Damnatio memoriae / Shembja e statujave: Nga koka e Stalinit, tek fantazia e Maos

613
Sigal

Damnatio memoriae, dënimi i kujtesës e quanin romakët e lashtë. Shembeshin dhe gjymtoheshin statujat, thyheshin bustet, gërvishteshin epigrafet, shuheshin figurat në afreske. Nuk funksiononte. Ndonjëherë shkaktonte efekte të kundërta. Ishte e kundërta e apoteozës, godiste perandorë që ishin hyjnizuar kur kishin qenë në pushtet. Por ndonjëri prej tyre rikthehej, kur pushtetin e merrnin sërish të tijtë.

Një valë furie ikonathyese kundër monumenteve të konfederatës jugore po përçan Amerikën, edhe më shumë se sa është aktualisht. Statuja e ushtarit sudist e shembur dhe copëtuar është një imazh i fortë. Nuk ka rëndësi që ka qenë aty, përpara bashkisë së Durhamit, qysh prej vitit 1927. Ajo të sjell në mendje imazhe të tjera, zhvillime epokale, revolucione, statuja të shembura prej furisë së popullit: Stalinit gjigand që iu pre koka në Budapest në vitin 1956, Lenini që u shkul prej piedestaleve me shembjen e Bashkimit Sovjetik, skena e statujës së Sadam Huseinit që u shemb me ndihmën e tankut amerikan, e që u transmetua direkt në CNN.

Krahasimet flasin shumë. Por nuk duhet ekzagjeruar. Në të vërtetë, nuk po shemben ende me zemërim popullor, statujat e gjeneralëve dhe personaliteteve që luftuan në anën e gabuar, në luftën civile që përfundoi në vitin 1865. Kur i heqin, e bëjnë mbi të gjitha për të mos përkeqësuar tensionet. Monumente të kontstuar janë hequr tashmë me dhjetëra. Në shumë raste propozimi vjen prej autoriteteve lokale, dhe parashikon jo shkatërrimin, por largimin apo zhvendosjen. E bëjnë natën, me policinë që shoqëron punëtorët, për të shmangur incidentet. Për shembull, kostot e transferimit të “Old Joe”, statuja e ushtarit të konfederatës që ndodhej përpara bashkisë së Gainesville në Florida, i mori përsipër dega e “Bijave të konfederatës”. Të shtunën e kaluar, manifestimet që përfunduan në tragjedi në Charlottesville, me makinën e neonazistit vrasës që mori përpara turmën, ishin pro dhe kundër heqjes së një statuje të gjeneralit Lee, nga një park i dedikuar Emancipimit të zezakëve. Statuja gjithësesi është ende aty.

Më kujtohet koha kur dukej se do të zhdukeshin statujat e Maos në Kinë. Miku im Frane Barbieri, një gazetar i madh, erdhi të më takojë kur isha korrespondent në Pekin. Më pas shkoi në Sichuan dhe shkruajti se kishte parë në Chengdu, të zhdukej statuja e Maos brenda natës. Kur shkova pak kohë më vonë në Chengdu edhe unë, pashë se statuja e Timonierit të Madh ishte ende aty. Shkëlqente në dritën e diellit. Pyeta: e hoqët dhe e rikthyet? Mu përgjigjën: jo jo, e kishim dërguar ta restauronim.

Ka nga ata që thonë se përhapja e monumenteve dhe simboleve të konfederatës ndodhi në fillimet e Nëntëqindës, kur lufta civile tashmë ishte harruar, dhe më së fundi, në një “frymë pajtimi” për të kënaqur nga pak të gjithë, ndoshta duke i shtuar një rrugë apo një statujë që vë bashkë lëvizjen e të drejtave civile, me figurën e një heroi të Jugut, racist dhe pro skllavërisë. Por nuk funksionon, është si t’i vësh zjarrin barutit, nëse të vjen një president që vendos në të njëjtin rrafsh, ata që valëvisin flamuj me svastikën dhe ata që kontestojnë racizmin. Ndoshta Trumpi nuk do të rrëzohet nga një rebelim kundër statujave. Por e ka kërkuar. Dhe akrobacitë e tij verbale, fakti që thotë një ditë një gjë, dhe të kundërtën ditën tjetër mbi po të njëjtin argument, tregon vështirësitë që ka për të dalë nga belaja. Nuk mund t’ia hedhë me batuta, si ajo që demonstruesit duhet të kontestojnë edhe statujat e Uashingtonit dhe Xhefersonit, që kishin qenë pronarë skllevërish.

Nuk më pëlqen kur u turren statujave, simboleve, mënyrave të ndryshme të interpretimit të historisë. Ndodh shpesh në të gjithë botën. Njerëzit vazhdojnë të vriten për gurë të vjetër, histori të kontestuara, edhe në Jeruzalem apo Indi. Kujtesa që krijon dhe përjetëson konfliktet është një mallkim. Ashtu sikurse mallkimi i kujtesës mund të rezultojë joefikas, kundërproduktiv, apo më keq akoma, qesharak. Por kur duhet, duhet. / La Repubblica