Erjona Rusi: Ju rrëfej sekretet e mia…

3420
Sigal

Erjona Rusi, është një nga gazetaret e njohura dhe këtë sezon e kemi parë në ekranin e Report TV si moderatore e emisionit të mëngjesit “Rreze dielli” si dhe spikere e lajmeve  në edicionin qendror. Erjona në një intervistë për gazetën “Telegraf” flet për herë të parë, se si nisi rrugëtimi i saj në gazetari. Ajo nuk e cilëson veten as të bukur apo seksi, por një vajzë simpatike e ekranit. Gjithashtu Erjona flet për marrëdhëniet që ka me partnerin e saj në emision Alban Musa si dhe marrëdhëniet krejt të veçanta që ka me vajzën e saj, Nikin.

Erjona, si ka nisur rrugëtimi juaj në gazetari?

Të them të drejtën, edhe pse nuk e kam thënë ndonjëherë, pra po e them përherë të parë unë nuk kam dashur të bëhesha gazetare. Kur isha fëmijë, prindërit e mi më thonë se unë kam pasur sisa dëshira vërtet të çuditshme, p.sh që e vogël doja të bëhesha e famshme dhe pastaj duke u rritur, diku aty nga gjimnazi doja të bëhesha aktore. Mbaj mend që kam bërë madje edhe një kurs për regjisore me të madhen Drita Pelingu dhe ëndërroja të futesha në Akademinë e Arteve, por më pas ndërrova drejtim papritur. Në atë moshë sigurisht që ndikohesh shumë nga figura, të cilat i parapëlqen. Kështu ndodhi edhe me mua, dikush nga njerëzit e mi të afërt, të cilin e admiroja më bindi mua se që të bëhesha aktore duhet të isha përmbushja ca kritere të pamjes së jashtme, si e bukur, e gjatë, seksi etj., etj., (qesh) dhe unë aso kohe nuk isha, as e bukur, as e gjatë dhe as seksi. Kështu në mendjen e adoleshentes Erjona nisi të ngrejë folenë ideja se mund të mos bëhesha aktore por gazetarinë qëe kisha deri diku qejf ta shihja me interes. Në fakt jam futur deri diku rastësisht në gazetari, sepse kur mbarova gjimnazin dhe do hidhesha në universitet konkurrova në tri fakultete; për juridik, shkenca sociale dhe gazetari dhe unë fitova gazetarinë.

Sipas Erjonës ku dallon një gazetare terreni me atë të ekranit?

Në fakt, gazetaria e terrenit është e dashur, por kur ke mundësi ta bësh siç duhet. Unë më vonë kalova tek “TV A 1” i dikurshëm dhe çfarë më ndodhi mua? Unë personalisht gjatë praktikës së lajmit të ditës flas për lajmet nga bota, u dashurova me profesionin. Kam punuar në sektorë të ndryshëm. Unë fillova të bëj gazetaren e politikës së brendshme kur më caktuan të bëj lajmet e politikës e ditës, edhe pse duhet ta pranoj, u zhgënjeva shumë, pasi ne prisnim jashtë Kryesisë së Kuvendit me orë të tëra. Dhe çfarë ndodhte, dilnin deputetët dhe i fusnin ndonjë batutë, madje edhe talleshin me ne të shkretët që prisnim për një prononcim. Por fati im i mirë deshi që të mos e bëja për shumë kohë gazetaren e politikës, sepse unë u ktheva sërish me lajmet e botës. Gjithmonë më ka pëlqyer shumë ky sektor, se më dukej sikur e shëtisja unë gjithë botën me lajmet që bëja . Por më pas pata mundësi të bëja dhe një herë gazetarinë e terrenit por këtë radhë për Agjenci prestigjioze ku më është dhënë mundësia e kam bërë gazetari të mirëfilltë terreni, ku ti ke mundësi të hulumuntosh, të gjesh dokumente, të vërtetosh një zgjidhje të një problemi social, të marrësh intervistë persona me peshë në jetën sociale, akademike, politike apo financiare. Duhet ta pranoj, për mua kjo është edhe gazetaria e mirëfilltë.

 Këtë sezon ju kemi parë në Report TV me emisioni: “Rreze dielli”,pse ky emër?

Që të jem e sinqertë emrin nuk e kemi vendosur ne, ky emision ka kohë që bëhet në Report TV. Thjesht nisi sezoni i ri me dy prezantues të rinj, me mua dhe Alban Musën. Në një farë mënyre u riformatua emisioni “Rreze dielli” në kuptimin që, gjëja e parë që lind është rrezja e diellit kur ne shohim rrezen e diellit kuptojmë që ka lindur një ditë e re, duke qenë që jemi emision mëngjesi kemi kapur pikërisht dritën, jetën vetë, shumë rreze dielli.

Si është të punosh me Alban Musën në krah?

Unë nuk e kisha provuar ndonjëherë të bashkë drejtoja një emision. Kam bërë emisione por kam qenë gjithmonë vetëm dhe kjo ishte hera e parë. Me thënë të drejtën e shihja në fillim me skepticizëm, deri edhe me frikë, a do merrem vesh, mos zihemi, se dihet që dy shqiptarë mezi bëhen bashkë. Tani mund ta them me plot gojën se ndjehem jashtëzakonisht mirë. Albani ka humor edhe mua më pëlqejnë shumë njerëzit që kanë humor. Albani është dhe aktor me profesion dhe, kur zihemi ne zihemi bukur. Ma pranon humorin edhe ia pranoj humorin. Intelektualist ne shkojmë në harmoni. Më pëlqen që çdo gjë ne e përgatitim bashkë.

Erjona si ndjeheni ju si spikere lajmesh dhe si moderatore, pasi mendoj se janë dy gjëra të ndryshme me njëra tjetrën?

Jo vetëm që janë dy gjëra të ndryshme, por unë jam gjendur vazhdimisht brenda një dileme të madhe dhe nuk di çdo bëj deri në sezonin tjetër, pasi ma kanë thënë dhe shumë njerëz të mi të afërm e që marrin vesh shumë nga televizioni se mes profesionit dhe dëshirës janë dy Erjona që edhe pse në fakt janë dy gjëra të ndryshme ato ia kanë arritur të bashkëpunojnë dhe ta ndihmojnë njëra-tjetrën. Lajmet janë shumë serioze, kanë format goxha serioz dhe ka njerëz që më thonë se unë jam shumë e prirë për të dhënë lajmet, pasi kam diksionin e mirë etj., por ka një gjë që mua më pëlqen shumë tek ky emisioni i mëngjesit dhe më shijon vërtet shumë, sepse më lejon të jem shumë e lirshme. Tek “Rreze dielli” nuk më duhet të konturohem, sepse në lajme duhet të jesh shumë e kujdesshme, të jesh fort brenda kornizave, p.sh s’mund të qeshësh në mes të lajmeve. Në fakt unë jam ende në dilemë, se çfarë do të ndodhë me mua në sezonin e ardhshëm, sepse janë dy formate krejt të ndryshme dhe për mua intensiteti i punës si moderatore është pak i lodhshëm, por nga ana tjetër edhe lajmet janë të bukura, sidomos transmetimi live me ngjarje është shumë e bukur, ka dhe të dhuron emocione shumë të forta.

Cili është problemi më madh i gazetarisë sot në Shqipëri ?

Kjo pyetje në fakt kërkon një analizë të madhe e të thelluar, por unë do mundohem të jap dy tre gjëra. Si një njeri i ekranit e që gjërat i shoh nga një optikë e brendshme jam e mendimit edhe pse e dhimbshme në ekranet tona po  futen e dalin lloj lloj njerëzish jo të formuar për sektorin e medias. Nuk mund të futesh qoftë dhe për moderim lajmesh kur je një njeri që nuk ke begraundin e nevojshëm në fushën e gazetarisë. Për mua ky është gabim shumë i madh që e has në shumë televizione e te shumë drejtues. Pra, një vajzë apo një djalë mund të jetë shumë i zoti në të folur apo mund të jetë dhe shumë bukurosh, por kjo nuk e bën ata gazetarë apo moderatorë lajmesh. Që të mund të jesh moderator lajmesh duhet shkollim, praktikë, talent dhe shumë punë, përvojë. Jo më kot nëpër televizionet më të mira apo në rrjetet më të mëdha si në CNN apo BBC nuk mund të marrësh e të vendosësh në ekran kë të duash. Në Amerikë apo Evropë ai apo ajo që bën prezantuesin e lajmeve ka më parë nja 30 vjet në terren. S’mund të futesh e të japësh lajme kur nuk di të bësh një kronikë, aq më keq pastaj, në formatet që janë 24 orë me lajme ku transmetimin live e ke kryesor, s’mund të futësh njerëz që nuk dinë se çfarë është lajmi. Ja ky është gabimi më i madh i gazetarisë sot në Shqipëri, gjithmonë, për mendimin tim.

Eriona mama, cili është raporti juaj me vajzën?

Hë! Unë e ndjej dhe e mendoj se vajzës i kam hyrë shumë në hak, sepse nuk kaloj shumë kohë me të për shkak të profesionit që kemi. Puna është stresuese. Ka shumë momente që e kap veten në gabim shumë të madh! Kur shkoj unë në shtëpi jam e lodhur dhe më duhet të qetësohem, ndërkohë që vajza do të me tregojë ndonjë gjë dhe unë i them: “Të lutem më lër pak të mbyll sytë, sepse kam nevojë të qetësohem”. Darka është ajo që na mbledh dhe ajo me të drejtë do që të më tregojë ngjarjet e ditës ato që i kanë ndodhur me shoqet apo i ka ndodhur diçka. Jo gjithnjë bëj atë do doja të bëja. Në fakt nuk jam tolerante, e stresuar nga puna, unë jam nevrike dhe goca ma thotë: Ti mami je shumë nevrike, sepse i bërtas për ndonjë gjë. Por ajo dhe unë jemi me fat, po kemi fatin e madh, se babai i vajzës është fantastik në këtë drejtim. Ai loz shumë me të, më përfshin dhe mua sepse ai ka humor dhe ka kompensuar bukur në atë pjesën që më mungon mua. Unë jam ajo mami e ngurtë që edhe bërtet ndonjë herë dhe për ca gjëra që mund edhe t’i kaloja. Me thënë të drejtën nuk e toleroj fare, ndërsa ai është krejt ndryshe. Ndonjëherë nuk e dalloj kush është i vogli prej tyre dhe më vjen mirë për këtë raport që ata kanë.

Erjona kush është ajo pika juaj e dobët që ju ndryshon komplet dhe thua, mos këtu s’po e njoh veten?

Dy mund të jenë gjërat që më ndryshojnë komplet; një kur jam duke kërcyer, kur jam ne club unë dashuroj të kërcej, sidomos disa rryma të caktuara p.sh ato latinet i kam fiksim, kërcimin grek, ato popullore. Varet dhe nga gjendja shpirtërore. Shpërthej në kuptimin e mirë të fjalës dhe as s’më bëhet vonë se kush është rreth e rrotull, se kush po më sheh, madje madje, nëse jam aq mirë kërcej dhe vetëm fare dhe s’më bëhet vonë fare. Dhe tjetra është kam një lloj entuziazmi të paparë kur shkoj në shumë vende të botë kur dal për turizëm jashtë Shqipërie.

Si nis dhe mbaron dita e Erjona Rrusit?

Dita nis me një vrap të paparë, sepse gjithmonë zgjohem me vonesë, edhe pse zilja bie që në gjashtë e gjysmë. Zgjohem diku nga ora shtatë pa dhjetë, sepse jam gjumashe e madhe. Më pas është ai vrapi i mëngjesit; goca duhet të bëhet gati, pra jemi të tre për t’u bërë gati e madje ka raste që dhe zihemi ndonjëherë. Shpejtë ma liro banjën se do laj dhëmbët njëri, do lahem thotë tjetri, pra me një vrap të paparë për të ardhur në punë. Sigurisht nuk fillon kurrë dita pa pirë kafen e mëngjesit me Alban Musën dhe pastaj është emisioni. Pas emisionit përgatitet dhe dita e nesërme dhe pastaj diku nga dreka kam nja dy orë kohë për të pushuar pak e me pas më duhet të marr pjesë në edicionin qendror të lajmeve. Vetëm darka na mbledh në shtëpi, ose kur mblidhemi për kafe pasdite, ose ndonjë teatër. Mbrëmjen zakonisht më pëlqen ta kaloj në shtëpi ku ne të tre darkojmë bashkë. Ja kështu edhe e mbyll ditën Erjona.

Era Cela