Bashkimi Europian, Tregu i Përbashkët i Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria

794
Prof.Asoc.Dr.Vangjel Kici

Nafta në Shqiperi
Kanada, 3 korrik 2017: Të shtetëzohet nafta dhe gazi në Shqipëri. Kompania shtetërore e naftës, Albpetrol të plotësohet me seksionet e nevojshme. Të shpohet një pus kërkimi për naftë dhe gaz, në një strukturë të cekët në jug të Shqipërisë. Të kryhen disa profile sizmike në rajonin e Bulqizës dhe në diapiret e Peshkopisë. Nafta shtetërore mund ta ngrejë mirëqenien e popullit shqiptar. Të kundërshtohet me forcë projekti i rrezikshëm i Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi: “Amerika e para.” Edhe për kryeministrin Rama Shqipëria duhet të jetë e para.

Shqipëria është vend i pasur. Nuk ka arsye që të varemi ekonomikisht nga të huajt. Regjimi komunist tek ne dështoi, jo nga mungesa e pasurive, por nga të metat që kishte.

Pas vitit 1990 vendin e varfëruam më tej, dhe tani kërkojmë shpëtim tek futja e Shqipërisë në Evropën e Bashkuar. Por Bashkimi Evropian nuk na pranon siç jemi, të varfër dhe me korrupsion etj. 

Po ne, pse i lutemi Evropës?
Britania e Madhe ishte anëtare e Bashkimit Evropian, dhe u largua. Greqia është anëtare, dhe pikërisht në BE pësoi katastrofë ekonomike. Islanda dhe Norvegjia nuk kanë pranuar të futen në BE. 

Çfarë pësuan popujt e këtyre dy shteteve? 
Asgjë. Jetojnë më mirë se popujt e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Kroacia zhvilloj referendum popullor, dhe me pak vota më tepër fitoi të drejtën të hynte në Evropë, kurse ne, prej shumë vitesh i lutemi Evropës që të na pranojë. Brukseli jo vetëm nuk na pranon në BE, por kërkon me këmbëngulje që Shqipëria të futet në Tregun e Përbashkët të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor (të gjitha shtete sllave, me përjashtim të dy shteteve shqiptare). Në fakt, ky treg është një “Jugosllavi numër 3”. Kjo kërkohet të realizohet, megjithëse dy Jugosllavitë e kaluara janë shkatërruar me luftë dhe gjak.
Evropa, që dikur na ndau padrejtësisht në 5 shtete (sot 6), tani kërkon të futemi në këtë “Jugosllavi”, që të zhdukemi krejt si komb? Evropa do ta ndihmojë këtë bashkim shtetesh me ndërtim autostradash (Nish-Prishtinë-Durrës etj) dhe hekurudhash, që serbët të vijnë më lehtë në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë! Shteti shqiptar nuk prodhon pothuajse asgjë për eksport, prandaj nuk i duhet ky treg. Kompanitë e huaja, që veprojnë në Shqipëri, le t’i gjejnë vetë tregjet. Ky treg i përbashkët u shërben planeve të Evropës dhe kryesisht Serbisë, për realizimin e planeve të saj të mëvonshme, me ndihmën e Rusisë (jo vetëm rikthimin e Kosovës nën Serbi, por edhe futjen e Shqipërisë!). Prandaj, qeveria shqiptare ta kundërshtojë me forcë këtë projekt të rrezikshëm. Në qoftë se Brukseli nuk na pranon në Bashkimin Evropian, ku ne duam të hyjmë dhe të bashkohemi si komb, le të punojmë për bashkimin e shteteve shqiptare, të kombit shqiptar dhe të tregjeve tona, sikurse është shprehur kohët e fundit kryeministri Rama. 
A mund ta zhvillojmë vet ekonominë e Shqipërisë, dhe ta rrisim mirëqenien e popullit tonë? 
Përgjigja është PO! Për të arritur këtë qëllim mund të ketë mendime të ndryshme, por autori i këtij shkrimi ka bindjen e plotë se kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet shtetëzimit të naftës dhe të gazit. 

Pse? 
Sepse Shqipëria ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz. Këto prodhime e kanë tregun të garantuar. Rruga, për shtetëzimin e naftës shqiptare, është e thjeshtë.

Qeveria të vendos për shtetëzimin e naftës dhe të gazit. Si model të kemi Norvegjinë. Të zbatojmë me përpikëri programin e naftës, të përpiluar nga përvoja norvegjeze.

Kompania shtetërore e naftës, Albpetrol, të mos privatizohet. Ajo të ketë 4 seksione, sikurse i kanë kompanitë e huaja të naftës: Seksioni i Kërkimit, Seksioni i Prodhimit, Seksioni i Përpunimit dhe Seksioni i Tregtimit.

Drejtoria e Naftës dhe kompania Albpetrol të jenë të pavarura nga shteti. Lidhjet e tyre me shtetin të realizohen sipas përvojës së Norvegjisë.

Seksioni i Kërkimit të ketë Institutin e Kërkimeve dhe Projektimeve për naftë dhe gaz, dhe Gjeofizikën. Fillimisht, pranë Albpetrolit të ngrihet një grup projektimi për kërkime nafte dhe gazi (3 ing. gjeologë dhe 1 ing. sizmik).

Seksioni i Prodhimit të ketë Institutin Teknologjik të Naftës. Fillimisht, pranë Albpetrolit të ngrihet një grup prej 3-4 ing. prodhimi.

Të rihapet një Ndërmarrje Shpim-Kërkimi me disa inxhinierë shpimi.
Të rihapet një Ndërmarrje Shpim-Shfrytëzimi me disa inxhinierë shpimi.
Për të zhvilluar naftën si pronë shtetërore (kombëtare) nevojiten:
a- Specialistët 
b- Kapitali financiar 
c- Rajonet me perspektivë për naftë dhe gaz. 
– Specialistë kemi. Të angazhohen përkohësisht edhe shkencëtarët pensionistë. Pranë tyre të specializohen kuadrot e rinj. 

– Kapitali financiar mund të sigurohet nga këto burime:

1- Të prishen marrëveshjet e dhënies me koncesion të vendburimeve ekzistuese të naftës dhe të gazit. Pas shtetëzimit, këto vendburime do të sjellin tek kompania Albpetrol të ardhura të mjaftueshme, për zhvillimin e naftës nga vet shqiptarët.
2- Të vihen në punë paratë e popullit (sipas eksperiencës norvegjeze).
3- Të ardhurat nga nafta e zbuluar në vendburimet e reja, në strukturat e cekëta.
4- Po të jetë nevoja, le të marrim edhe kredi nga bankat e huaja. Nafta siguron shlyerjen e borxheve.
Në zonën naftë-gazmbajtëse të Shqipërisë jugore ka struktura të cekëta, të përgatitura për shpime-kërkimi (Velça në jug të Gorisht-Koculit etj). Grupi im i gjeologëve njeh prej kohësh një strukturë të cekët antiklinale gëlqerore të mbuluar nga flishi. Gëlqerorët ndodhen rreth thellësisë 1300 m. Kjo strukturë ka perspektivë të madhe për zbulim nafte dhe gazi dhe është e përgatitur për shpim kërkimi. Projekti i shpimit të këtij pusi është i gatshëm. Kjo strukturë ka gjatësi rreth 14 km, dhe i përket një linje të cekët antiklinale me gjatësi mbi 60 km. Prandaj, t’u hiqen licencat e kërkimit kompanive për Bllokun 4, Bllokun Velça etj., që kanë shkelur brutalisht Ligjin e Naftës në Shqipëri, duke mos kryer asnjë punim kërkimi gjatë dy vjetëve.

Të fillojë shpimi i një pusi kërkimi, në një strukturë të cekët, ku projekti është gati. Ky pus mund të shpohet edhe nga një kompani e huaj, me pagesë nga shteti. Kostoja e këtij shpimi, që realizohet brenda 10 ditëve, është rreth 3 milion dollarë. Ka shumë mundësi të zbulojmë një vendburim të ri dhe të rëndësishëm nafte dhe gazi. Ky vendburim ndodhet në thellësi të vogla dhe me kosto relativisht të ulët. Nafta e këtij vendburimi do t’i sjellë të ardhura të mëdha financiare kompanisë Albpetrol, dhe do të pasohet nga zbulime të tjera, gjatë linjës së cekët antiklinale me gjatësi mbi 60 km. 

Të bëhen dy profile sizmike (gjatësi rreth 40 km) në luginën Plani i Bardhë-Bulqizë-Valikarfhë. Pritet të përcaktohet ekzistenca e gëlqerorëve (me trashësi rreth 4000 m), poshtë masivit ultrabazik të Bulqizës, forma strukturore e tyre dhe thellësia ku ndodhen.. Në rast rezultatesh pozitive të profileve sizmike, që është shumë e pritshme, të shpohet një pus kërkimi për naftë dhe gaz. Harta gjeologjike e rajonit të Bulqizës, në shkallën 1:25 000, është e gatshme. Këtu mund të zbulohet një vendburim gjigant nafte dhe gazi, në thellësinë e pritshme 2500-3500 m. Këtë e tregojnë shpërthimet e gazit metan (gaz i lagur, shoqërues i naftës) në minierën e kromit në Bulqizë. Kështu do të hapej një perspektivë shumë e madhe për naftë dhe gaz në të gjithë Brezin e Mirditës (Brezi Mirditë-Kosovë). Masivi ultrabazik i serpentinizuar i Bulqizës (diapir) është më i madh se diapiri kripor i Dumresë, ku pritej zbulimi i madh i naftës në kohën e regjimit komunist. Struktura e vendburimi gjigant të naftës, Coalinga në Kaliforni, është krijuar pikërisht nga diapiri serpentinik New Idria.

Të bëhet një profil sizmik (gjatësi rreth 20 km) kryq dy diapireve kriporë të Peshkopisë. Pritet të përcaktohet ekzistenca e gëlqerorëve (trashësi rreth 4000 m) poshtë evaporiteve, forma strukturore e tyre dhe thellësia ku ndodhen. Struktura gëlqerore pritet të ndodhet në thellësi të vogla. Në rast rezultatesh pozitive të profilit sizmik, që është shumë i mundshëm, të shpohet një pus për kërkim nafte dhe gazi. Ka shumë mundësi të zbulohet një vendburim i madh nafte dhe gazi, në thellësi të vogla dhe me kosto të ulët.

Theksoj se profilet sizmike mund të bëhen nga një kompani e huaj, me pagesë nga shteti. Mundësisht të jetë kompania Statoil e Norvegjisë, që është shtet i vogël dhe pa qëllime grabitqare.

Pra, me 5-6 milion dollarë kryejmë një shpim kërkimi, me mundësi të madhe zbulimi, dhe punimet sizmike për përgatitjen e shpimeve të tjera në Bulqizë-Peshkopi. Pra, Shqipëria nuk ka nevojë për lëmosha nga askush.

Populli dhe naftëtarët tanë të kërkojnë nga qeveria e re pak a shumë ato çfarë u shkruan më sipër. Nuk ka pse t’i lutemi Evropës për asgjë. Nuk është aspak nevoja të hyjmë në “Jugosllavinë numër 3”, që është një kurth shumë i rrezikshëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Shqipëria mbi të gjitha!
Sigal