“E hënë në Detroit”, krijimtari e artë e shkrimtares Diana Gëllçi

726
Nga Vepror Hasani
Ishte një nga ditët e mia pa motiv, krejt bosh, pa dituar çfarë të bëj, e zbrazët, që s’mbushet me asgjë edhe sikur të përpiqesh. Hyra në librari, kot, krejt kot, si për t’i shpëtuar mërzisë sime, pa asnjë shpresë, i sigurt që nuk do t’i shpëtoja zbrazëtisë që më kishte kapluar. “Dua një libër!”, – i thashë librashitëses. “Çfarë libri?”- më pyeti ajo. “Një libër që lexohet me qejf, që të bën shoqëri kur ndihesh keq”. Kot e thashë edhe atë fjali; kështu thuhet përgjithësisht për librat, para se t’i blesh, sepse kur i shfleton ka raste që prapë mbetesh bosh, madje as që kisha ndërmend të blija ndonjë libër. Sot nuk lexon askush, sepse të gjithë shkruajnë. “Do t’ju jap librin me tregime të Diana Gëllçit, më tha ajo, duke e hequr nga rafti. “E hënë në Detroit”, e ke lexuar? – më pyeti, duke ma zgjatur. E mora. Diana Gëllçi ishte një emër i njohur. Kishte shkruar poezi dhe tregime që kur ishte në shkollë të mesme, ndoshta edhe më parë. “Është një krijimtari e artë, e vërtetë” – më tha librashitësja kur po dilja. Nuk arrita t’i kthej përgjigje. Vazhdoja të isha i hutuar. 
Pëllumbat e “Huntington Banks”
Mbërrita në shtëpi. Nisa të shfletoj librin “E hënë në Detroit”, shpresoja të gjeja diçka të bukur, jo për lekët që pagova, por për t’i dhënë jetë ditës që më kishte pushtuar me kotësi. Shpesh në ditë të tilla përfundoja në pijetore. Edhe prej andej dilja i trishtuar më shumë nga ç’kisha qenë. Për ditë të tilla nuk ka ilaç. Nisa të lexoja pa ndonjë qejf të madh, thjesht sa për t’i hedhur një sy, me mendimin për ta lexuar një ditë tjetër, që do të thoshte se nuk do ta lexoja kurrë. Personazhi i tregimit “Gjoba e pëllumbave” m’u bë shok, ishte i sinqertë, i besueshëm, i vërtetë , fliste rrjedhshëm, rrëfente bukur, pa zbukurime, nuk gënjente, tregonte shpirtin e vërtetë njerëzor, që e bënin mjaft tërheqës. Kalova në faqen tjetër, pastaj te tjetra e te tjetra. Ishte një vajzë e re, nuk më kujtohet përse studionte. E ndiqte vazhdimisht një lloj mërzie, nuk gjente dot punë, sherre në shtëpi që nuk po punësohej dot. Ajo sherret i quante “valvula të stresit”, por poshtë thënies së saj lexohej edhe brenga e veshur me mërzi. Nuk e përcaktoja dot ç’lloj mërzie ishte, sepse e tregonte bukur, por unë i gjeta një shpjegim: Ishte ajo mërzi që të quhet kur je i mërzitur, ngaqë edhe pse është mërzi të jep një kënaqësi të habitshme; fillon e qetësohesh, duke menduar se kështu u ndodh edhe të tjerëve, askush nuk u shpëton ditëve të trishtuara. 
E harrova trishtimin tim 
Edhe ditët e studentes rridhnin monotonshëm: Pa lekë në xhep, gjëra të njëjta, profesori po ai që kishte qenë semestrin e parë, e njëjta veshje, me të njëjtat syze, madje edhe me atë objektin katërkëndësh që e mban prej kohësh në xhepin e majtë të pantallonave. Të mërzitshëm ishin edhe kandidatët e saj për martesë, madje ata dukeshin edhe më të mërzitshëm, ngaqë ishin gjithnjë të gëzuar. Vetëm pëllumbat e sheshit tek ndërtesa “Huntington Banks”, i jepnin paqe, por atje nuk të linin të qëndroje me makinë më shumë se dy minuta. Dhe ajo shkonte atje, merrte gjobën, sepse kishte qëndruar më tepër nga sa lejohej, madje ajo qëndronte para sheshit edhe kur pëllumbat kishin fluturuar diku tjetër dhe nuk ishin aty…
“Bashkëjetesa” 
Do t’ju rrëfej edhe një tregim tjetër për ata që nuk e kanë lexuar librin, sepse unë e di, që ju tashmë po e kuptoni që bëhet fjalë për një krijimtari të vërtetë dhe prisni të mësoni më shumë për jetën e personazheve, se njerëzit e tjerrin vetë pjesën tjetër të gjërave, mjafton t’ua ngacmosh pakës fantazinë. I tillë është edhe tregimi “Bashkëjetesa”. Autorja Diana Gëllçi e ka ditur mirë se çfarë kërshërie do të ngjallte tek lexuesit e saj, mjaft që libri të ishte në dorën e tyre. Rrëfimi flet për dy bashkëshortë shqiptarë. Kishin emigruar në Amerikë si familje bashkë me katër fëmijët e vegjël; më i madhi katër vjeç, më i vogli disa muajsh. Burri i saj natën punonte në minierë, në mesditë lante pjatat në një restorant. Vinte i lodhur dhe ikte i lodhur, njësoj si një qenie ireale. Gruaja e tij rri në shtëpi, që prej shumë kohësh nuk ka shkuar asgjëkund, sheh vetëm televizor. Edhe ditët e tjera nuk do të jenë më të mira për të; televizori i është mërzitur. Fëmijët bëjnë vetëm zhurmë, luajnë në dhomë e kthejnë përmbys gjithçka. E vetmja gjë e veçantë në atë ndërtesë ku banon ajo, është doktori që jeton një kat më poshtë. Ai është i pamartuar, njeri i dashur, i sjellshëm, pjesën më të madhe e kalon jashtë, por gruaja e ndjen hapin e tij, kur ai ikën dhe vjen. Sa herë që fëmijët bëjnë zhurmë, i detyron të shkojnë te doktori dhe t’i kërkojnë të falur. Pastaj i pyet: “Si i thatë doktorit? Po ai çfarë u tha? A e mori vesh që u dërgova unë? Fëmijët i tregojnë gjithçka, por ajo duket sikur kërkon të kuptojë shumë më shumë nga ato që i thonë fëmijët e saj. Si vijon me tej? Eh, është mrekulli të lexosh Diana Gëllçin.
“E hënë në Detroit”
Librashitësja kishte pasur të drejtë kur më tha: “Është një krijimtari e artë!” Jo rrallë u kthehem pasazheve që më pëlqejnë më shumë, ua lexoj miqve të mi; shpesh më thonë: “Është libër filozofik”. Tashmë unë e di, ju që jeni duke lexuar këtë shkrim, doni të dini si është një përshkrim në origjinal i shkrimtares Diana Gëllçi dhe jo i treguar nga të tjerët. Do t’jua heq këtë kureshtje, por sërish do të mbeteni në kërshërinë tuaj, sepse nuk mundem t’ju tregoj gjithçka deri në fund; as lejen e autores nuk e kam për këtë gjë. Për ju po përzgjedh tregimin “E hënë në Detroit”, rrëfimi nis kështu:

“I dashur D!
Dita e sotme s’pati asgjë të veçantë. Në mëngjes u zgjova përsëri me një ëndërr të çuditshme, që si gjithmonë më shpie tek rruga e Elbasanit, por që s’më kujtohet pothuajse kurrë. U zgjova ndërsa dikush, me një ton intrigues, po më thoshte: “This si the first day of the rest of your life! (Kjo është dita e parë për pjesën tjetër të jetës suaj). Një çast mbajta frymën… Po flisja anglisht në ëndërr?! Po kjo qenkësh vërtet e madhe! Dhe vetëm pas disa sekondash i shkoqita edhe një herë me mend fjalët e fundit. Aman, profeci e madhe! Sigurisht që kjo do të jetë dita e parë e pjesës së pasderidjeshme të jetës, pse, si mund të ishte ndryshe. Vetëm provim të mos ishte… Uh, po që të ishte vërtet ditë provimi?! U ngrita me vrap… Pastaj mora vesh se një vajzë 20-vjeçare nga shteti i Xhorxhias kishte fituar njërën nga lotaritë më të mëdha në historinë e Amerikës. Tjetër: Çmimi i gazit është rritur edhe tre cent më shumë. Dhe … ah! Duke pritur të hyja në autostradë, vure re se…” 
Nuk mund të tregoj gjithçka deri në fund.
“Xhelozia”
Nuk e di pse kam dëshirën t’ju rrëfej edhe një tregim të fundit, ndoshta ngaqë kënaqësinë e dhuruar prej librit, dua ta ndaj me të gjithë. Nuk ndodh edhe me ju kështu? Pas leximit të një libri të bukur, nuk kini dashur t’ia tregoni dikujt tjetri? Kështu po ndodh edhe me mua, ndaj nuk do të rri pa ju rrëfyer edhe një copëz të vogël nga tregimi “Xhelozia”, kuptohet me fjalët e mia, sepse ashtu siç është shkruar nga Diana Gëllçi mund ta lexoni vetëm te libri i shkruar prej saj. Bëhet fjalë për dy bashkëshortë të divorcuar. Ata kishin kohë që ishin ndarë nga njëri-tjetri. Gruaja jetonte në një shtëpi me qira bashkë me vajzën, kurse burri në një apartament, por gruas së tij herë-herë i hipte një ndjenjë e tërbuar për të marrë vesh se ç’bënte ish-burri i saj, që dukej sikur s’kishte ndërmend të martohej. Kur ndodhte që të zotët e shtëpisë me qira bënin ndonjë rregullim në shtëpinë e tyre, e bija i kërkonte të atit që të flinin për disa ditë në apartamentin e tij. Ai ua lironte banesën, por vetë ikte diku tjetër. Ish-burri i saj jetonte në një apartament të thjeshtë, të qetë, intim, me libra të shumtë, disqe, kaseta, sepse i pëlqente të dëgjonte muzikë. Ndodhi që një ditë shkuan sërish në apartamentin e tij. Me të hyrë në apartamentin e tij këqyri gjithçka me kujdes. Më pas, ish-gruas i pëlqeu të bënte një dush në apartamentin e tij por kur po lahej vuri re se vaska ishte mbushur me ca fije të gjata flokësh të kuqe. “Plehrë!” shau me vete të shoqin. Deri ku shkonte xhelozia e saj, çfarë ndodhi më pas me të etj, kini gjithë mundësinë ta zbuloni vetë te libri “E hënë në Detroit”, është vërtet një krijimtari e mrekullueshme që ta bën jetën më të bukur.
Sigal