Denisa Onjea: Jam ndjerë krenare përpara Shqipe Zanit, Kastriot Tushës, Edit Mihalit

703
Ajo është një vajzë që së largu rrëzëllen mirësi me buzëqeshjen e përhershme në buzë dhe fytyrë. Simpatike dhe krenare për çka bën. Ashtu e njohin të gjithë miq, shokë të afërm dhe pedagogë. Një vajzë që shpërndan mirësi dhe dëlirësi. Nuk e mundon aspak “verbëria”, pasi ajo me punë, me studime, me korrektësi, me disiplinë mposht çdo pengesë dhe del triumfatore. Kurrsesi nuk do të nxjerrë në pak një mangësi fizike, përkundrazi, është dhe kërkon barazi dhe del mbi kohën me idetë, vizionin dhe kërkesat ndaj vetes, që kurrsesi nuk i sheh tek shumica e bashkëmoshatareve. Biseda me të më impresionoi dhe pse tashmë në profesion kam me mijëra intervista. Impresioni im është pasi ajo flet qetë, bukur, me një artikulim befasues, me një logjikë prej të rrituri dhe të një intelektualeje të formuar për të ecur denjësisht në jetë. Fitorja në ”TU SI QUE VALES” nuk ishte e rastësishme, por tejet e merituar. Një vajzë labe, që këndon bukur polifoninë, por po aq bukur dhe këngën lirike. Kjo është me pak Fjalë Denisa Onjea, vajza që na bëri të lotojmë me performancën dhe zërin e saj magjik 
-Ju që në fëmijëri keni nisur të merreni me muzikë, si ishte ky kontakt me muzikën, ishte një ndjesi brenda vetes, apo ishte një shtysë e prindërve?
Që në moshë të vogël e kujtoj që këndonim bashkë me prindërit të tre. Edhe prindërit e mi e pëlqejnë muzikën dhe këndonim bashkë me ta. Ata kuptuan se unë ndjeja ritmin, muzikën, melodinë dhe në moshën katër vjeçare prindërit më blenë një organo të cilën unë e pata në shtëpi dhe ajo kishte disa orkestrale të vogla të regjistruara të cilat unë i ndiqja duke kënduar. Në klasën e parë fillova studimet në Institutin e të verbërve në Tiranë dhe fillova të studioj edhe piano që prej asaj kohe. Pastaj mora pianon në shtëpi dhe fillova të mësoj muzikën, notat . Mbarova 8 vjet për piano. Ahere kuptova që kisha dëshirë më shumë të këndoja se sa të luaja në instrument, fillova liceun për kanto dhe atje u binda më shumë se kisha talent.
-Pasi studiuat 8 vjet piano, si vendosët të konkurronit në lice për kanto?
E vendosa vetë dhe prindërit u habitën. Ishte edhe mësuesja e pianos që më thoshte që ti mund të jesh një këngëtare shumë e mirë . Dhe unë prandaj vendosa të konkurroj në lice.
-Çfarë pjese interpretuat në ditën e konkurrimit dhe kush ishte në juri dhe çfarë vlerësimi morët?
Në juri ishin të gjithë pedagogët e liceut si Alma Strazimiri etj. Unë interpretova disa pjesë të huaja dhe një pjesë shqiptare. Mbaj mend që mësuese Irida Spahiu (mësuesja ime e kantos që kemi një bashkëpunim të shkëlqyer) më ka qëndruar pranë dhe më shtynte drejt një besimi të sigurt. Ajo ka bërë një punë të madhe me mua se nuk kishte eksperiencë me ne. Dua të përmend edhe mësuese Desdemona Horieti që e kam pasur në 8-vjeçare e cila më ka mësuar muzikë. Për më tej mësuese Xhovana Dako mbetet e pazëvendësueshme (e kam pasur në fakultet).
-Gjatë kësaj kohe që ju keni qenë në Lice, a keni marrë pjesë në aktivitete, po muzikën popullore a e ke lëvruar?
Muzika popullore më ka pëlqyer gjithmonë, kryesisht polifonia dhe përpara 2 vitesh në bashkëpunim me një grup të këngës polifonike kemi realizuar një album me disa këngë shumë të veçanta (me 10 këngë). Këto 10 këngë ishin polifonike ku disa ishin të krijuara nga vetë unë. Kryesisht këto këngë ishin të krijuara nga babai im dhe nga Lefter Çipa. Unë kam qenë në rolin e këngëtares, pra të marrëses.
-Po në Akademinë e Arteve çfarë kënge interpretove përpara jurisë dhe çfarë vlerësimi more?
Kemi interpretuar një program më të vështirë, kemi interpretuar ushtrime të stilit antik, pjesë shqiptare dhe pjesë të huaja. Në juri ishin profesoreshë Shqipe Zani,Kastriot Tusha,Edit Mihali, Marjana Leka që ishte kryetare e komisionit dhe mësuesja ime Xhovana e cila rrinte pas derës dhe priste që të konkurroja unë. Vlerësimi ishte me pikë dhe ishte vlerësim maksimal. Nuk më bënë kritikë në konkurrim.
Ju jeni soprano apo mezosoprano?
Unë jam soprano. Ky është timbri i zërit tim. 
– A mendoni se ky profesion është më afër dëshirës tënde sot, a mendoni se gjeni vetveten në këtë gjini të këngës?
N.q.s ne përpiqemi që të bëjmë art të vërtet, ne jemi ata që e bëjmë dhe ne do të jemi ata që do ta popullarizojmë atë. Unë jam shumë optimiste për këtë, dhe rrugët më të bukura janë ato më të vështirat.
-A mendoni se do ta gjeni vetveten në Shqipëri?
Po, shpresoj që po, sepse secili nga ne ka dëshirë të punojë gjithçka është e realizueshme.
-Keni menduar për konkurrime jashtë atdheut?
Pse jo, dua ta provoj veten kudo që të mundem ,por dua të krijoj një bazament këtu.
-A mendoni se populli shqiptar ka hyrë në një rrugë të pëlqimit të operës?
Populli shqiptar me hapa të ngadaltë ka filluar të ndajë muzikën e vërtetë nga ajo që nuk është shumë e vërtetë. Por, opera, nuk është kthyer akoma në kulturën shqiptare. 
-Si mendoni për shkollat shqiptare të muzikës lirike?
Në shkollën tonë lirike kemi vokale të bukura dhe talente ka nga çdo lloj kategorie, por mendoj se ka shumë për t’iu bërë. Nuk duhet të studiohet vetëm këngë lirike, ku në vendete tjera studiohet xhaz, bluz, kantri , muzikë popullore e mirëfilltë. Këtu nuk studiohet asnjë lloj muzike përveç asaj lirike.
-Ku ndjeheni më mirë, kur këndoni këngë polifonike apo këngë të muzikës së lirike?
Secila nga zhanret ka bukurin e vet, magjinë e vet, kërkesat e veta, fansat e vet, rëndësinë e vet. 
-Ku është e bukura e këngës polifonike?
Këngën polifonike unë e quaj simfoni vokale sepse është një muzikë e mrekullueshme ku nuk përdoren instrumente, dhe njeriu përdor atë që i ka dhënë natyra, si zëra të shpirtit.
-A mendoni se femra shqiptare e sot e ka gjetur veten në realitetin shqiptar?
Le për të dëshiruar këtë pjesë se bëhet e dhe diskriminime, por në art them se është pozicionuar mirë.
-Vazhdon ende të luash me piano? 
Po, vazhdoj me piano, se një këngëtar duhet të dijë patjetër të luaj në piano. Harmonizon zërin me tingujt.
-Ke ndonjë peng në këtë rrugëtim?
Jo fatmirësisht deri tani jo. Jetën e kam para dhe besoj do arrij çka kërkoj.
-Kush është dëshira juaj kryesore në këtë profesion të vështirë dhe të bukur?
Të punoj për të arritur aty ku unë dëshiroj. Rruga e këngës është e bukur, por edhe e vështirë. N.q.s neglizhove je e destinuar të dështosh. Tashmë përfundimisht jeta ime është lidhur me këngën. 
-Gjatë viteve të Universitetit a morët pjesë në aktivitete të ndryshme? Po suksesin e fundit si do ta përkufizoni?
-Kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të shkollës dhe si soliste dhe në kor dhe së fundi isha në konkurrim në “Tu si que vales”
në një program në Vizion Plus. Ndoshta e keni dëgjuar prezantimin tim të parë në këtë spektakël. Në finale këndova “Spente le stelle” dhe vlerësimi ishte shumë i mirë. Kur mora vendin e parë nuk e besoja. Ishin emocione të pamenduara. Ishte një moment që rrallë përsëritet në jetë. Ishte një organizim i përsosur, një mënyrë komunikimi korrekte, një juri profesionale. Nuk di si të shprehem. Kjo fitore nuk ishte vetëm e imja, por edhe e familjes time, babit tim në mënyrë të veçantë, miqve të mi, të afërmve. Të gjithë këta më dhanë në një farë mënyre ndihmesë të jashtme aq të domosdoshme. Unë isha fituesja, të gjithë sa përmenda ishin pjesë e suksesit. Kur dëgjoja këngë të ndryshme, ose instrumentistë profesionistë gjithmonë mendoja se rruga për finale është e vështirë. Secili prej atyre që ishte aty, kishte vlera, kishte një profesion apo dhunti tepër të veçantë, por besimi në vetvete më rritej çdo ditë. Nuk di ç’të them më tepër. Në raste të tilla fjalët ngecin. Çdo event ka rëndësinë e vet, ka audiencën e vet, ka performancën e vet. Ishte nj eksperiencë e vyer që më ka lënë mbresa dhe më ka motivuar për të ardhmen. Një shkëndijë ndez zjarrin e dëshirës për të parë më larg, për të ecur më e sigurt në rrugën kaq të bukur por dhe po kaq të vështirë të artit.
Sigal