Berat Luzha: Porto Palermo, kështjella famëmadhe e Ali Pashës

785
Sigal

Reportazh/ Kjo zonë, që ka rreth 33 mijë banorë, padyshim se është perlë natyrore nga më të bukurat në Shqipëri

Pak kush nga shqiptarët jashtë kufinjve shtetërorë të Shqipërisë ka dëgjuar, aq më pak ta ket vizituar zonën e Dumresë në rrethin e Elbasanit, dhe posaçërisht kryeqendrën e saj, Belshin, një qytet i vogël buzë një liqeni të vogël. Dumrea është zonë bujqësore, por që shquhet për numrin e madh të liqeneve, gjithësej 84 sosh. Duke pas parasysh liqenet e shumta dhe bukuritë e natyrës me peisazhe e panorama të bukura kodrinore, Sami Frashëri kishte dhënë idenë që Belshi, qyteza e sotme në Dumre, të bëhej kryeqytet i shtetit të ardhshëm shqiptar. Sikur të pranohej një ide e tillë nga Kongresi i Lushnjes, shumë më të bukur do ta kishim sot kryeqytetin e Shqipërisë; me reliev të valëzuar, me kodra të buta, me lugina të vogla, me qafa e gropa dhe sidomos me kaq shumë liqene brenda tij? Për nderë të Sami Frashërit, belshanët  kanë ngritur një bust në qytetin e tyre.


Dumrea është një pllajë kodrinore që shtrihet mes lumenjve Devoll e Shkumbin, fushës së Myzeqesë dhe fushës së Pazhokut në Cërrik. Kjo zonë, që ka rreth 33 mijë banorë, padyshim se është perlë natyrore nga më të bukurat në Shqipëri, me kushte të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë, por edhe të turizmit. Veçanërisht, zona njihet për kultivimin e drithërave të bukës, të duhanit, perimeve, hardhisë, ullirit, bletarisë, peshkimit, shafranit etj. Duke pas kaq shumë liqene, në zonë është zhvilluar edhe rritja dhe kultivimi i peshkut. Gjithashtu, ka kushte e mundësi të zhvillimit të turizmit fshatar dhe mjedisor. Nga këtu Fabrika e Çimentos e Elbasanit është furnizuar me lëndë të parë minerale, por funksionojnë edhe disa puse të naftës.
Belshi është një qytet i vogël që ka statusin e bashkisë, me rreth 5000 – 6000 banorë dhe, së bashku me 34 fshatrat e tij, me rreth 13 – 14 mijë banorë. Ndodhet në jugperëndim të Elbasanit, rreth 30 km larg tij, 30 km nga Lushnja, 23 km nga Kuçova dhe 10 km nga Cërriku. Deri vonë ishte qytet dhe zonë e lënë pasdore, e harruar, majt e pazhvilluar. Por, këto tri – katër vitet e fundit shumëçka ka ndryshuar. Qyteti është transformuar pothuaj plotësisht, veçanësrisht me investimet në infrastrukturë nga projekti “Rilindja urbane”. Ka ndryshuar qendra e qytetit – moli, si shesh qendror, që tash i ngjanë qendrës së një qyteti bregdetar evropian, një qyteti të vërtetë turistik. Qyteti dhe zona po bëhen gjithnjë e më shumë vend tërheqës dhe mjaft i vizituar për turistë vendës e të huaj. Vetëm gjatë vitit të kaluar është llogaritur se qytetin dhe zonën e kanë vizituar rreth 40 mijë turistë. Edhe pse Belshi është zonë turistike dhe pret shumë nga turizmi, qyteti nuk ka hotele e kapacitete tjera turistike e hoteliere, pos të ndonjë bujtine të hapur rishtas, prandaj turistët detyrohen të qëndrojnë vetëm për vizita njëditore të fundjavës.


Të 84 liqenet e Dumresë, me sipërfaqe të tërësishme prej 14.2 km katrorë, i rrijnë si gjerdanë pllajës së Dumresë. Madhësia e liqeneve shkon nga 0.5 deri 97 hektarë dhe thellësia nga 10 deri 61 metra. Liqenet tërheqin vëmendjen e turistëve për bukuritë që kanë, por edhe për florën e faunën, për pelikanin kaçurrel, për peshqit e shumëllojshëm, për zambakun e bardhë e zambakun e verdhë etj.
Në afërsi të Belshit ndodhet një nga vendbanimet më të lashta antike, vendbanimi ilir i Gradishtës, që daton nga periudha e mesme e bronzit. Në shek. IV p.e.r. Gradishta ishte qendër urbane, kurse në shek. I p.e.r. ishte qytezë e fortifikuar e fisit Parthin. Ky vend arkeologjik është quajtur “Akropoli i Dumresë”, sepse ngritet mbi sipërfaqen e terrenit, në lartësi mbidetare vetëm 180 metra, por që nga andej mund të shihet krejt Dumrea. Gjatë shekujve IV – VI e.r. Belshi ishte një qytet i fortifikuar me mure guri, por që pastaj mbeti vetëm një fshat i zakonshëm.
Afër Belshit, rreth 3 km më tutje, ndodhet fshati Seferan, me rreth 1000 banorë. Fshati është ndërtuar në brigjet e liqenit me të njëjtin emër, ku besohet se dikur moti ishte faltorja e Afërditës – Perëndeshës së Dashurisë, nga, si dhuratë ndaj saj, banorët kanë hedhur enë e terrakota në liqe. Buzë liqenit është ndërtuar një amfiteatër i vogël dhe statuja e Afërditës, ku organizohet manifestimi kulturor “Festa e Afërditës”. Seferani është i përfshirë në projektin kombëtar “100 fshatrat e Shqipërisë”, prandaj edhe aty janë duke u bërë investime të konsiderueshme, duke e shndërruar fshatin në një destinim interesant turistik.
Në Belsh dhe në zonën e Dumresë zhvillohet veprimtari e pasur kulturore. Janë të njohura vallet dhe këngët karakteristike të zonës, veçanërisht 23 vallet origjinale autoktone të Dumresë, që paraqesin një pasuri të jashtëzakonshme të koreografisë popullore shqiptare. Janë edhe pesë kostumet karakteristike të veshjes popullore, që prodhohen në mënyrë artizanale, në tezgjah. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Turizmit organizohet festivali “Liqenet e Dumresë”, ku marrin pjesë grupe artistike nga të gjitha trojet shqiptare. Me këtë rast mbahet edhe panairi i prodhimeve bujqësore dhe artizanale nga Dumrea dhe jashtë saj. Gjithashtu, organizohet festa “Nimfa e Liqeneve”, si një ftesë për vizitorë dhe turistë. Pos pasurisë kulturore, turistët në këtë zonë kanë kushte dhe terren ideal për zhvillimin e sporteve në natyrë, si çiklizmin dhe ecjen në natyrë brigjeve të liqeneve, pyjeve, kodrave të buta e fushave të mbjellura. Rreth e rreth liqenit të Seferanit është ndërtuar një shtek apo pistë për biçikleta. Përmes liqeneve mund të lundrohet me kano dhe mund të zhvillohet peshkimi.
Belshakët dhe përgjithësisht dumreasit janë të njohur si punëtorë të zellshëm, të cilët nuk kanë marrë botën në sy për ta siguruar ekzistencën, siç e kanë marrë në trevat tjera. Ata iu kanë përveshur punës në bujqësi, viteve të fundit edhe në turizëm agrar e mjedisor. Belshi, Seferani dhe tërë Dumrea kanë resurse të mëdha natyrore, si parakushte për zhvillim të shpejt; siç janë liqenet e shumta, kodrat e pyllëzuara, njerëzit punëtorë. Në tërë Dumrenë nuk ka komisariat të policisë, sepse njerëzit këtu jetojnë në harmoni të plotë. Zona ka klimë të përshtatshme, ka florë e faunë të zhvilluar, është e njohur për gatimet tradicionale. Prandaj, të vizitohet Belshi dhe Dumrea do të ishte një përjetim i veçantë dhe i paharrueshëm. Njohja e kësaj cope atdheu krijon një përvojë shëtitjeje të dorës së parë. Njihe atdheun që ta duash më shumë!