Enver CAKAJ/ Të këndosh me trion e Skraparit…

922
Sigal

Tri këngëtaret, vijnë nga trekëndëshi, Strenec, Strorë dhe Çorotat, këndojnë me një melodi, po secila ka veçorinë e saj

Këngëtaret, që i kemi personazh të këtij shkrimi, janë të një moshe. Nuk e kanë provuar atë ndrydhje që kishin gratë skraparllie dikur, por edhe këtyre u kanë hedhur ndonjë fjalë, kur kanë arritur në moshën e tyre. Mbase u kanë ndaluar shumë dëshira, po këngën nuk ua kanë ndaluar dot. Kënga është vetë një mburojë që s’pranon tutelë. Nuk e kemi fjalën për ato që tralarisen gjithë ditën, po për këngën e traditës skraparase. Kënga e grave të Skraparit ka një farë ngjasimi me një pjesë të fshatrave të Përmetit dhe Gramshit, por në Skrapar është zonjë e vendit. Tri këngëtaret, që kemi zgjedhur këtë herë vijnë nga trekëndëshi, Strenec, Strorë dhe Çorotat. Secila ka kënduar për hesap të vetë, por festivalet i bashkuan në një. Edhe pse të tria këndojnë me një melodi, secila ka veçorinë e saj.

PA JA THUAJ DHE NJË HERË, MOJ DASHURI!

 Truallin e kishte të ngritur, sepse Dangëllia, pranë së cilës është Streneci, ishte themeli i këngës polifonike, që të duket sikur i kanë dhënë ose marrë njëra-tjetrës. Dashuri Hysaj, që tani është e njohur në gjithë vendin, të duket sikur është vetë një këngë e bukur. E vërteta është se gratë skraparllie nuk janë shquar për këngë. Jo se nuk donin e se nuk dinin, por zakonet poshtëruese ua kishin zënë derën e këngës. Ato vetëm duhej të dëgjonin duke përgjuar nëpër dritaret e shtëpive, siç përgjonin nënat në netët e ftohta për të pritur partizanët në luftë. Edhe kaq lehtë nuk ishte, që Dashuria të ikte pas këngës, por ajo e gjeti vetë çelësin që hapte atë derë, ku ishte mbyllur në shekuj kënga e tyre. Përse ajo vajzë aq pasionante të mos dilte skenave dhe ekraneve me këngët e saj?

E filloi këngën që kur filloi shkollën. Këndonte për qefin e saj dhe kjo iu bë zakon. Ata që e shikonin vinin veshin dhe e dëgjonin. Kur kishte festa ajo zgjidhej e para për të kënduar. Kënga e grave sikur po zinte vendin e saj. Do të bëhej një festival zonal. Drejtori i shkollës e thirri veças e i tha: “Pa ja thuaj dhe një herë këngës, moj Dashuri!” Dhe ajo nuk nguroi ta shpërndante zërin e saj në gjithë oborrin e shkollës. Aty nisi udhën kënga e saj. Nuk shkoi në shkolla muzike,e donte këngën të lirë,pa lalelule. Çuditërisht ajo nuk ka marrë pjesë në festivalet folklorike kombëtare,po këngën nuk e ka lënë të flerë. Kënga i përket popullit. Heshturazi ja merrte nëpër dasma, heshturazi në çdo sebep derisa kënga iu bë pjesë e jetës. Pas saj mësoi të këndonte dhe djali, Kujtim Meçani. Dhe ja merrnin bashkë kudo që ishin. Dhe një ditë, krejt befas, ajo na u shfaq në ekranet e televizioneve shumë këndshëm. Pyetën shumë, sepse në jetën familjare kishin ndodhur ndryshime dhe na u shfaq me mbiemrin Hysaj. Një ditë më thoshte një miku im: “More ç’është ajo femër, që këndon për Skraparin dhe na mahniti me atë këngë e bukuri?” Ajo ishte larguar nga Skrapari, por këngën dhe Skraparin i kishte marrë me vete.

Krejtësisht pa u njohur edhe pse ishim nga një anë,u takuam në një lokal të Tiranës. Si do të njiheshim?Ajo më tha se do të vij me tim shoq duke kënduar ultazi. Mua më dukej sikur këndonte edhe kur fliste ajo femër. Nga e kishte psonisur atë zë? Të tjerët kanë pëlqyer këngën dhe bukurinë e saj, por unë zbulova bukurinë e shpirtit të saj. Njeriu nuk mund të këndojë me inat. Dashuria nuk mund të rrijë pa kënduar e pa na treguar bukurinë e shpirtit. Kjo e bën këngën e saj më magjike. Ajo flet me këngë, po nja dy fjalë na i tha: “Edhe kur laj enët unë këndoj, se më duket puna më e lehtë. Mbase bezdis dhe burrin e fëmijët, po nuk mund të rri pa kënduar”. Ajo as mendon, as flet kurrë për ndonjë vlerësim shtetëror. Por ku ka vlerësim më të mirë se ai që i bën populli çdo ditë? Edhe aty ishte gati t’ja merrte këngës. Ne nuk e morëm vesh, por ajo këndonte së brendshmi. Të lumtë, moj dashuri Hysaj, që u bërë përfaqësuese e këngës së grave skraparllie dhe e mban gjallë atë!

VAJZA NGA FSHATI I KËNGËS

Nuk e dimë, ja falën këngën ata bilbila të fshatit Strorë të Skraparit, apo ua “grabiti” Teuta Skrapari? Ajo nuk e harron xhaxha Ceken, që tok me këngën dridhte dhe mustaqet. Ishte një brez këngëtarësh, që i dhanë emër fshatit të tyre. Ndonëse ata nuk jetojnë më, kënga mbeti tek brezi që lanë. Më e dëgjuara është Teuta Skrapati. Edhe pse ajo na thotë, se riskun tënd nuk ta merr njeri, ua mori riskun atyre këngëtarëve të famshëm të Strorës. Xhevahir Hyskua, Kadri Hyskua, Iljaz Hyskua, Belul Hyskua, Alo Hyskua, e kishin ndezur këngën vendçe të Skraparit, që u dëgjua në të gjithë festivalet kombëtare. Teuta i bëri një ndryshim këngës së grave skraparllie dhe e shpuri cep më cep të Shqipërisë.

Dëshirën e kishte të vazhdonte ndonjë shkollë muzike, por jeta të nxjerr të tjera probleme. E megjithatë, ajo e filloi shkollën e muzikës në Elbasan, por e la në mes. Ajo na dha një përgjigje të çuditshme: “E lashë shkollën, se kisha frikë mos mbetesha pa martuar!” Ne nuk e ngacmuam, por me siguri dikush e ka detyruar që të linte shkollën e të niste jetën familjare. Mbase ka qenë një detyrim i pashmangshëm. Mirëpo ajo, me atë martesë të shpejtuar, humbi shkollën dhe burrin. Ajo pjesë e jetesës së përbashkët tregoi, se nuk e kishin gjetur si duhet njëri-tjetrin. U nda nga bashkëshorti, por jo nga kënga. S’mund të humbiste kënga që i kishte rrënjët tek ai fshat i mbushur me këngëtarë. Ka një ngjashmëri me Dashuri Hysajns. Ajo këndonte kur lante enët,Teuta këndonte nëpër shtëpi. Sa herë i pati folur e ëma, Lumja, sepse nuk i ngjanin me këngët e xhaxha Ceke Koçit, por ajo nuk e ndaloi këngën derisa e bëri zonjë të saj.

Teuta Skrapari tani e ka ngjitur këngën kala më kala. Ajo nuk para flet, por nuk është qibare. Më shumë flet kënga e saj. Kush e dëgjoi këngën “Dy mbretëreshat shqiptare” dhe nuk kërkoi përsëritjen e saj. I ka mbushur gjashtë vidioklipe dhe vazhdon të mbushë të tjera. Ajo nuk ka dëshirë ta njohin vend e pa vend, sepse, siç na thotë, “Këngëtari dhe boksieri njihen në ring”. Po të jeni kureshtarë shkoni në ring e dëgjoni këngën e bukur “Mandili”. Atë pasion të saj, që e ka kthyer në këngë, e kanë vlerësuar me çmime e tituj nderi. Në Festivalin e Beratit ajo mori çmimin e parë me këngën “Ç’bubullin pas malit-o”. Kurse Ministria e Kulturës e ka vlerësuar me një titull nderi. Por ajo quan nder më të madh atë që i jep çdo ditë populli.

Gjithmonë këngë e paç jetën, moj mbesa e Osojës!

VAJZA E FESTIVALEVE

Skrapari donte këngën e tij të traditës. Mbi atë truall le të ngjizeshin melodi e këngë të tjera, por jo lalëlule. Nuk i mohon kush, por nuk duam që të spostojnë themelin e këngës, që ishte pronë e skraparllinjve. Rruhije Hysko, që banonte në mes të maleve të Tomoricës, e kishte nisur heshturazi këngën , që në Çorrotatin e saj. Atëherë qarkullonte një brigadë kulturore e sportive nëpër të gjitha fshatrat që jepte programe gjithfarëshe. Atëherë nuk kishte as radio,as televizor dhe e argëtonin popullin me këto forma. Rruhija nuk u nda prej tyre, edhe pse vajzat kishin ca mure përpara. Vite më pas ajo zbriti në Çorovodë e krijoi familje me të ndjerin Shyqyri Hysko. Në qytet ndryshonte jeta,sepse kishte specialistë dhe institucione kulturore,me të cilët kishte dëshirë të bashkëpunonte. Por zëri i saj kishte zbritur në Çorovodë para se të vinte ajo. Nuk kërkoi ajo të futej në grupin e këngës skraparllie, por e kërkuan.

Nuk ishte kaq e lehtë të merreshe me këngë sa në fshat, sepse kishte ngarkesa të tjera. Tani ishte me burrë, me fëmijë, por dhe në punë. Por Rruhija i mposhtte me këngë të gjitha pengesat. Kënga të jep forca, të jep dhe nam. Ajo nuk i kishte menduar vlerësimet që mund t’i vinin, i mjaftonin ato duartrokitje e përqafime nga populli i thjeshtë. Ato ditë kishte zbritur nga Vërzhezha një shoqja e saj, Natasha Çeço, që deri ato çaste e kishte mbajtur këngën në fshatin e saj. Kishin një zë,një pamje,një dëshirë: Të këndonin për popullin. Të dyja i ranë Shqipërisë qoshe më qoshe dhe kënduan 68 këngë. Nuk mungoi në asnjë festival folklorik kombëtar veç atij të 2009. Kishte harruar këngën,apo e kishin harruar? Kurrsesi nuk do të ndodhte kjo,por një fatkeqësi ja ndaloi këngën asaj femre, që e kishte pjesë të trupit. I vdiq burri! Kjo i shkaktoi humbjen e burrit dhe të këngës. Ndonëse e shikojmë çdo ditë me një mandil të zi, ajo këndon së brendshmi. Nuk i del më zëri, por i vijnë e i mblidhen ato këngë që ka kënduar një jetë të tërë dhe ia zbehin atë dhimbje të dyfishtë. Nuk e harron as ajo,as ata që e dëgjuan këngën për Arben Zylyftarin në Berat. U ngrit i gjithë spektatori në këmbë dhe e përqafuan. Skrapari i ka qejf këngët e luftës dhe kur dëgjuan vargjet e kënduara prej saj: “Pesë shtatori, ditë behari,/Zbriti liria nga mali,” nënat e Skraparit, shamizeza e zemërbardha, e shkelën protokollin e programit dhe vajtën në skenë dhe e përqafuan pa mbaruar këngën! Rruhija nuk është vetëm këngëtare, e bukur, por dhe shpirt-njeriu. Kur ishte në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe shkuan në një fshat për të bujtur, një nënë i propozoi ta merrte nuse për djalin e saj! Por Rruhija atëherë e kishte burrin dhe tre fëmijët. Kur e kujton tani atë nënë, që mbeti me fjalë në gojë, i vjen keq.

Jo, Rruhija nuk rri pa kënduar. Ka shumë mënyra për ta bashkuar dhimbjen me këngën. Ajo jeton me këngët e saj. S’mund ta harrojë atë ditë me dimër të rëndë, që tok me shoqet, mori pjesë në “Sofrën dibrane” në vitin 2001. Gjashtë ditë duke kënduar, ku mori një diplomë si vlerësim. Por ajo kaloi kufijtë e vendit dhe mori pjesë në Festivalin Kombëtar të Shoqërisë Ansambleve Kulturore Artistike në Kaçanik. Edhe atje u vlerësua me një diplomë. Në shtëpi ajo mban dy medalje “Naim Frashëri”, që i ka marrë nëpër festivalet folklorike të vendit. Rruhija me Natashën kanë kënduar edhe për figurat e rrethit të Skraparit. Demir Zykua këndoi një jetë të tërë për Skraparin, 30 vjet më pas këto dy këngëtare kënduan për Demirin. Por këngën nga kanë marrë shumë urime ishte ajo për Ilir Metën. Mjafton të përmendim dy vargjet e saj: “Mençuria jote, si burim i malit,/ Fol,o Ilir Meta, djali i Skraparit!”

Është e vërtetë se Rruhija ka dhimbje dhe dert, që nuk e ka në krah bashkëshortin e saj,po këngën nuk e ka humbur. Edhe pse me dhimbje ajo është vetë një këngë e bukur. Paç gjithmonë shëndet e durim, moj Rruhije e Çorrotatit!