Claudio Magris: Kadare ka një vend të padiskutueshëm, thelbësor në letërsinë europiane

536
Sigal

Kandidati për “Nobel”, Claudio Magris për herë të parë në Shqipëri: Kjo vizitë shënon një fillim

(Pjesë nga intervista në Albanian Screen TV, me Aleksandër Furxhi)

A.F. -Më në fund jeni në Shqipëri, një vend kaq afër me Triesten, vendlindjen tuaj, por që kishte mbetur jashtë listës së gjatë të udhëtimeve tuaja nëpër botë. Përse ka ndodhur kështu?

Claudio Magris –  Kjo është një pyetje shumë e vështirë, por shumë interesante, sepse kështu ndonjëherë ndodhin gjërat në jetë. Ashtu siç ndodh kur vëmë re një burrë apo një grua të bukur, me të cilin kemi qenë kolegë prej shumë kohësh dhe papritur e shikon dhe e vëren, për herë të parë. Ndonjëherë është rastësia që na bën lojëra të tilla. Ndoshta është pikërisht afërsia ose mendimi që unë mund të shkoj kur të dua. Sigurisht, kjo ka ndodhur edhe për shkak të jetës së kaluar në universitet duke dhënë mësim në Trieste,Torino, Gjermani, si dhe shumë udhëtime atje, ku botoheshin librat e mi. Kam pasur shumë angazhime që më kanë pasuruar shumë, por ka qenë edhe një pengesë për gjëra të tjera. Me ka bërë të humb jo njohjen, sepse disa vende i njoh mirë, pavarësisht se s’i shoh mirë, por… Shqipëria është një vend që për shumë arsye lidhet me historinë e Triestes dhe me historinë e Italisë. Mbi të gjitha, është e lidhur me interesin tim për Europën Qendrore dhe për Jugun e Europës dhe është një rast shumë i mirë, dhe unë jam shumë i lumtur, sepse kjo vizitë shënon një fillim. Fakti që në 74 vjet mund të filloj një marrëdhënie të re, sepse një shtet është si një njeri që takohesh. E takon dhe ndoshta nuk e kupton, edhe mund të nxehesh, në disa vende të kuptojnë ose nuk të kuptojnë. Kjo është një marrëdhënie shumë interesante, prandaj unë ndihem si fillestar, por më pëlqen që ndihem si një fillestar.

A. F. –  Ju jeni editorialist në «Corriere della Sera» prej 47 vitesh. Në shkrimet tuaja shpesh analizoni letërsinë e shekullit tonë, veçanërisht atë të Europës Qendrore. Pjesë e krenarisë kombëtare të historisë moderne të Shqipërisë është shkrimtari Ismail Kadare.  Si e njihni veprën e tij dhe çfarë vendi zë Kadare në letërsinë bashkëkohore, sipas mendimit tuaj?

 Claudio Magris –  Unë shkruaj, jo vetëm për letërsinë, por edhe për politikën, për fakte të komikes, por jam i përqendruar në letërsi. Unë me Kadarenë jemi parë në Paris, por nuk ka qenë rasti ta takoj ballë për ballë. Unë Kadarenë e vlerësoj shumë, sidomos libra si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” edhe shumë libra të tjerë. Ka një vend të padiskutueshëm, thelbësor në letërsinë europiane. Por në atë botërore nuk është faji i tij, sepse mund të jesh shumë i zoti, por fama mund të jetë thjesht një pengesë. Unë vlerësoj disa libra më shumë se disa të tjerë dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është një libër i mrekullueshëm. Ndoshta “Pallati i ëndrrave” e kam dashur më pak, sepse kuptohet menjëherë mekanizmi, çdo shkrimtar i ka ato cenet e veta, i ka çdo shkrimtar, i kam dhe unë.

A.F. –  Shqiptarët, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e kishin të ndaluar për 45 vjet të udhëtonin jashtë Shqipërisë. Si  mund ta imagjinoni një individ dhe një popull të tërë, të cilit i ndalohet të udhëtojë ?

Claudio Magris – Sigurisht, që është një akt barbar, që i privon njerëzit jo vetëm nga një e drejtë thelbësore, por nga një përvojë, është si të ndalosh miqësitë me njerëzit, njohjen e dashurisë, leximin e librave, dashurinë me detin, kjo është vula e regjimeve totalitare, nuk është vetëm një vulë e dhunshme e tjetrit, por është një vulë vetëvrasëse. Çdo udhëtim është një pasurim, por mendoj se edhe një shqiptari që mund t’i ketë qëlluar në jetë të mos ketë dalë nga Shqipëria, në qoftë se e ka mendjen e kthjellët dhe zemrën e qetë, për të parë jashtë vetes, edhe një udhëtim nga Tirana në Durrës mund të jetë një udhëtim i mbushur me aventura. Të udhëtosh, do të thotë të dalësh nga vetja. Dikush ka pasur privilegjin për kushtet dhe vendin ku jetonte, ku mund të udhëtonte pa kufi…