Ermira Babaliu: Çmimi “Tefta Tashko Koço”, vitin e kaluar. “Qytetare Nderi” në Pogradec

1041
Sigal

PERSONAZH/ Ermira Babaliu: E di se çdo të bëj edhe kur të jem 70 vjeç. Vitet janë vetëm numra!

Vitin e kaluar ajo fitoi çmimin “Tefta Tashko Koço”,  ndërsa më parë mori titullin “Qytetare Nderi” në Pogradec. Një këngëtare brilante, por mbi të gjitha një intelektuale e sinqertë, e qetë, e dashur, komunikuese dhe plot mirësi. Ka vite që jeton në SHBA, por mendjen e ka gjithmonë në Pogradecin e magjishëm, ku ajo ka lindur dhe mori mësimet e para për muzikë. Ky qytet ja ka dhënë të gjitha titujt dhe nderet dhe ajo po bën gjithçka që të justifikojë ato çka ja ka dhënë me dashuri qyteti i liqenit të bukur. Kohët e fundit (dhe pse tregon shumë e re) ajo është bërë gjyshe dhe kjo e gëzon pa masë. As i bën përshtypje se vitet ikin, pasi jeta ka rrjedhën e saj, por tashmë i gëzohet nipit si gjënë më të shtrenjtë që i fali familjes së saj zoti. Nuk preferon veshjet firmato, pasi sipas saj çdo veshje që të shkon, që të mbush, është më e mira se çdo firmë me emër. Nuk është egoiste e sëmurë, pro egoiste profesionale, aq sa i duhet çdo këngëtareje për të bërë karrierë të pastër dhe të suksesshme.

   1-Cili ishte koncerti i fundit?

  Koncerti i fundit ka qenë para një jave në Florida tek Albanian American National Organization, një organizatë me një kontribut të çmuar edukativo-patriotik, e cila festonte 68- vjetorin e krijimit të saj. Ishte një aktivitet special, me shumë të ftuar, ku të gjithë u ndjemë mirë. Këndova me shpirt dhe mora duartrokitje që më përcollën shumë emocion. Aktivitete të tilla kanë shumë rëndësi për vetë karakterin e tyre patriotik që kanë shumë rëndësi në jetën e një kombi.

  -Tashmë jeni bërë gjyshe si ndiheni?

E gëzuar,e lumtur, e plotësuar. Kisha kohë që nuk këndoja nëpër shtëpi Landon, nipi, ma riktheu këtë zakon. Është dhurata më e bukur që kam marrë deri tani. Ndjej kudo dashuri pafund. Nipi është bërë pjesa më e bukur e jetës sime, motivi më i lartë shpirtëror. Eci gjithmonë me mendimin se një qenie hyjnore pret këngën time, zërin tim, dorën time, kujdesen time. Vetëm zëri i ëmbël i një fëmije të bën të gëzosh lumturinë e paarrirë.

  -Gjyshe, por me një luk rinor, ndihesh e mërzitur për vitet? Aspak, përkundrazi kam aq shumë ngjarje në jetën time dhe jo vetëm me këngën, sa më duket sikur kam jetuar 100 vjet. Jam koshiente për rrjedhën e jetës. Përjetoj çdo moment të saj në sensin pozitiv. Nuk jam melankolike deh as pesimiste. E dua jetën sipas ligjeve të saj.

Tani më duhet të jetoj gjysmën tjetër, ndërkohë që, e di se çdo të bëj edhe kur të jem 70 vjeç. Vitet janë vetëm numra, shoku im.

  -Ju këngën nuk e shikoni vetëm si profesion fitimi, por dhe si shërbim ndaj komunitetit edhe për bamirësi. Ku konsiston arti juaj? Pra ju shërbeni nëpërmjet këngës, konkretisht ku?

 Unë shërbej kudo që më jepet mundësia apo që më kërkojnë në mënyrë të sinqertë. Marr pjesë në aktivitetet me karakter patriotik, në aktivitete bamirësie, por edhe në ato komerciale. Pra këndoj, punoj, afroj shërbimin tim të sinqertë kudo që më jepet mundësia, apo krijohen mundësitë. Por nuk them se kam bërë mrekullira. Është një pasion i imi, të cilin preferoj të mos e ngatërroj me atë pjesë të atyre që bëjnë mizën buall e bërtasin me vend e pa vend për merita pa vlerë. Unë bëj detyrën time dhe ushtroj profesionin tim në mënyrë sa më korrekte.

  -Cilat janë impenjimet dhe shërbesat qytetare tuaja ndaj qytetit të Pogradecit?

 Kam një projekt të bukur që do të gëzohem shumë kur të përfundojë, projekt privat që nuk ka të bëjë me ndihma e fonde të marra prej diku. Thjesht një ide imja që gjeti mbështetje, e cila është duke u realizuar dhe shpresoj që do t’i shërbejë qytetarisë pogradecare.

 -Çfarë keni marrë më shumë nga qyteti magjik i Lasgushit të madh?

Romantiken, mbase dhe aftësinë të rrëfej nëpërmjet tingullit

 – Kur jeni ndjerë më keq në Pogradec? Po më krenare?

Ne Pogradec jam ndjerë vetëm shumë mirë. Krenare, kur më bënë qytetare nderi. Një obligim, të cilin do ta shlyej se s’bën. I detyrohem shumë qytetit tim që më ka nderuar dhe përkrahur në çdo nismë timen.

 -Jetoni në Amerikë, a mund të krahasohet Pogradeci i thjeshtë me Amerikën e zhurmshme? Cilat janë të veçantat e Pogradecit?

 Në udhëtimet e mia të shpeshta përpiqem të gjej copëza Pogradeci sa herë jam buzë liqeneve të shumta të shtetit ku jetoj. Të veçantat e Pogradecit janë shumë, ajri uji vjeshta-ah vjeshta! E veçanta më e bukur e tij është se aty jeton nëna ime. Është dhe një e veçantë tjetër: kujtimet e fëmijërisë dhe dhimbja e pakorrigjueshme e ndarjes. Kam shumë kujtime në Pogradec,  kjo është e veçanta. Me ‘të më lidh çdo qelizë  e trupit. Sado unë jam larg këto kujtime ma sjellin atë aq afër sa duket se jetoj çdo moment me të.

  -Ku do t’i bëni pushimet verore?

Sapo erdha nga Florida, ku përveç koncerteve, bëmë dhe disa ditë pushime me familjen. Pra ishin dhe pushime të detyruara. Nuk kam kohë dhe vend të përcaktuar për pushimet, çdo gjë varet nga impenjimet e punës.

 -Cili vend i Shqipërisë të pëlqen për plazh, përveç Pogradecit?

Vlora. Ky qytet më duket magjik. Ndoshta është historia e tij që e bën kaq madhështor në sytë e mi. Ai gji fenomenal më bën shumë entuziaste dhe me dëshirë për të ardhur përsëri, ndoshta për të nxjerrë në pah mistiken e këtij qyteti kaq befasues.

 -Pse qëndroni larg politikës?

–         Sepse nuk besoj më, që aktualisht aty ka mjaftueshëm idealizëm sa të sjellë ndryshimin. Fundja ç’i duhet një artist politikës ? Artisti i shërben vetëm atdheut të vet, artit në përgjithësi që e duartrokasin të gjithë. Politika i ndan njerëzit të majtë apo të djathtë. Artisti është i të gjithëve pasi është i atdheut dhe nuk ka preferenca klanore, apo partiake.

–        Çfarë do të lexoni këtë verë?

–         Jam duke lexuar Karen Hughes, këshilltare e presidenti Bush, e cila la karrierën në Shtëpinë e Bardhë dhe u kthye në Teksas të kujdesej për familjen. Gra të tilla janë të rralla dhe kanë shumë admirues. Vallë a ka shumë të tilla sot në botë?

 –        Cili është vendi që keni në plan për të vizituar?

Ai në të cilin do të kem ftesë për koncert.

–        Cila është ngjyra e rrobave që pëlqeni për verë?

 Jeshilja, e verdha e ndezur

 –        Cili është ushqimi i preferuar gjatë verës po frutat?

Peshku, sallatat dhe sallata e frutave

–        Cila është pija e preferuar gjatë verës?

 Ujë me limon.

–         A e duroni dot vapën?

–        Jo, aspak. Vapa më bën të kufizoj lëvizjet.

–        Më mirë në verë apo në dimër?

–         Më pëlqen dimri, por më shumë vjeshta. Ne këtu e kemi shumë të bukur vjeshtën.

–        Në këtë stinë të pëlqen të udhëtosh me aeroplan apo me makinë?

–        Sikur të më lejonte koha, do të udhëtoja vetëm me makinë.

–        A i keni për zemër udhëtimet vetëm?

–        Po, e kam pasur zakon që e vogël që gjatë udhëtimeve bëja plane. Atëherë s’më bënte përshtypje udhëtimi i çdo natyre.

 –         Sa është koha më e gjatë që mund të rrini larg shtëpisë, a e keni problem qëndrimin larg saj?

 …Më ka qëlluar të rri edhe 6 muaj larg shtëpisë, por në përgjithësi 3-4 ditë largohem së fundi. Kur vij në Atdhe shpenzoj dy muaj. Nuk është problem të qëndroj larg, ndërkohë që, mezi pres të kthehem! Më merr malli për të gjithë, edhe për lulet.

–         Në mbrëmje të pëlqen të shoqërohesh me mikesha apo me të familjes?

Më pëlqen të shpenzoj kohë me familjen në mbrëmje. Gjej relaks të plotë dhe energji për të nesërmen.

–        Çfarë sporti ushtroni në plazh?

Notoj. Më pëlqen të kridhem në ujë, të ndjej rrymën e tij dhe freskinë që të sjell. Uji të jep relaks dhe energji pozitive.

–         Sa kohë qëndroni në diell?

–         Jo më shumë se 1 orë.

–         Kur zgjoheni në mëngjes?

 –         Në orën tetë e shumta. E kam kthyer gati në një rit zgjimin në këtë orë.

–        Cili është ushqimi i mëngjesit?

Kafeja dhe vetëm kafeja. Jam lidhur përfundimisht me erën dhe shijen e saj të mrekullueshme.

–         Sa kohë zgjasin pushimet e verës?

–        Nuk mund të bëj dot më shumë se një javë pushim, por shkojmë 2-3 herë në vit diku. Zgjatja brenda një muaji më kthehet në monotoni.

–        Po turizmin malor a e frekuentoni?

–         Këtu ku jam, jo. Për shumë arsye. Por edhe ky lloj turizmi apo pushimi është pjesë e jetës sime sado e pakët.

 –        Të pëlqen më shumë uji i kripur apo i ëmbël?

–        Nuk i ndaj dot. Secili ka të veçantat dhe karakteristikat e tij.

–        Në shëtitje ecni me këpucë apo me sandale?

–        Ka raste dhe zbathur, varet nga vendi. P.sh në rërë eci zbathur, kur jemi në plazh.

–        Kur është ora më e vështirë në verë?

–        Mbasditja është koha më pa produktivitet për mua. Shumë herë mbyllem në shtëpi.

–        Para se të flini çfarë bëni?

–         Lexoj, dëgjoj muzikë. Këto janë preferencat e mia në këto orë.

–         -A e ndërroni stilin e jetës në verë?

–        Jo. Kam një mënyrë jetese që më ka dhënë qetësi shpirtërore. As që kam menduar ta ndërroj.

–        Bashkëshorti të përshtatet në kërkesa apo të imponohet?

–         I përshtatemi njëri -tjetrit. Na u bënë shumë vjet bashkë dhe tashmë ja dimë huqet njëri- tjetrit dhe thuajse kemi preferenca të njëjta.

 – A i frekuentoni lëvizjet me jaht?

Po, kur kemi mundësi. Çdo lloj lëvizjeje ka të veçantat e veta. Mirë është të shijoj çdo gjë sadopak qoftë. Flasim për gjëra që të jenë vetëm në sensin pozitiv.

 -Në plazh dëgjoni muzikë, lexoni apo luani në ujë?

Dëgjoj muzikë, notoj. Më parë lexoja, tani jo.

-Cilat janë rrobat e plazhit dhe syzet e preferuara?

Nuk e vras mendjen për firmato. Përdor çdo gjë që më shkon dhe më shijon. Ka gjëra të thjeshta që më rinë më bukur se çdo firmato.

 -Cilat janë planet e së ardhmes?

 Kam disa. Tani për tani nuk dua t’i bëj prezente.

-A keni ndonjë peng?

 Pamundësinë për të qenë afër nënës në këto vite të fundit të saj.