Blerina Serjani/ Komunitetin arvanitas si pjesë përbërëse e komuniteteve në Greqi, e dallon gjuha shqipe

690
Sigal

 Dëshmi e përpjekjeve të komunitetit arvanitas për një diplomaci greke me qasje pozitive ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve

 Libri i Paraskevopoulos një botim i rrallë që dëshmon jo vetëm përpjekjet e komunitetit arvanitas në Greqi në vite 1930 për të marrë një rol ndërmjetësues, afrues dhe bashkëpunues mes qeverive dhe elitave intelektuale shqiptare dhe greke, por për diplomacinë aktuale shqiptare dhe greke sjell një faqe të të panjohur të bashkëpunimi shqiptare, greke dhe ndërballkanike.

 Diplomacia e Tiranës në këto 20 vjetët e fundit ka bërë pak për të aktivizuar faktorin historik arvanitas për të ringjallur ndjeshmërinë dhe frymën e dikurshme vëllazërore të kësaj popullsie me prejardhje shqiptare, për të sjellë në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve dhe një qasje më realiste dhe pozitive në Greqi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 (Duke shfletuar librin “15 ditë në Shqipëri” të autorit Jorgos Paraskevopoulos, ish-prefekt i Selanikut, ish- deputet i Parlamentit të Greqisë dhe ish kryetari i Këshillit Administrativ të Bashkisë së Athinës në vitin 1931).

 

 

Duke kërkuar në bibliotekën e gjyshërve të mi, më tërhoqi vëmendjen një libër i vjetër me ngjyra të zbehta nga koha, shkruar në gjuhën greke dhe titulluar “15 ditë në Shqipëri”, libër që për kopertinë kishte një bust të Skënderbeut. Duke e shfletuar këtë libër të botuar në Athinë në vitin 1931 me autor Jorgos Paraskevopoulos, konstaton lehtësisht se aty gjen të pasqyruar plot vërtetësi, jo vetëm mbresat e një udhëtimi të autorit nëpër Shqipëri në prill të vitit 1931, por edhe dëshmi të një fryme të panjohur të bashkëpunimit ndërballkanik dhe të një fryme dhe qëndrimi ndryshe të diplomacisë greke me qasje realiste dhe pozitive ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Duke u ndalur së pari tek autori, ja vlen të nënvizojmë se bëhet fjalë për një personalitet të njohur dhe me peshë të shtetit dhe të qarqeve më të larta të politikës greke të kësaj periudhe. Jorgos Paraskevopoulos ishte një intelektual i shquar me origjinë arvanitase dhe këto shënime udhëtimi ai i ka mbajtur gjatë ditëve të udhëtimit dhe pjesëmarrjes së tij si kryesues i delegacionit grek në Takimin Ballkanik të Përfaqësuesve të Bashkive të Kryeqyteteve të Ballkanit, një veprimtari ndërkombëtare dhe ndërballkanike për të cilën nuk është folur më parë. Në momentin e udhëtimit dhe të botimit të këtij libri, autori ka qenë anëtar dhe kryetari i Këshillit Administrativ të Bashkisë së Athinës, ndërkohë që më parë kishte qenë deputet i Parlamentit Grek dhe prefekt i Selanikut.

Libri i shkruar nga z. Paraskevopoulos plot 80 vjet më parë ka interes pasi që jo vetëm përmban, të dhëna, dokumente, fotografi, përshkrime të jetës së përditshme të qyteteve shqiptare, ngjarje dhe episode të panjohura (libri ka 35 fotografi të qyteteve, institucioneve dhe personaliteteve të ndryshme nga Shqipëria), por edhe opinione për autoritetet dhe intelektualët shqiptarë që autori ka ndeshur e takuar në Shqipëri, përmban të dhëna historike që vështirë se mund të gjenden në burime të tjera për atë periudhe dhe mbi të gjitha një qasje ndryshr për marrëdhëniet shqiptaro-greke. Në libër shpaloset qartë qëllimi i këtij takimi ndërkombëtar që zgjati një javë dhe që kishte si mision të tij afrimin e vendeve të Ballkanit me njëri-tjetrin “…për të harruar ndasitë dhe historitë e vjetra dhe për t’i futur marrëdhëniet (e tyre) në një epokë të re”, pasi sipas autorit “…po të duhemi e të lidhemi”, në këtë rajon “…bëhemi 70 milionë shpirtra” (faqe 39).

Sipas autorit në Konferencën Ndërkombëtare të bashkive të kryeqyteteve të rajonit të Ballkanit, një veprimtari e rrallë për atë periudhë, morën pjesë delegacione nga 4 vende ballkanike, Turqia, Bullgaria, Shqipëria dhe Greqia, ndërkohë që sipas tij në këtë takim nuk morën pjesë delegacionet nga Rumania dhe Serbia. Kryetari i delegacionit shqiptar në këtë takim ndërkombëtar ka qenë Mehmet Konica, dy herë ish-ministër i Jashtëm.

Mbresa dhe përshtypje

Autori sjell në faqet e këtij libri mbresa, përshtypje dhe opinione për historinë e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-greke në një këndvështrim origjinal, ndryshe nga fryma marrëdhënieve konfliktuale të periudhës së fillim shek. XX , pse jo ndryshe krahasuar edhe me acarimet e shpeshta aktuale të këtyre marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës në këtë fillim shek. XXI. Duke u ndalur në këto marrëdhënie historikisht të vështira, autori nuk nguron aspak të kritikojë, mandej dhe ironizojë konsullin grek Shkarpas që shërbente aso kohe në Gjirokastër që nuk fliste shqip dhe që pa arsye fliste keq për gjirokastritët. “Konsulli grek, zoti G.Shkarpas, që është me prejardhje nga një familje nga Korfuzi, është një diplomat i ri që nuk kërkon të jetë në një nga qytetet e Europës, por shërben këtu midis maleve të Shqipërisë dhe e quan detyrë pikërisht se është korfujot. Korfuzi bashkon Epirin dhe Shqipërinë dhe siç po duket, për këtë besoj, që dhe drejtuesit shqiptarë punojnë të lehtësojnë aktivitetin e tij për mbrojtjen e pakicës greke të Gjirokastrës dhe përreth saj. Mjafton që ai të mësojë të falsë shqip dhe detyrimisht kështu do të vihet edhe më mirë në shërbim të diplomacisë sonë. Zoti Konsull tregon anekdota kritike për gjirokastritët duke u shprehur me ashpërsi për këtë komunitet. Kushedi, cili është shkaku që u sul të thotë fjalë të këqija për këtë qytet simpatik. Ne në të kundërtën, gjetëm këtu njerëz bujarë, të qytetëruar, të zgjuar dhe të përkushtuar për përparim” (faqe 69).

Nga ana tjetër, ky botim i rrallë është dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të komunitetit arvanitas në Greqi për të marrë një rol ndërmjetësues, afrues dhe bashkëpunues mes qeverive dhe elitave intelektuale shqiptare dhe greke. Mjafton të kujtojmë episodin befasues kur zoti Paraskevopoulos fjalimin e tij zyrtar në pritjen e shtruar nga kryetari i delegacionit shqiptar Mehmet Konica për nder të delegacioneve pjesëmarrëse e mbajti në gjuhën shqipe, fjalim të cilin të nesërmen e botoi të plotë “tekstualisht dhe me idiotizmat dialektale”(faqe 38) gazeta “Ora” e Tiranës dhe që vetë autori e ka përfshirë këtë fjalim në librin në 3 faqe në gjuhën shqipe. “Mëma jime s’dij greçist po vetëm Shqiptarisht. E para fjalë tsë gjejsh ka mëma kur u lesh, ish fjale shqiptarishte. Mëma ime – t’i kem nratënë – më psoj gluhën shqiptare e sa herrë si sot kur çojn (gjë) okazione e përzihem me shqiptarë, më hapet zëmëra të flas shqiptarisht” (faqe 39), është shprehur në fjalimin e tij zoti Paraskevopoulos. Në fjalimin e tij gjen dëshmi të kontributit të hershëm që shqiptarët kanë dhënë për indipendencën greke dhe për shtetin modern grek. “Z’jam ntë vënd të huaj, jamtevënd ntë miqve, ntë vgavet (vëllezërve). Historian a lith shumë ngushte. Neve grecistë, nëk harrojmë kurr pse ndë luftë për indipendencën tën, na ndihte juve Shqiptarët. Kishim Kapetane ka deti, dhe Kapetanë ka dhev (dheu) gjithë trima, burra të fortë. Xhavella, Boçari, Miauli, Krieziu, Kunturioti, Mitsa, ndë Greçi milra shpyrtë çë flasmë gluhën të zogivet. Sahturi, Ministre ndë Vjen, generalët Kondulis dhe Mica, Senator Stringo, Deputato Kosmai Panunci, general Pangalos, K. Repouli e milra të tjere, shqiptarisht fllasën” (faqe 39), ka nënvizuar plot krenari në fjalimin e tij në darkën e shtruar për delegacionet ballkanike në Kafe Kursal dhe që gazeta “Ora” e cilëson “darkë madhështore” (gazeta “Ora” 29 Prill 1031).

Shënimet e udhëtimit

Në shënimet e udhëtimit nëpër Shqipëri të zotit Paraskevopulos gjen argumentin se elementi kryesor që dallon komunitetin arvanitas si pjesë përbërëse e komuniteteve në shtetin grek, është gjuha shqipe, që ata flisnin dhe e flasin jo rrallë edhe sot brenda rrethit familjar. Fakti që në shekujt e mëparshëm gjuha shqipe edhe pse nuk shkruhej, nuk përbënte gjuhën e shkollimit, gjuhën e shkruar letrare e fetare, gjithsesi mbijetoi dhe arriti të përcillej nga brezi në brez tek arvanitasit si gjuhë e të folmes në jetën e përditshme si gjuhë popullore. Në shekullin e kaluar, përkundër kontributeve dhe vlerat historike të arvanitasve për pavarësinë dhe shtetin modern grek, gjuha shqipe e arvanitasve nisi të humbasë dhe faji për këtë mësëpari prej vetë arvanitasve të thjeshtë u faturohet intelektualëve arvanitas, që edhe pse nuk qenë të pakët në numër, edhe pse emrat e shumë prej tyre përfshihen në listën e personaliteteve më të shndritshëm, që i dhanë liri e lavdi Greqisë moderne, e neglizhuan në mënyrë të pafalshme gjuhën dhe kulturën e origjinës së tyre shqiptare.

Libri në tërësinë e tij i përmbahet stilin klasik të librave me shënime udhëtimi, jo vetëm në aspektin kronologjik të ngjarjeve të përjetuara në Shqipëri nga vetë autori, por edhe në atë gjeografik të përshkrimit të këtij udhëtimi. Përshkrimet e mrekullueshme të z.  Paraskevopoulos në libër nisin që nga qyteti shqiptar në territorin grek i Follorinës, pastaj vazhdojnë me radhë qytetet e tjerë që vizitoi në Shqipëri, Korçën, Pogradecin, Elbasanin, Tiranën, Krujën, Shkodrën, Durrësin, Beratin, Këlcyrën, Tepelenën duke përfunduar me Gjirokastrën. Nga Gjirokastra ai sjell edhe një foto të rrallë me diçiturën, “Kujtim nga Gjirokastra (nga e majta në të djathtë në rreshtin e parë) Thoma Papapano deputet i Gjirokastrës, Hristos Evangjelatos kryetar i bashkisë së Mesologjit, Nikolla Rodhi kryetar i prefekturës Gjirokastër, Jorgos Papasqevopulos këshilltar bashkie në Athinë, Jorgo Meksi gazetar. Në rreshtin e dytë në këmbë janë: Beqir Sinani drejtor në pedagogjike, Zurdi Karagjozi (ktimatias), Niko Tolis tregtar dhe këshilltar bashkiak Gjirokastër, Xhevat Kallajxhi drejtor i gazetës “Demokratia”, Branko Nerxhani, (gazetar) profesor i pedagogjikes, Vangjel Koça gazetar, Vasil Laboviti doktor, Taqis Gudas Zëvendës konsull i Greqisë në Gjirokastër” (faqe 68).

 Libri i Parashqevopulos nuk është vetëm një botim i rrallë që dëshmon për përpjekjet e komunitetit arvanitas në Greqi për të marrë një rol ndërmjetësues, afrues dhe bashkëpunues mes qeverive dhe elitave intelektuale shqiptare dhe greke, por për diplomacinë aktuale shqiptare dhe greke sjell një faqe të të panjohur të bashkëpunimi shqiptare, greke dhe ndërballkanike. Diplomacia e Tiranës në këto 20 vjetët e fundit ka bërë pak për të aktivizuar faktorin historik arvanitas për të ringjallur ndjeshmërinë dhe frymën e dikurshme vëllazërore të kësaj popullsie me prejardhje shqiptare, për të sjellë në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve dhe një qasje më realiste dhe pozitive në Greqi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

(Për përkthimin nga greqishtja ndihmoi Fatmira Banushi)