Dalip Greca/ Gëzuar ditëlindjen gjeneral i skenës, Pirro Mani!

869
Së bashku me një nga miqtë më të afërt të Pirro Manit, që prej kohës kur la Koloradon për Nju Jorkun, Veis Belliun, e vizitojmë jo rrallë “Gjeneralin” e skenës shqiptare në shtëpinë e tij në Harrison, një zonë e lakmuar nga njujorkezët. Edhe këtë herë Pirro na priti në krye të shkallëve të shtëpisë së tij së bashku me Pavlinën. 
– Është i vetëm çifti sonte,- thotë me të qeshur regjisori…
Pjesa tjetër e familjes kishte shkuar për fundjavë jashtë Nju Jork-ut.
Pa mbaruar mirë përshëndetjet Pavlina e shtroi tavolinën. Biseda që në fillim kapërcen oqeanin. Qe fundjanari dhe po diskutonim rreth veprimtarive që u organizuan në Shqipëri, veçanërisht në Gjirokastër, për 80 vjetorin e Shkrimtarit Ismail Kadare. Pirros i kishte mbetë në kujtesë thënia e Kadaresë se ishte tepruar me veprimtaritë kushtuar ditëlindjes së tij, ndërkohë që ishte harruar 17 Janari i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu… Natyrisht që Kadare i meriton nderet.
Nga Kadare kaluam tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”… 
Pyetjen e bëra unë, pasi Veizi ma kujtoi rrugës; Si ishte puna e nxefjes së shuplakave në Prishtinë në vjeshtën e vitit 1972?
… Në fakt e kishim lënë një bisedë përgjysëm gjatë vizitës që patëm bërë paskthimit të tij Verën e shkuar nga një vizitë në Shqipëri, ku Tirana dhe rrethet e Teatrit, aktorë të vjetër e të rinj, studentë të Akademisë së Arteve, media folën dhe shkruan shumë për “Epokën e Pirro Manit”. Në atë vizitë ta paskthimit nga Tirana, bashkë me ne ishte dhe Adem Belliu i Televizorit Kultura Shqiptare në Nju Jork, që e la kamerën hapur për të “vjelë” sa më shumë nga bsieda me Pirrron dhe Pavlinën… 
***
Këtë herë, unë kisha marrë me vete disa fletë të printuara nga gjurmët e shfaqjes të “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” në Prishtinë në në vitin 1972. I pata kërkuar korrespondentit të Gazetës “Dielli” në Kosovë, gazetarit Behlul Jashari, që të hulumtonte në shtypin e kohës se si ishte pritë shfaqja e Gjeneralit aso kohe në Kosovë. Behluli kërkoi nëpër librari, nëpër koleksione gazetash, dhe diçka gjeti. I kisha kërkuar që mundësisht të takonte e të intervistonte personazhe që kishin qenë në shfaqje. Në fakt nuk e pati të lehtë: Fatkeqësisht, më shkruante Behluli, shkrimtari, përkthysi, gazetari Vehap Shita, që ka shkruar për vënien në skenë në Teatrin Krahinor të Kosovës, Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur të të madhit Pirro Mani, ka dy vjet që ka ndërruar jetë, ndërsa shkrimtari e gazetari Musa Ramadani, redaktor i Kulturës për shumë vite në Gazetën ‘Rilindja’, që gjithashtu e ka ndjekur nga afër shfaqjen dhe ka shkruar për të, tani nuk është mirë me shëndet, por gjithësesi biseduam në telefon dhe atij i kujtohej mjaft mirë shfaqja dhe ende i ruante të fuqishme mbresat nga shfaqjet e Gjeneralit….E kujton Pirron si gjeneral të skenës… Ia lexoj Pirros letrën e Behlulit, dhe e shoh se si i shkëlqejnë sytë…Tek dëgjon mesazhin e gazetarit nga Prishtina, bëhet më i vëmendshëm, pastaj duket sikur përhumbet në mjegullën e kohës dhe nga rrathët e kujtesës kërkon të kapë gjurmët e asaj shfaqjeje… 
– Ka qenë një shfaqje e madhe…Pata më shumë liri regjisoriale atje në Prishtinë. E shfryva dufin e censurës dhe autocensurës. Realizova një shfaqje moderne me të gjitha mejtet skenike që më jepte liria.Në Kosovë shkeleshin liri të tjera, por jo si në Shqipëri, ku gjithçka censurohej, veçanërisht në fushën e krijimtarisë… Nuk kisha mbi kokë atje “Kontroll Partie”, siç i thoshim ne, Këshilli Artistik, që bënte skanerin e shfaqjes para se të shkonte tek publiku…
Biseda ngrin… Për një çast Gjenerali i skenës shqiptare, heshtohet… Për disa minuta dëgjojmë frymarrjen e tij të shpeshtuar. Duket se po e përjeton atë që ka lënë atje në Prishtinë, pjesë nga vetja.
Më pas, sikur të ishte kujtuar për diçka, më thotë: Nuk arrij t’i bashkoj të gjitha copëzat e atij përjetimi që zgjati më shumë se 6 muaj në Prishtinë. Shkroi shumë shtypi atje për Gjeneralin. Mbaj mend se njëra nga gazetat e asaj kohë pat vënë një titull që më mbeti në mendje për shumë kohë: “Na i nxefe shuplakat Gjeneral!”…Në fakt ma kishin thënë këtë shprehje edhe me zë pas shfaqjes ”Na i nxefe shuplakat Gjeneral”!…Më pëlqente shumë ky kompliment. Kaq, s’mund të thonin më shumë në atë kohë…
***
…Gazetari nga Prishtina më kishte dërguar disa faqe të librit të shkrimtarit Vehap Shita “Kur ndizen Dritat”, libër i botuar pesë vjet pas shfaqjes në Prishtinë, në vitin 1977, dhe që mund të gjendet sot edhe në bibliotekën e Universitetit të Urbanës në Illinois, këtu në SHBA.
Shkrimtari, kritiku Shita, shkruante: Pa marrë parasysh se romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” është vepër e njohur, e çmuar si një nga më të bukurat në Letërsinë bashkohëse shqipe, drama që Pirro Mani kishte thurur me lëndën e romanit, edhe si autor i dramatizimit, edhe si regjisor, të jep përshtypjen e një spektakli teatral më vete. Pirro Mani ka ndjekë rrugën e inskenimit realist spektakolar, por me tendencë të dukshme që të mbeten gjithnjë në plan të parë idetë e veprës. 
Pirro Mani e kishte parim profesional, që të mos i hynte në pjesë autorit, por ai i ngjizte veprës shpirtin e tij regjisorial, dhe vepra fitonte atë ç’ka i mungonte.
Në kujtesën e Pirro Manit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” ka një peshë të shumfishtë. Kadare ia pat dhënë të parit dorëshkrimin e “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur”, ende pa u botuar si libër. Ishte tronditur Pirrua nga dramaciteti dhe ankthi që mbartëte subjekti. Ndërsa e përpintë së lexuari, mendjen e kishte në skenë…Kur doli libri nga shtypi, Pirro ishte nga të parët që e mori nga autori me autograf. Në mendjen e tij nisi endja e pëlhurës skenike, që në Prishtinë pat më shumë liri e fantazi krijuse.
Pirro kujton kohën e largët të shfaqjeve në Kosovë. Ishte vjeshtë e vitit 1972. Atë kohë drejtor i Teatrit të Prishtinës ishte shkrimtari dhe poeti i zëshëm i Letërsisë Shqipe Azem Shkreli. Përgatitjet me Trupën e Prishtinës kishin vazhduar rreth gjashtë muaj. E kujton si sot…Kur Pirro pat krijuar bindjen se gjithçka ishte gati, nisur nga praktika në Shqipëri, ku Partia kontrollonte gjithçka, dhe pa viston e saj nuk jepej shfaqja, kishte shkuar për të takuar e për tu këshilluar me drejtorin e Teatrit.
– Pse është munduar regjisori deri tek drejtori? i pat thënë Azem Shkreli me të qeshur.
Pirro iu përgjigj pyetjes me pyetje:
– Kur do ta mblidhni Këshillin Artistik, që të kontrollojë shfaqjen dhe të na lejoji ta shfaqim për publikun? Unë jam gati, që nesër…
Nuk e kishte mbaruar fjalinë e dytë, kur drejtori-shkrimtar, pat shprehë habinë: 
– Çfarë Këshilli Artistik po thua, he burrë? Nuk kemi këshillë ne këtu. Ti je regjisori, e ti je këshilli artistik. Nuka ka punë Këshilli Artistik me vizionin tënd, me realizimin tënd regjisorial s’ka punë njeri! Ti je Këshilli, përsëriste dhe qeshte shkrimtari -drejtor.
Pirro është habitë për vete. Ç’thotë ky Azem Shkreli? Po Partia, breeee? Po vija…?! Po Kontrolli punëtor…Po Bashkimet Profesionale…Po ai, i madhi fare…nuk do të dërgonte përfaqësues ai…
I kishte drejtuar dhe një pyetje drejtorit:- Po a nuk bëhet këtu shfaqje gjenerale para Këshillit Artistik?
– Jo pra jo, je ti mbreti i skenës, je ti Gjenerali…
U kthye tek trupa dhe intensifikoi provat. Gjithçka iu duk se ishte gati. Gjenerali, që luhej nga Shani Pallaska-pionier i aktrimit Kosovar dhe Prifti i luajtur mjeshtrisht nga i madhi Istref Begolli, ishin shkrirë me skenë sipas vizionit të regjisorit Pirro Mani, ashtu siç edhe Plaka Nicë në fiksimin e saj tronditës, e mishëruar fort bukur nga loja e përsosur e Melihate Ajeti, që dukej se “Nica” e saj vinte nga një tjetër planet, si jashtoksore, për t’ia prishur gëzimin gjeneralit.
Publiku shqiptar i Kosovës e mbajti frymën pezull gjatë shfaqjes. Pirro kujton momentin e shfaqjes së plakës Nicë… Halucinacionet e Gjeneralit… Tronditja nga kontrastet e thella…Fantazia e Pirro Manit kishin krijuar një mjedis të kontrasuar me Kryqe, varreza pushtuesish,e zeza e hijeve të mortit, skeletet e veshura me najlon, ishte e frikshme fëshfëritja e tyre, ndjesia e vdekjes që zotëronte skenën, pastaj skena e bardhë e dasmës,daullet e dasmës, valltarët që kërcenin në skenë, këngët polifonike me interpretim modern…Ishte një shfaqje ekspresioniste, që diktoi respekt në qarqet teatrore…
Publiku kosovar e priti shfaqjen me duartrokitje të zjarrta. Ishte dhe Kadare në shfaqje. U gëzua shumë kur pa atë pritje aq të ngrohtë. Morën pjesë edhe nga teatri Serb, ai Podgoricës, i Novi Sadit. Të gjithë e vlerësuan.Ishte diçka ndryshe…
***
…Biseda me Pirron shtrihet në kohë të largëta, në vende të largëta, kapërcen hapësira Oqeanike dhe detare…Flitet për Teatrin, për aktorë, për mjeshtra që nuk jetojnë më, për pasionin e tij për skenën. Për fatin që e mori për dore, për “hijet” që e ndiqnin pas dhe nuk e linin, për dyzimin, për sfinks-in, që bënte roje dhe e ndiqte hap pas hapi,për magjinë e Teatrit. 
– Ç’pjesë ka fati në rrugëtimin e Pirro Manit?…
Ndoshta s’mund të ndahet nga talenti i tij i lindur, por gjithësesi fati ka peshën e vet.Fati e dërgoi në Moskë në shkollën më të famshme të Teatrit, në Institutin Shtetëror të Artit Teatror GITIS dhe pikëtakimi me pedagogun e tij Nikollai Mihajlloviç Gorçakov, personalit i madh i regjisurës ruse, që kishte zëvendësuar të famshmin e papërsëritshëm Stanislavski. Pirro i kujton me nostalgji ato kohë të jetës studentore, ku studioi përkrah studentëve të tjerë që do të bëheshin të famshëm në vendete tyre.
Nëse fati e kapi përdore dhe e çoi në Moskë, vullneti dhe talenti, ishin investim i Pirros. Pirro kujton se ishte me fat që drejtori i teatrit Dramatik të Moskës, udhëheqësin artistik të Teatrit”Majakovski”, një ndër regjisorët më të mëdhenj moskovitë, qe pedagogu i tij. Piëkrisht ky regjisor i madh pa tek Pirro talentin dhe vullnetin dhe i besoi atij rolin e Edi Karbones tek “Pamje nga Ura” të autorit amerikan Artur Miler. Fat apo rastësi? Të dyja bashkë, por Pirro dha gjithçka për të mos e zhgënjyer veten dhe profesorin e tij-regjisor. Jetoi natë e ditë me Edi Karbonen dhe u fut brenda tij. Suksesi qe i hatashëm. Shtypi rus e ngriti në qiell Edi Karbonen e intepretuar aq bukur, aq besushëm, me atë theksin karakteristik të rusishtes, ç’ka i përshtatej Edi Karbones, emigrant. Lule për Pirron, autografe, madje dhe poezi.
Kujton Pirro: Kur po falenderoja publikun për duartrokitjet e zgjatura, nga salla u shkëput një njeri që u ngjit në skenë dhe më përqafoi. Pastaj u kthye nga publiku dhe kërkoi leje spektatorëve dhe reciton një poezi për Edi Karbonen dhe interpretimin e të shkëlqyerit Pirro Mani. Ky njeri nuk ishte i panjohur, por vetë skenografi i Teatrit “Majakovski”…
Me suksesin e Edi Karbones jetoi gjatë…Nga ajo kohë kujton Pirro, më ka mbetë dhe një kompliment nga një aktore e njohur Gjermane-Koner, ish partnerja e Aleksandër Moisiut.Pas shfaqjes së suksesshme ajo i deklaroi :”Jam e lumtur që takoj këtu në Rusi një aktor shqiptar nga vendi i Moisiut”….
Ishte sërish Fati apo diçka tjetër, që e mori për dore e çoi në Korçë, kur ai i sapokthyer nga sukseset e bujshme në Rusi, pas shembjes së honshme brenda vetes nga ftohtësia e burrokratëve komunist, pasi mori emrimin për në Kukës (A kishte Teatër Kukësi?)…E atje në Korçë, ai do të kapej sërish me idhullin e tij, që e solli nga Moska, Edi Karbonen e “Pamje nga Ura”. Dhe e përshtati Pirrua një “Pamje nga ura” krejt të veçantë për Korçën, për Shqipërinë…se nuk mund të transplantonte “Pamje nga Ura” të Moskës. Kush e pranonte! Sfnksi ishte aty…Shfaqja hyri në zemrat e korçarëve. Duartrokitjet e shpërblyen Pirron në tri shfaqjet e para, më pas erdhën zërat, kritikat, kulisat, hakërrimat:Të ndalohet shfaqja… është borgjeze, moderniste, revizioniste… Ç’ne ky Edi Karbone në Korçë? Ç’ne emigrantët këtu…? Çfarë nënkuptimi kanë? 
Pse-të zgjateshin e zgjateshin.Akuzat u formësuan fare hapur, e akuzonin se po sillte revizionizmin përmes teatrit…shfaqje borgjeze! Brenda Pirros diçka u shemb, e pushtoi pesimizmi, melankolia ia vrau energjinë dhe pasionin.
– Qe një kohë e vështirë, kujton Pirro. Zgjati më shumë se 4-5 muaj. U bëra frekuentues i mejhaneve. S’e di sa do të kishte zgjatur amullia. Isha mpirë. Nuk e di çdo të kishte ndodhë nëse aty në Korçë nuk do të ishte shfaqë një i madh i Partisë, që kishet marrë pjesë në një Konferencë Partie. Ai, ku paskish qenë me studime në Moskë, paskish parë shfaqjen”Pamje nga Ura” me Edi Karbonen me aktorin rus, por po atje ksihte lexuar gazetat se Edi Karbone i Pirro Manit, ia kalonte aktorit rus. Paska pyetur të mëdhnjtë e Korçës, nuk po e shoh regjisorin, ku është?
– Vuri në skenë një shfaqje me gabime të rënda ideologjike dhe e kemi pezulluar…e hoqëm nga repertori dramën…ishte vepër e nëj amerikani…, u shffajsuan partiakët e Korces.
-Po kjo shfaqje është vënë në Bashkimin Sovjetik dhe ka pasë sukses. Shkoni dhe thirrmani këtu regjisorin… Pirrua nuk u besoi veshëve kur dëgjoi një nga apartçikët t’i përshpëriste në vesh se e kërkonte një i madh i Partisë. Sërish fati? Shkoi dhe e takoi të madhin, i cili i kërkoi nëse mund ta rijepte shfaqjen për dy ditë? Pirro u tregua i gatshëm. Për dy ditë shfaqja u bë gati. Pas shfaqjes, i madhi, kishte zbritur në skenë dhe u ishte drejtuar aktorëve: E kam parë shfaqjen me aktorin e madh rus Sokollovski, por ky djali juaj sikur luan më bukur”! Kaq u desh. Ata që e kishin kritikuar ishin stepur, ndërsa Pirro nuk i besonte fatit. Ishin po ata që tash bashkë me të madhin rrihnin shuplakat. Shfaqja u dha më shumë se 50 herë, nga Korça në të gjithë Shqipërinë. Kryezoti shkoi e pa vetë shfaqjen.E kishte pëlqyer lojën e aktorëve, por…”S’kam asgjë me aktorin që luan Edi Karbonen(Pirron), është nga artistët më të mirë që kam parë, por drama është frojdiste”…kaq tha ai që bënte ligjin. Sërish nisi ankthi tek Pirro. Shfaqja nuk u dha më.
Shtatë vjet punoi Pirro në Korçë dhe i provoi të gjitha; suksesin dhe hakërrimin, triumfin dhe ndalimin… Rrethimi i Bardhë, një nga shfaqjet e ndaluara nga Zeusi…Pas shtatë vjetësh kthehet në Tiranë, ku realizoi atë që sot thirret si “Epoka e Pirro Manit”! Gëzuar Ditëlindjen gjeneral i skenës shqiptare! Nuk e di, a ka ndonjë institucion me këtë emër “Pirro Mani”? A ka ndonëj rrugë në Tiranë me emrin e Pirro Manit se rrugë me emra anonimë ka në të gjithë Shqipërinë…Flasim për një epokë me një emër dhe nuk e vlerësojmë?
Sigal