Dje në orën 21:00, u mbyll Panairi i 17 i Librit “Tirana 2014”

508
Sigal

Në Panairin e 17 të Librit u ndanë katër çmime, ku u vlerësuan Kadare, Petro Zheji, Arben Dedja, Alina Karaulli

Shtëpitë Botuese “Toena”, “Pegi”, “Morava”, “ArgetA-LMG”, “Bota Shqiptare”, më të vizituarat

Dje në orën 20:00, u mbyll Panairi i 17 i Librit, një veprimtari e gjerë e librit shqip që u zhvillua në datat 12-16 nëntor 2014. Ky Panair përbën një ngjarje të rëndësishme për gjithë lexuesin shqiptar. Në Panairin e 17 të Librit  morën pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë, dhe organizata të tjera që punojnë me librin. Gjatë pesë ditëve të zhvillimit të Panairit, ishte një kohë e bukur e cila krijoi kushte për një pjesëmarrje të gjerë. Mund ët themi se në këtë hark kohor Panairin e vizituan mbi 200 mijë fansa të librit çka përbën një numër të konsiderueshëm. Ky aktivitet organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptar dhe është Panairi i 17 që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës. Për herë të parë ky aktivitet madhor është zhvilluar në vitin 1998. Ndoshta është një nga organizimet më efikase për vetë faktin  se nga viti në vit vjen duke shënuar rezultate në rritje si sasiore edhe cilësore.

Si gjithnjë, ky Panair, në gjithë hapësirën shqiptare, është ngjarja më e madhe kulturore në pasqyrimin e veprimtarisë librore. Risia e këtij Panairi ishte se do ju dedikua 200-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar Jeronim de Rada.  Për çdo ditë “Telegraf” ka dhënë informacion për zhvillimin e këtij aktiviteti të madh duke njohur lexuesin për të gjitha zhvillimet e reja të përditshme. Në fund të Panairit, ashtu siç ju kemi vënë në dijeni u ndanë dhe çmimet, për ët cilat ka pasur shumë kontestime.

 Ja cilat kanë qenë shtëpitë botuese më të vizituara në panair

Shtëpia Botuese “Morava”

Në këto 17 vjet shtëpia botuese “Morava” ka marrë pjesë në 13 panaire. Për ky ishte Panairi më i rëndësishëm jo vetëm për sasinë e titujve, por edhe për cilësinë e tyre. Librat më të shitur të “Morava” kanë qenë ata me tema historike, triller dhe romanet psikologjik. Romani i ditëve të fundit “Treni i Jetimëve” është në krye të klasifikimit botëror për numrin e lexuesve. Ndër romanet më të shitur dhe më të kërkuar në treg janë “Pallati i dimrit”, “Perandoresha e natës”, “Të katër motrat mbretëresha” dhe “Zotëria i jetimëve” që flet për Korenë e Veriut. Por në Panair hodhëm në treg 10 tituj të rinj ndërsa në stendën tonë kishte më shumë se 150 tituj.

 Shtëpia Botuese “ArgetA-LMG”

 Shtëpia botuese “ArgetA-LMG” erdhi në panairin e 17-të të librit me kryeveprat e letërsisë botërore si : “Panairi i kotësive” i Ulliam Theker, botim i plotë i “Novela” të Stefan Cvajg, botim i plotë “Novela & Tregime” të Anton Çehovit , “Lirika & Poema” të Sergej Esenin , “Kostandinopoja” me autor Edmondo De Amiçis dhe një botim enkas për Panairin e Librit “Femrat” e Çarl Bukovskit.

Nga autorë shqiptarë në këtë panair prezantohet me tre botimet e tij të librave të shahut, nga mjeshtri i shahut Edmond Bushi. Një tjetër autor shqiptarë vjen me dy botime enkas për panairin e librit, Nuri Plaku me titujt “Ekologjia e Kulturës” dhe ” Bibla e udhëve të mia”.

 Shtëpia Botuese “Toena”

Panairi i Librit Tirana 2014, konsiderohet nga ne si një stacion i bukur dhe i rëndësishëm i punës sonë botuese dhe promovuese.

Toena erdhi këtë vit me shumë tituj të rinj, mbi 120 të tillë, shumë prej të cilëve u promovuan për herë të parë në stendën e saj në këtë Panair.

Ishte një Panair i suksesshëm pasi Toena ka pasur një numër rekord vizitorësh dhe blerësish.

 Shtëpia Botuese “Pegi”

 Në këtë panair erdhi me 100 tituj të rinj ku në stendë ishin mbi 1100 tituj. Veçojmë librat “Natë e ditë”, “Ema”, “Ema”.

Librat e rinj në këtë Panair:

“Natë e ditë” nga Virginia Woolf

” Ema” nga Jane Austen.

” Ema” nga Kami Garcia dhe Margaret Stohl.

 Shtëpia Botuese “Bota shqiptare”

Në këtë Panair “Bota shqiptare” erdhi me mbi 40 tituj të rinj. “Bota Shqiptare”, është ndër shtëpitë e para botuese shqiptare me një jetë 22- vjeçare. Aktualisht është një ndër shtëpitë botuese më cilësore, me mbi 1500 tituj dhe 8 Nobelistë të përkthyer dhe të botuar në shqip. Në të tëra Panairet e Librit, ajo është cilësuar ndër shtëpitë botuese më korrekte, cilësore, ku vizitorët qëndrojnë për minuta të tëra për të parë titujt e shumtë të librave. Adresa Bulevardi “Gjergj Fishta”, kulla nr. 2

 *************************************

 ÇMIMET e Panairit Tirana 2014

 Juria, e përbërë nga Virgjil Muçi (kryetar), Persida Asllani, Nasi Lera, Alfred Lela dhe Beti Njuma shpallën fituesit  e Panairit Tirana 2014, si më poshtë me motivacionet përkatëse:

– Çmimi i mirënjohjes: Petro Zhejit me motivacionin:
“Për korpusin e jashtëzakonshëm të kryeveprave të letërsisë botërore të sjella nga një sërë autorësh, nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave e të gjitha vendeve. Për monumentin që i ka ngritur gjuhës shqipe duke e barazngritur në gjuhën e kulturave të qytetërimeve më të mëdha të njerëzimit.”

– Çmimi për përkthyesin më të mirë: Alina Karaulli për librin “Xhejn Er” me motivacionin:
“Për gjuhën dhe ligjërimin e rrjedhshëm me të cilin ka sjellë në gjuhën shqipe një nga veprat më të spikatura dhe themeltare të romanit botëror. Sjellësja në shqip e këtij libri ka dëshmuar se është një pasuese e denjë e një brezi të shquar përkthyesish.”

– Çmimi për autorin e vitit: Arben Dedja për librin “Histori ekskatologjike” me motivacionin:
“Për prozën e ngjeshur me detaje pikante, stil tërheqës, gjuhë të rrjedhshme e të pasur, si edhe një rrëfim i jetës së diktaturës përmes një sensi të hollë humori, që i shoqëron personazhet në situatat groteske. Ky libër është një arritje për autorin, por edhe për prozën e shkurtër shqipe.”

– Çmimi special “Jeronim De Rada” iu dha autorit Ismail Kadare.

Kryetari i jurisë Virgjil Muçi sqaroi se, Shoqata e Botuesve propozoi, ndër të tjera, dhënien e çmimit për ‘Librin më të mirë për fëmijë’, por, nisur nga fakti që kjo kategori këtë vit pati ‘një zbaticë thuajse të plotë’, juria i propozoi Shoqatës dhënien e “Çmimit të Mirënjohjes”.

 Albert Z. ZHOLI