Ekrem Kryeziu: Kur takoi Tinka Kurtin, Ndrek Lucën dhe regjisorin Serafin Fanko, ai u emocionua

653
Sigal

Ekrem Kryeziu: Nuk do ia falja vetes për tërë jetën, në qoftë se fëmijët e mi nuk do e shohin shfaqjen e teatrit “Migjeni” të Shkodrës

Për njerëzit tanë të artit e të kulturës, emri i Ekrem Kryeziut ishte i njohur. Ka qenë një dëshirë e hershme e imja që ta takoja këtë.  Rasti e solli që kjo dëshirë u plotësua, në ato ditë, kur ne ndodheshim në Kosovë.

Ishim në Klinë për të dhënë shfaqje. Përpara se të fillonte ajo, po qëndroja te sheshi përpara shtëpisë së kulturës, së bashku me drejtorin e teatrit të Gjakovës, Gani Jetishin.

Pak para nesh ndalet një makinë,  nga e cila zbret një burrë me trup mesatar, rreth 35-40 vjeç, me dy fëmijë, dhe drejtohet nga ne. Nga fotografia që kisha parë dikur, e njoha menjëherë. Ganiu nuk e zgjati:

– Ky është Ekrem Kryeziu – më tha.

– E dallova menjëherë – i thashë aty për aty – po  më vjen mirë që po njihem me të, por nuk po më pëlqen pse zgjodhi Klinën për të parë shfaqjen tonë, kur dihet se skena këtu është shumë e vogël dhe pa mjetet e duhura teknike.

Ganiu nuk pati kohë të fliste, sepse Ekremi na u afrua  me të shpejtë dhe, me intuitën e njeriut të mprehtë, me që më pa me drejtorin e teatrit të Gjakovës, e mori me mend  që unë isha homologu i tij shkodran.

– Gëzohem që po takohem me ju – më tha me një përzemërsi të tillë, që më largoi çdo emocion që të krijon njohja e parë me një njeri, me të cilin ke pritur prej kohësh të njihesh.

U vura në pozitë disi të vështirë. Por ngrohtësia me të cilën shkëmbyem fjalët e para, më hapi shtegun që t’i drejtohem:

– Nuk më vjen mirë që keni ardhur këtu të shihni shfaqjen tonë – i them pak si prerë, por gjithsesi me përzemërsi.

– Pse?! – më pyeti menjëherë e duke buzëqeshur. E vura re se e kuptoi fjalën time.

– Sepse pas disa  ditësh do ta japim shfaqjen në Prishtinë  dhe atje kushtet janë krejt të tjera. Ta shihni shfaqjen tonë  si duhet, pastaj të gjykoni për të, si specialist që jeni.

Qeshi. Më futi krahun me përzemërsi dhe lëvizëm pak nga vendi. M’u duk vetja se ishim miq të vjetër.

– Ke të drejtë – më tha  me një ton si më serioz. – Do të vi ta shoh shfaqjen  edhe në skenën e Prishtinës, së bashku me gruan. Por, siç e shikon, këtu kam sjellw fëmijët. Në Prishtinë është e vështirë të sigurohen bileta për ta. Por unë nuk ia fal vetes për tërë jetën, në qoftë se fëmijët e mi nuk e shohin shfaqjen e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Heshta për një çast. Si nuk e mendova vetë këtë, kur e pashë me fëmijët?!

– Keni të drejtë – i thashë pas pak. I hodha një vështrim admirues, iu afrova fëmijëve të tij, dy djemve, Shkumbinit e Milotit, dhe i përkëdhela.

Gjatë shfaqjes ai filloi të shpreh lehtë, si nën zë, opinionin e tij.

– Bukur, shumë bukur! – përsëriste herë pas here pas ndonjë batute të goditur, pas ndonjë detaji të gjetur regjisorial, apo pas ndonjë momenti ku spikaste interpretimi i aktorëve.

Në pushimet midis akteve bisedonim për aktorët. I njihte pothuajse të gjithë: Tinkën, Ndrekën, Lecin, Bepin, Ymerin, Ndrekë Prelen, Viktor Bruçetin, e të tjerë, po ashtu autorin Fadil Kraja dhe regjisorin Serafin Fanko. Por nuk njihte p.sh.Enver Hysenin, që luante rolin e Selimit.

– Këta të tjerët i njoh, i vlerësoj shumë, por po më pëlqen tepër Selimi  –  dhe u interesua të dijë më shumë për të.

– Po më kujtohet një thënie e Shilerit –  më tha pasi i fola për aktorin e ri  Enver Hyseni – “Për aktorët e mirë nuk ka role të këqija”. Më pëlqeu ky vlerësim, ndonëse i njohur.

Kur mbaroi shfaqja, prita se çfarë do të më thojë. M’u drejtua, duke më zgjatur dorën, i emocionuar dhe entuziast:

–        Është nderë e kënaqësi të jesh drejtor i këtij teatri! – më tha.

Nuk kisha marrë ndonjëherë urim më të bukur. Ishte më shumë se urim. Kishte në këtë shprehje vlerësim, respekt, dashamirësi dhe përgjegjësi…

Drama “Epoka para gjyqit” na kishte lënë mbresa. Takimi me të po ashtu. Që atëherë i lidhnim këto të dyja: dramën dhe autorin e saj, pa e ditur se do të lidheshin më shumë, kur pas ngjarjeve të mars-prillit 1981, Ekrem Kryeziu do të arrestohej nga serbomëdhenjtë dhe do të dilte përpara gjyqit të tyre. 

 “Epoka para gjyqit” – thosha me vete dhe futesha në mendime. Historia përsëritet. Kosova, ashtu si Shqipëria në kohën e Abdyl Frashërit e Sulejman Vokshit, po dilte para gjyqit të pushtuesve. Më kumbonin në veshë fjalët e fundit të Sulejman Vokshit,  me të cilat mbyllet drama: “Edhe tri jetë po t’i kisha, të trija do t’i kaloja duke luftuar për Atdheun tim…”

Dhe ja tashti, vetë  Ekremi para gjyqit. Si do të qëndronte?… 

Nuk është e lehtë të shkruash në një vepër artistike për figura  të njohura historike, siç ishin Abdyl Frashëri dhe Sulejman Vokshi, dhe t’i bësh ato të pëlqyeshme për të tjerët. Kjo nuk është vetëm mjeshtri,  por më shumë se kaq. Për sa i përket realizimit artistik, Ekrem Kryeziu duhej përgëzuar. Këtë e tregoi koha dhe vlerësimi i shikuesve të shumtë të kësaj drame në Kosovë e në Shqipëri.

Por autori në krijime të figurave të tilla ka edhe përgjegjësi. Po t’i ndodhi atij një situatë e ngjashme me heroin e veprës së tij, çfarë qëndrimi do të mbante?  

Këto mendoja shpesh, gjatë ditëve kur në shtypin tonë shkruhej për arrestimin e tij nga serbët.   Kur mora vesh nga shtypi e televizioni ynë se qëndrimi i tij në gjyq kishte qenë i rreptë, burrëror e krenar, duke demaskuar pa frikë padrejtësitë ndaj popullit shqiptar në Kosovë, më lindi dëshira që edhe këtë moment ta quaja “Epoka para gjyqit” .

Jo rastësisht, atë natë, kur gjyqi serb e kishte dënuar me 8 vjet burg, pasi e  dëgjuam këtë  në emisionin qendror të lajmeve të TVSH-së, pamë në televizionin shqiptar dramën “Epoka para gjyqit”.  

Po! Për Kosovën dhe bijtë e saj  kishte filluar një  epokë e re, vendimtare