtë arsye më kthyen dokumentet e pensionit. Pyes, si duhet të veproj në këtë rast, a kam të drejtë të bëj sigurime vullnetare?
Përgjigje
Nënat që kanë lindur e rritur 6 e më shumë fëmijë mbi moshën 8 vjet, u lind e drejta të dalin në pension të plotë 55 vjeçe e të kenë gjithsej 30 vjet punë të siguruara në vendin tonë. Fillimisht ju duhet të sqaroni me qendrën e punës e cila nuk ju ka siguruar për 2 vjet. Nëse e zgjidhni këtë problem në favorin tuaj, do të dërgoni përsëri dokumentet në sigurimet shoqërore. Në rast të kundërt ju duhet të bëni sigurime vullnetare për aq muaj sa t’ju bëhen 30 vjet punë të siguruara gjithsej. Pensioni si nënë me shumë fëmijë do t’ju filloj nga dita që ju plotësoni 30 vjet punë dhe jo nga dita që keni plotësuar moshën 55 vjeçe. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Peshkopi. 
Llogaritja e viteve të punës për pension të plotë dhe ish kooperativa
Pyetje
Një lexues i gazetës “Telegraf” nga fshati Dorëz i Librazhdit në një bisedë telefonike tha: më 20 shkurt të vitit 2017, bashkëshortja ime plotëson moshën 60 vjeçe dhe ka punuar 35 vjet punë të siguruara nga të cilët 10 vjet në ish kooperativën bujqësore. Pyes, kur e plotëson moshën për pension, sa vite pune i duhen për pension të plotë dhe si llogariten vitet e punës ku është vlerësuar me ditë pune në ish kooperativën bujqësore ?
Përgjigje
Bashkëshortja e plotëson moshën e pensionit 60 vjeçe e 6 muaj, më 20 gusht 2017 dhe për të përfituar pension të plotë shteti i duhen 36 vjet punë të siguruara gjithsej. Vite pune për pension sipas Kodit të Punës quhen kur ajo ka punuar nga mosha 16 vjeçe në ish kooperativë bujqësore sektor shtetëror ose privat Duke filluar nga 1 janari i vitit 1972 e në vazhdim deri në shpërbërjen e ish kooperativave bujqësore vit i plotë pune për pension quhet kur ajo ka realizuar 230 ditë pune në një vit kalendarik, baras me 20 ditë pune në një muaj (230: 12 muaj). Nëse në në vit ka bërë 115 ditë punë i quhet 6 muaj punë për pension. Në një vit tjetër ka realizuar më shumë se 230 ditë punë në një vit kalendarik për shembull 250 ditë pune i quhet përsëri një vit i plotë pune për pension ndërsa 20 ditë pune që ka bërë më shumë se 230 ditë pune nuk i merren parasysh. Ju sugjeroj që para se të plotësoj moshën e pensionit 60 vjeçe e 6 muaj të bëni sigurime vullnetare ose si e vetëpunësuar në bujqësi nëse ka marrë tokë sipas ligjit me qëllim në moshën e pensionit të ketë 36 vjet punë që të përfitoj pension të plotë shteti. Po qe se në moshën 60 vjeçe e 6 muaj do të ketë më pak se 36 vjet punë të siguruara gjithsej do të marrë pension kooperative. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Elbasan. 
Pensioni suplementar për individët me mandat deputeti apo me titullin “Profesor” 
Pyetje
Një punonjës i Qendrës së Studimeve Albanologjike me titullin “Profesor” shkruan: Jam 64 vjeç dhe kam qenë i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë 20 muaj dhe 3 vjet kam qenë Ambasador. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension dhe si llogaritet pensioni suplementar në këtë rast ?
Përgjigje
Sipas nenit 65 të Ligjit të Arsimit të Lartë Nr. 80/2015, datë 22.07.2015,”personeli akademik që mban titullin “Profesor”, shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç (pavarësisht nga gjinia), me përjashtim të rasteve kur me dëshirën e tij largohet nga detyra. Mbështetur në nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai/ajo mund të shërbej në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Për periudhën që ju keni qenë deputet sipas nenit 9 të Ligjit Nr/27/2015 Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 8097, datë 21.3. 1996,”Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, do të përfitoni pension suplementar kur të dilni në pension pleqërie 0,8% të pagës referuese për çdo muaj që keni qenë deputet, pra 20 muaj x 0,8% baras 16%. Për 3 vjet që keni qenë ambasador, pensioni suplementar llogaritet me 1,3% të pagës referuese për çdo vit shërbimi, e barabartë 3 vjet x 1,3% baras 3,9%. Në të njëjtën mënyrë si pensioni suplementar i ambasadorit llogaritet edhe pensioni suplementar për periudhën që punoni me titullin “Profesor”, përcaktuar në Ligjin Nr. 108/2015, datë 15.10.2015, botuar në Fletoren zyrtare 186.
Si bëhet diferenca midis pensionit të shtetit dhe të kooperativës
Pyetje
Një lexues i gazetës “Telegraf” nga Lushnja shkruan: dy prindërit e mi këtë vit plotësojnë moshën për pension, nëna në gusht bëhet 60 vjeçe e 6 muaj dhe babai në dhjetor 65 vjeç. Ata kanë punuar në ish kooperativë bujqësore dhe për periudhat 1 tetor 1993 deri në fund të vitit 2014 kanë bërë sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi mbasi kanë marrë tokë sipas ligjit. Pyes, cilat janë kushtet për të përfituar pension të plotë dhe do të marrin pension shteti apo kooperative?
Përgjigje
Deri më 31 dhjetor të këtij viti, femrat përfitojnë pension të plotë shteti kur plotësojnë moshën 60 vjeçe e 6 muaj dhe meshkujt 65 vjeç dhe secili ka 36 vjet punë të siguruara gjithsej në vendin tonë përfshi dhe kohën që babai juaj ka qenë ushtar e dokumentuar me vërtetimin përkatës. Nga 1 janari i vitit 1972 e në vazhdim vit i plotë pune për pension për femrat që kanë punuar në ish kooperativat bujqësore nga mosha 16 vjeçe e në vazhdim quhet kur ka realizuar 230 ditë punë, ndërsa babait 280 ditë pune në një vit kalendarik. Nëse në një vit nëna ka bërë 115 ditë pune dhe babai 140 ditë pune i quhen përkatësisht nga 6 muaj punë për pension, ndërsa nëse në një vit tjetër nëna ka realizuar 250 ditë pune dhe babai 315 ditë pune për pension i quhen secilit nga një vit pune dhe diferencat për nënën +20 ditë pune (250-230) dhe për babanë + 35 ditë pune (315-280) nuk merren parasysh. Për të marrë pension të plotë shteti secilit nga prindërit i duhen 36 vite pune gjithsej, të siguruara në kooperativë dhe në shtet dhe nga këto gjysmën baras me 18 vjet të kenë bërë sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi, sigurime vullnetare ose të kenë punuar të siguruar në sektor shtetëror ose privat. Po të mos i plotësojnë kushtet e mësipërme kanë të drejtë që para plotësimit të moshës së pensionit secili të bëj sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi, ndryshe përfitojnë pensione kooperative që janë më të ulëta se pensionet e shtetit. Për efekte të llogaritjes së pensionit për periudhën që ata kanë punuar në ish kooperativa bujqësore, bazuar në vendimin e Qeverisë Nr. 929, datë 29.12.2014, botuar në fletoren zyrtare 200, do të llogaritet e njëjtë për të gjithë vendin 1.619 lekë në muaj. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Lushnjë ose në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier ku llogariten pensionet për qarkun e Fierit. 
Sigal