Ermira Babamusta: Rrugëtimi i suksesit i Jeton Kadriut “DJ Dark Child”  

147
Sigal

 Nga Ermira Babamusta, Nju Jork

 

DJ i mirënjohur shqiptar Jeton Kadriu në profesionin e tij njihet me emrin “DJ Dark Child”, ka patur shumë sukses si në bashkëpunime me artistë shqiptarë dhe botërorë me renome, por edhe në këngët e punuara së fundmi në të gjitha platformat muzikore. Lindur në vitin 1991 në Gostivar, Maqedonia Veriore, me prindër Naser (baterist) dhe Nevrije, Jetoni u shpërngul në Zvicër në vitin 2016, ku jeton edhe sot. Shkollimin e lartë e ka kryer në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dega “Gjuha Angleze dhe Letërsi” (2016). Jeton Kadriu, që në moshën 10-vjeçare është marrë me sportin e futobllit deri në moshën 19-vjeçare. Ka luajtur në të gjitha grupmoshat e KF Gostivarit, por pas lëndimit në kurriz e kishte të pamundur të vazhdonte karrierën në këtë fushë si profesionist. Karrierën si DJ, Jeton Kadriu e nisi në fund të vitit 2008. Sot DJ Dark Child është një nga DJ-t më të kërkuar, qoftë në festivale, koncerte apo turne. Ka luajtur krah artistëve botëror si Tyga, The Game, Lloyd Banks, G4SHI, Migos, Wiz Khalifa, Lil Jon, etj. Nga bashkëpunimet me artistët shqiptar, Jeton Kadriu njihet për bashkëpunimin me këngëtarin e mirënjohur, Butrint Imeri, me të cilin ka realizuar turne në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe Europë. Si DJ resident në klubin më të famshëm në Europë, “Rinora4”, Jeton Kadriu ka pushtuar skenat e muzikës dhe zemrën e mijëra adhuruesve. Fama e tij ka bërë jehonë në klubet e muzikës në Gjermani, Austri, Turqi, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Itali, etj.

Intervista me Jeton Kadriun: Të jesh DJ është art në vete

 

Babai juaj Z. Naser Kadriu ka qenë baterist, që e keni luajtur dhe ju si fëmijë. Çfarë kujtimesh të bukura ke nga fëmijëria me babin, dhe muzikën?

 

Jeton Kadriu: Babai im Naseri është një ndër bateristët më të vjetër të qytetit tonë, ndoshta me një karrierë diku 30 vjeçare. Ka diçka interesante që sot e kësaj dite them si nuk ka përtuar sa herë që unë kam dashur të luaj në bateri gjithmonë i ka sjellë nga vendi i punës, i ka montuar dhe çmontuar për mua. Gjë që kërkon shumë punë dhe sjell lodhje fizike. Nuk e di për vete a do e kisha bërë këtë për fëmijën tim. Kam luajtur bateri ndoshta që prej moshës 7 vjeçare. Sepse atëherë kam pasur edhe fuqinë t’i çoj vetë dhe t’i montoj vetë (qesh).

Çfarë mund të na thuash për qytetin e lindjes, Gostivarin? Kur ishte vizita juaj e fundit në vendlindje?

 

Jeton Kadriu: Qyteti i Gostivarit është një qytet i vogël, i bukur, jo se ka shumë gjëra për të bërë po çfarëdo gjëje që të bësh është kënaqësi. Ndonjëherë kur rri mendoj ose shoh foto të vjetra më kujtohet dhe ndonjëherë më mungon, sidomos familja që jetojnë atje pastaj dhe shoqërija e fëmijërisë që disa kanë ngelur atje dhe nuk kanë emigruar jashtë si unë. Hera e fundit kur vizitova Gostivarin ishte në verën e 2020-ës. Po nuk ishte ai lezeti siç jam mësuar me atë vend, shkaktar ishte pandemia dhe shkaku i kufizimeve që kemi patur.

 

Përshtypjet e para kur lëvizët në Zvicër. Çfarë mund të na tregosh për kulturën dhe ambjetimin tuaj me jetën atje?

 

Jeton Kadriu: Para se të shkoja të jetoja në Zvicër, kam qenë dy herë më parë si turist, dhe më ka pëlqyer jashtë mase siç e kam gjetur veten në atë vend. E adhuroj sepse ka rend jete, çdo gjë është në rregull dhe në vendin e vet pa marrë parasysh se për çfarë bëhet fjalë. Unë lëviza në Zvicër në vitin 2016-të, ishte fundi i verës në gusht.

 

Besoj që secili që e lë një vend për të shkuar diku tjetër fillon nga zero dhe është shumë i vështirë fillimisht ambjentimi. Mirëpo unë kam pasur shumë shokë që i kam njohur dhe nuk jam ndjerë shumë i vetmuar. Me kalimin e kohës ata miq u bënë familje për mua, meqë familja ime është në Gostivar. Bëhet fjalë për Ilberin, Kujtimin, Jonnyn, etj, etj, që më kanë ftuar edhe në shtëpitë e veta shumë herë për drekë, për darkë, për grill.

 

Tashme jetoj në Zyrih qytet i cili gjithmonë është “i gjallë” dhe asnjëherë “i vdekur”. Them kështu pasi nuk të bëhet bajat asgjë sepse ka shumë gjëra për të parë dhe për të bërë. Jam me fat që kam një rreth shumë të mirë, dhe jam ambjentuar shumë shpejt. Jam pranuar ashtu siç do doja unë, të më pranojnë ky që jam. Vlen të theksohet që rrethi shoqëror të bën edhe njeri më të mirë, më të integruar e ashtu e kam edhe unë falë Zotit. Ju jam mirënjohës Lilit, DJ Kont, Habibit, Shabit, Metit, etj, etj, që janë si një familje për mua.

 

Tjetër që më pëlqen në Zyrih është se aspak nuk mungon profesioni im – muzika. Ka shumë hapësira për të punuar, për t’u promovuar, per tu rritur gradualisht si artist. Flas sepse vetë m’u ka dhënë mundësia nëpër shumë vende të performoj në Zyrih dhe jashtë tij.

 

Si e kujtoni fillimin e punës tuaj si Dj?

 

Jeton Kadriu: Kam filluar të mësoj njëherë se si shkon kjo gjë, diku nga viti 2008-të pa ndihmën e asnjërit sepse nuk më ka ndihmuar asnjë DJ në fillim. Të gjithë më kanë anashkaluar, më kanë lënë “out of the game” (jashtë loje). Pastaj m’u dha hapësira që të luaj në klub, ka qenë në vitin 2010-të në Intermezzo Club në qytetin tim. Pastaj pas disa vitesh kam patur suport nga DJ lokal, që sot e kësaj dite i falenderoj, përkatësisht Fecky Farris dhe DJ Dark Beat, ky i fundit më ka vënë edhe emrin Dark Child. Prej 2010-tës jam aktiv e deri sot, d.m.th. kam filluar të merrem profesionalisht, dhe i jam kushtuar maksimalisht muzikës dhe karrierës. Pastaj vitet dhe karriera tregojnë vetë se kush jam, ku jam dhe se çfarë kam lënë pas.

 

Puna e DJ është art. Sipas jush çfarë e bën një DJ të suksesshëm?

Jeton Kadriu: Kam thënë gjithmonë që të jesh DJ është art në vete, njësoj si një piktor, skulptor, apo aktor. Ajo që të bën të suksesshëm është të jesh ky që je në fillim, pa dalë nga vetja që t’ju dukesh interesant të tjerëve, apo të dalësh gjoja më i miri. Ky qëndrim do ishte gabim. Pastaj përveç kësaj ka edhe shumë gjëra të tjera, sepse rruga e suksesit nuk kalohet sot për nesër. Mund të theksoj që vijon përkushtimi, vullneti për punë, lufta kundër atyre që duan të të “shkelin” dhe më e rëndësishmja që mendoj unë është se nëse e bën atë që do dhe e bën me pasion e shumë dashuri, patjetër që suksesi do të vijë, herët apo vonë!

 


Rinora 4
 është klubi më i famshëm në Europë. Si ka qenë eksperienca juaj në këtë klub si DJ? 

 

Jeton Kadriu: Ka diçka interesante, kur kam qenë në fillimet e karrierës me shokun tim të ngushtë Lefin e kemi vizituar Rinorën dhe gjithmonë i kam thënë, “ah sikur vetëm një herë të bëj muzikë këtu, të kem një foto, një video”. Gjithmonë më ka pëlqyer ky vend pa ditur se një ditë do të jetë residenca ime. Kush do ma kishte thënë këtë në ate kohë do i thoja ke luajtur mendsh ti (qesh). Po ja sot ja dola mbanë. Për mua është privilegj të jem pjesë e familjes Rinora4 që padyshim ëndërr e çdo artisti apo DJ është të performojë aty. Dhe çdo shqiptar/e që jeton në diasporë një herë në jetë ka qejf që të vijë aty, kush të thotë jo dihet që gënjen (qesh).

 

Cilat janë disa nga vendet qe keni udhëtuar gjatë turneve të muzikës?

 

Jeton Kadriu: Përveç çdo qyteti në Maqedoni dhe Kosovë, gjithashtu kam performuar edhe në Shqipëri, Serbi, Turqi, Gjermani, Austri, Zvicër, dhe Itali.

 

Si ka qenë përvoja juaj krah yjeve botëtore?

Jeton Kadriu: Përveç G4SHI edhe Wizz Khalifa-s vlen të theksohet se me çdo yll i famshëm botëror kam performuar në Lion Club, që ka qenë rezidenca ime në Luzern. Aty kam pasur nderin që ta ndaj skenën me artistët që dikur vetëm i kam luajtur dhe kurrë nuk e kam menduar që do luaj në të njëjtën skenë me ata. E kam kuptuar pastaj se sa “chill” njerëz janë, se sa me këmbë në tokë janë, e kam kuptuar që s’janë ashtu të paprekshëm siç e paramendojmë ne. Kanë qenë të hapur për bisedim, jo se kam folur me të gjithë, por me ata që kam patur mundësinë të kemë një bisedë normale. Ndërsa më vonë e kam kuptuar në fund të fundit muzika na bashkon, s’ka lidhje që ai është artist botëror, e kupton botën artistike të personit tjetër.

 

Cilin bashkëpunim do veçonit në bashkëpunimet e tua me artistët shqiptarë?

 

Jeton Kadriu: Unë kam kontakt dhe shoqëri të mirë gati me çdo artist shqiptar, edhe pse nuk kam punuar me të gjithë, përveç Butrint Imerit me të cilin kam kaluar shumë mirë duke qenë tour DJ i tij për 2 vite.

 

Planet tuaja për vitin 2021? Ku do ju gjeja vera e këtij viti? 

 

Jeton Kadriu: Në fillim dua të vazhdoj këtë që jam duke bërë, DJ dhe remix-a të këngeve anglisht dhe shqip. Po më vonë kam plan të lançoj projekte të mia personale, me bashkëpunime gjithashtu. Vera do më gjejë me siguri në Diamonds Club në Ferizaj, që njëkohësisht është ndër klubet më të mira në Kosovë.