Erdha zemër, prit se po t’kallxoj!

763
Nga Ramazan ÇEKA
Show i “Mjeshtrit të Madh” shkodran, humoristit Sandër Ruçi në Teatrin “Migjeni”
Pas ditëve të nxehta të një vere që do të mbahet mend për temperaturat e larta, sikur është bërë traditë që në Shkodër të rifillojë jeta e pasur artistike dhe kjo falë organizimeve të lavdërueshme të Bashkisë së qytetit, por veçanërisht të drejtuesve të Teatrit “Migjeni”. Themi se në një farë mënyre është bërë traditë, për arsye se vitet e fundit shtatori sjell veprimtari të ndryshme artistike, kulturore që natyrisht mirëpriten gjithmonë nga spektatori shkodran. Kështu ndodhi me aktorin “Mjeshtrin e Madh” Paulin Preka që u ngjit në skenë në një moshë të thyer dhe u mirëprit nga bashkëqytetarët e tij sikur të ishte në vitet e tij më rinore. Kështu ndodhi edhe këtë shtator me “Mjeshtrin e Madh” Sandër Ruçi, i cili ka 12 vite që jeton në SHBA dhe që këtë verë i thirri nga larg Shkodrës së tij “Erdha zemër, prit se po t’kallxoj”. Kjo thirrje që tregon dashurinë e madhe të tij për qytetin e lindjes ishte, jo vetëm titulli i spektaklit, por edhe lajtmotivi i tij. Ai u rikthye në Shkodër jo vetëm për ta vizituar e për t’u çmallur me të afërmit, me shoqërinë e me kolegët, por edhe për të treguar se talenti i tij nuk ka shteruar, përkundrazi me një buqetë skeçesh, parodish, monologësh humoristike dhe satirike u ngjit në skenën e Teatrit “Migjeni”, duke sjellë një performancë që edhe nga ana regjisoriale kishte risi. Në këtë tempull të artit shkodran, Sandër Ruç bëri bashkë emra të mëdhenj të humorit, këngëtarë të vjetër e të rinj, duke siguruar kështu për dy netë me radhë një sukses të jashtëzakonshëm. Brilante duhet të themi se ishte e gjithë shfaqja, por momentet që nuk harrohen lehtë janë ato me partneren e vjetër “Mjeshtren e Madhe” Zyliha Miloti, sidomos në skeçin “Kthimi i Mëhillit” që në të vërtetë ka përmasat e një komedie, si dhe repertori i pasur me këngë të bukura shkodrane, duke filluar nga “Mjeshtri i madh” Bujar Qamili, i cili për herë të parë interpretoi në këtë skenë dy këngë të reja, “Je e bukur Shkodra jeme” me tekst të autorit të këtij shkrimi, kompozuar nga Zef Vokrri dhe orkestruar nga maestro Artion Qamili dhe duetin “Rrak-tak” me këngëtarin e suksesshëm Mateus Frroku, me tekst të Filloreta Racit (Fifi) dhe muzikë të Kledi Bahitit. Rrjedhën e suksesit shfaqja e vazhdoi edhe me emra të tjerë të njohur të këngës shkodrane si: Bert Naraçi, i cili së bashku me Sandrin, me kitarën e tyre të preferuar, performuan në mënyrë të shkëlqyer duke i lënë radhën më pas këngëtarëve të rinj; Klodiana Vata, Riad Bashli, Niki Mjeda dhe Ketlin Pjalmi. Atmosferën e kësaj shfaqjeje Shkodra e përjetoi rreth një muaj më parë, kur mediet lokale publikuan kthimin në Shkodër të “Mjeshtrit të Madh” Sandër Ruçi, i cili kishte kohë që përgatitej për t’i dhuruar qytetit të vet, artdashësve të mrekullueshëm shkodranë këtë show që është i treti i këtij lloji për të, por i nënti në karrierë dhe mund të themi pa ndrojtje që ishte një arritje në rradhë të parë personale, pasi ai është autori i materialit letrar, regjisori dhe aktori brilant që natyrisht ishte edhe boshti i shfaqjes. Sandër Ruçi është një aktor dhe krijues që me karakterin e tij, zhdërvjelltësinë, sigurinë aktoriale e mbi të gjitha talentin e tij ka një marrëdhënie komunikimi të habitshme dhe të pakrahasueshme me një tjetër, me publikun. Ai i bën për vete, i elektrizon dhe si të thuash, entuziazmon, e çon në këmbë edhe spektatorin më indiferent. Salla për aq orë e minuta që zgjati shfaqja, shpërtheu me duartrokitje dhe ovacione të shoqëruara me të qeshura të çiltra, ku mund të shprehemi shkodrançe “Kam qesh me lot. Gjatë spektaklit Sandri kishte gërshetuar edhe disa projektime përmes një ekrani të madh që pasqyronin fragmente dhe kuriozitete nga jeta e njerëzve të ndryshëm që janë kushtuar artit dhe skenës. Shfaqja u dha me shumë sukses për dy net me radhë, ku përveç përkushtimit dhe pjesëmarrjes së drejtoreshës së këtij teatri znj.Rita Gjeka, në radhët e spektatorëve ishte prezent edhe Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës znj.Voltana Ademi dhe themi se Sandri korri një sukses të jashtëzakonshëm, pasi si i thonë fjalës, një pjesë e dashamirësve që nuk arritën të merrnin biletë, u shprehën me shpresë se shfaqja e Sandrit do të jepej përsëri. Këtë do ia lëmë të ardhmes. Show “Erdha zemër, prit se po t’kallxoj!” u mundësua nga Bashkia Shkodër dhe Teatri “Migjeni”. “Mjeshtri i Madh” Sandër Ruçi premtoi, se do të jetë i pranishëm në jetën artistike e kulturore të Shkodrës dhe duhet pranuar se rikthimi në skenë pas disa viteve mungesë, ka qenë një sukses i vërtetë. Me këtë rast edhe ne i urojmë “Mjeshtrit të Madh” Sandër Ruçi suksese në karrierën e tij artistike, duke e falënderuar për punën e palodhur dhe përkushtimin e madh që tregon herë pas here për publikun e mrekullueshëm shkodran, duke dhuruar humor brilant e bashkëkohor me nivel të lartë artistik.
Sigal