Auditimi publik në shërbim të qytetarëve

314
Nga Bujar LESKAJ
    Kryetar i KLSH

Analiza vjetore e aktivitetit të KLSH-së, bazuar në moton «Institucionet supreme të auditimit(SAI-t) në shërbim të qytetarëve » të Kongresit INCOSAI XXII të organizatës botërore të institucioneve më të larta të auditimit publik, INTOSAI, të zhvilluar në dhjetor 2016 në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Viti 2016 është viti i dytë i matjes së performancës sonë sipas strukturës së standardizuar të Kuadrit të Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-t), dokument i cili u diskutua dhe u miratua si standard ISSAI në Kongresin INCOSAI XXII. Matja e standardizuar e punës së një SAI garanton një bazë objektive për të bërë transparente lidhjen e tij të vazhdueshme me Parlamentin, institucionet e tjera publike, shoqërinë civile dhe qytetarët. Kjo analizë vjetore e përgjithshme vjen pas kryerjes së analizave vjetore të departamenteve të auditimit në disa nga universitetet kryesore publike të vendit në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër. Ajo përmbledh edhe gjetjet, sugjerimet dhe vërejtjet ndaj punës dhe qasjes sonë nga ana e profesoratit dhe e shoqërisë civilë të këtyre qyteteve, të cilët i falënderojmë për pjesëmarrjen dhe kontributin, por sidomos profesoratin dhe studentët, që na mikpritën në mjediset e tyre. Në kushtet e një korrupsioni në rritje, të pranishëm në të gjitha poret e administratës sonë shtetërore, askush nga Ne institucionet në front të parë të luftës kundër kësaj dukurie që po gërryen furishëm besimin e qytetarit në Shtet, nuk mund dhe nuk duhet të ndihet i qetë përballë detyrës së papërmbushur, por bashkëpërgjegjës. Me gjithë punën, përkushtimin ose arritjet individuale të institucioneve tona, përballë përgjegjësisë së madhe që kemi ndaj qytetarëve për t’u siguruar atyre një frenim dhe pakësim efektiv të korrupsionit dhe mashtrimit financiar me pronën, fondet dhe shërbimet publike, e ndjejmë që kemi jashtëzakonisht shumë për të bërë. Kjo është arsyeja, fakti që Ne si KLSH e organizojmë këtë analizë vjetore në këto formate, me detyrimin për një llogaridhënie të thellë dhe transparencë të plotë përpara qytetarit, lidhur me punën e bërë ose të munguar nga ne, në përmirësimin e qeverisjes publike në shërbim të qytetarit. Dua të theksoj se ne si KLSH, besojmë fort në punën në sistem, ku përfshihen: 1) Presidenti dhe Kuvendi, 2) Qeveria, 3) Opozita, 4) Institucionet e Pavarura dhe 5) Shoqëria Civile dhe Mediat, për përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së institucioneve publike. Duke qenë institucion agjent (watchdog) në shërbim të qytetarëve dhe Kuvendit për ruajtjen dhe miradministrimin e parasë dhe pronës publike, boshti, fryma dhe moto e auditimeve tona gjatë vitit të fundit ka evoluar natyrshëm nga auditimi kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare në auditim në shërbim të qytetarëve, çka është moto e INTOSAI-t për vitin 2017 e në vazhdim deri në 2020. Vlerësojmë lart Kuvendin e Shqipërisë, Kryetarin e tij, Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, në veçanti Kryetarin e tij, për mirëkuptimin dhe mbështetjen e gjerë që na i kanë dhënë KLSH-së. Për vitin 2016, veçoj pjesëmarrjen e anëtarëve të Komisionit në aktivitetet e EUROSAI-t dhe pjesëmarrjen në Konferencën e Katërt Shkencore të KLSH-së. Përgjatë viteve kjo marrëdhënie ka evoluar në një bashkëpunim frytdhënës, të kulmuar në miratimin e ligjit integral të institucionit nga Kuvendi në nëntor 2014, e që po vijon me ritme të kënaqshme, për të njohur një tjetër kulm në mars të këtij viti me Konferencën e përbashkët « SAI dhe Parlamenti ». Vlerësojmë po ashtu përkrahjen e përhershme të Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, i cili na ka ofruar suportin e tij për kallëzimet tona penale, që kane ecur me një ritëm një kallëzim në jave, si dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, në veçanti me Inspektorin e Përgjithshëm.

01/ 2016: Viti i qasjes pro qytetarit
Po pse gjykojmë dhe themi se KLSH për vitin 2016 ka zbatuar moton e INCOSAI XXII që institucionet supreme të auditimit, SAI-t të vihen në shërbim të qytetarëve?

Së pari, kemi përmbushur detyrën dhe mandatin tonë kushtetues, duke realizuar 154 auditime nga 154 të planifikuara, nga të cilat:
– 118 auditime përputhshmërie, ligjshmërie dhe rregullshmërie financiare

– 7 auditime financiare; 
– 14 auditime tematike; 
– 13 auditime performance dhe
– 2 auditime të Teknologjisë së Informacionit. 
Shpërndarja e llojeve të auditimeve pasqyron zhvillimin dhe modernizimin e institucionit, duke shfrytëzuar maksimalisht burimet njerëzore dhe kapacitetet që aktualisht KLSH ka në dispozion. Auditimet kanë mbuluar të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore, të shpenzimit apo gjenerimit të fondeve publike, duke u përqendruar në institucionet e shpenzimeve më të mëdha ose të një rëndësie parësore për ekonominë dhe shërbimet publike të vendit. Auditimet e performancës janë rritur ndjeshëm në numër dhe cilësi, mbulueshmëri institucionesh dhe fushash veprimi të administratës shtetërore, jo vetëm përgjatë 2016-s, por qysh nga nisja e implementimit të Planit Strategjik 2013-2017. 

Së dyti, nga auditimet e vitit 2016, KLSH ka zbuluar:
1. Dëm ekonomik, parregullsi dhe shkelje financiare(në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera) në nivelin e 25.5 miliardë lekë (saktësisht 25,475,854 lekë), ose rreth 188 milionë euro, duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra arkëtimin e këtyre parave në Buxhetin e Shtetit në masën mbi 97 për qind të tyre. 

2. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, si në të ardhura dhe në shpenzime, në vlerën prej 46,8 miliardë lekë, ose rreth 346 milionë euro. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 72,3 miliardë lekë, ose afërsisht 534 milionë euro.

Këto janë shifra që së pari duhet të shqetësojnë Qeveritarët tanë dhe së dyti, Ne si auditues të na ndërgjegjësojnë për sfidat e mëdha që na presin në disiplinimin e financave publike dhe harxhimin me ekonomicitet, efektshmëri dhe efiçiencë të parasë së taksapaguesve shqiptarë, për të shërbyer si agjentë/shërbestarë të qytetarëve shqiptarë dhe të Kuvendit. 

Së treti, Gjetjet e auditimeve të KLSH gjatë vitit 2016 kanë rritur treguesin e dobishmërisë, efektivitetit të institucionit, një tregues ky qendror i Kuadrit të Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit, që vendos në raport sasinë e dëmit të kërkuar për zhdëmtim në Buxhetin e Shtetit, me sa i kushton taksapaguesve një SAI, i përdorur gjerësisht nga institucionet moderne evropiane të auditimit suprem dhe nga GAO amerikane. Për vitin 2016, për një lek të harxhuar nga KLSH, institucioni ka kërkuar shpërblimin e dëmit ekonomik për 78 lekë, e barabarte kjo me katër vite të marra së bashku, 2008, 2009, 2010 dhe 2011. Për pesëvjeçarin 2012-2016, mesatarja e treguesit të dobishmërisë ishte 127 lekë, ose mbi 6 herë më shumë se mesatarja e pesëvjeçarit 2007-2011(20.6 lekë). Shifrat flasin vetë

02/Gjetjet dhe rekomandimet kryesore 2016
Ndërkohë, Deklarata e Kongresit INCOSAI XXII në Abu Dhabi cilëson se: “Qytetarët e vendeve tona janë përfituesit përfundimtarë të punës sonë si SAI. Është detyra jonë për të kryer auditime të cilësisë sa më të lartë dhe për t’u siguruar atyre gjetje dhe raporte auditimi që mbështesin transparencën, përgjegjshmërinë ne administrimin e fondeve publike dhe promovojnë besimin në qeverisjen e mirë”. Me këndvështrimin e shërbimit ndaj qytetarit në kontrollin e zbatimit të politikave qeveritare, ndër gjetjet dhe rekomandimet kryesore të vitit të kaluar, rendisim:

1. Për t’i qëndruar sa më pranë qytetarëve shqiptarë në interesat e tyre vitale për zbatimin e reformës në drejtësi, koshientë se efektshmëria e kësaj reforme lidhet ngushtë me nivelin e përgjegjshmërisë së administratës sonë publike, për të katërtin vit rradhazi, duke filluar nga viti 2012 e deri në vitin 2016 e sot, i kemi rekomanduar Kuvendit që Qeveria të mundësojë ngritjen e një grupi pune me specialiste dhe përfaqësues të legjislativit, për hartimin e projekt-Ligjit “Mbi përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik”. Nga ana tjetër, si KLSH kemi propozuar ngritjen e një Sistemi Kombëtar të Integritetit dhe të Luftës Kundër Korrupsionit, duke pozicionuar qartë elementët përbërës të këtij sistemi dhe kontributin e secilit faktor (Kuvendi, qeveria, opozita, institucionet e pavarura, shoqëria civile dhe mediat, donatorët, etj.). Kemi rekomanduar që ky sistem të udhëhiqet nga shoqëria civile ose donatorë si USAID-i.

Kongresi i INTOSAI-t në Abu Dhabi në dhjetor 2016, nënvizoi me forcë se sistemet e Menaxhimit të Financave Publike, të shëndetshme dhe që funksionojnë mirë janë thelbësore për suksesin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. 

2. Në raportet e zbatimit të Buxhetit Faktik të Shtetit, në vijimësi gjatë këtyre viteve, si KLSH kemi vlerësuar dhe inkurajuar çdo reformë strukturore, përpjekjet për të përafruar kornizat rregullative buxhetore me praktikat e Komunitetit Evropian, sidomos për krijimin e një sistemi efiçient në menaxhimin e financave publike, por konstatojmë se jemi akoma larg objektivave të Strategjisë për një stabilitet dhe qëndrueshmëri financiare dhe ekonomike. 

a. Prandaj dhe kemi rekomanduar të përshpejtohet puna e vendosjes dhe monitorimit të indikatorëve të performancës në financat publike dhe ecurinë e treguesve sipas shtyllave prioritare të planifikuara në Strategjisë se Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020. 

b. Të ndërgjegjshëm për sfidat e zbatimit të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, duke vlerësuar gjithsesi punën e Ministrit Ahmetaj, kemi theksuar që përgjegjësia në realizimin e kësaj strategjie të mos i mbetet Ministrisë dhe Ministrit të Financave, por të ndahet mes ministrive të tjera të linjës dhe Ne, institucioneve të pavarura.

c. KLSH ka kërkuar në Kuvend që procesi i programimit të Buxhetit te Shtetit të realizojë garantimin e kredibilitetit të tij nëpërmjet një politikë fiskale të qëndrueshme, në respekt të plotë të objektivave fiskalë afat-mesëm dhe të shërbejë si një instrument efiçient për ta mbajtur qeverinë të përgjegjshme në arritjen e objektivave të Strategjisë. 

3. Për borxhin publik, si një tregues i rëndësishëm, por dhe me ndikim të lartë në qëndrueshmërinë e financave publike dhe projeksionet ekonomike të së ardhmes, në vijimësi kemi rekomanduar vendosjen e kufirit tavan të këtij borxhi në Kushtetutë(propozim i paraqitur Kuvendit që në vitin 2012), në masën 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit dhe arritjen e këtij niveli të shtrirë në kohë, në terma afatgjatë. 

4. Për investimet kapitale publike, kemi theksuar se mungon një vlerësim i plotë i procesit vendimmarrës në planifikimin e niveleve të qëndrueshme të investimeve në të gjithë sektorin publik, në shpërndarjen e investimeve në sektorët dhe projektet e duhura, në zbatimin e projekteve në kohë dhe brenda buxhetit të parashikuar. Tendenca në rënie e investimeve kapitale tregon se borxhi publik përgjithësisht nuk është përdorur për rritjen e investimeve. Ritmi vjetor i rritjes së borxhit është më i lartë se ritmi vjetor i rritjes ekonomike, duke reflektuar sinjale risku për stabilitetin makroekonomik dhe zhvillimet ekonomike në të ardhmen.

5. Nga auditimi i sistemit të financave publike, kemi konstatuar se vëmendja e pakët për kontabilitetin dhe raportimin financiar në sektorin publik, duke trashëguar një mungesë të theksuar të standardeve kontabël për këtë sektor dhe nivel të ulët të përgatitjes së punonjësve që mbulojnë kontabilitetin(e theksuar kjo veçanërisht në njësitë vendore), ka reflektuar një risk të lartë që ndikon në manaxhimin e financave publike. KLSH ka vërejtur se nuk hartohen pasqyrat financiare të konsoliduar (aparat plus njësi varësie), ose ka raste kur konsolidimi i pasqyrave financiare të njësive të varësisë është një proces mekanik formal dhe nuk jep siguri për pasqyrimin e drejtë dhe të saktë të transaksioneve financiare. Të gjithë kemi shumë për të bërë në këtë drejtim.

6. Si gjetje kryesore nga auditimet tona, theksojmë mosrespektimin e Marrëveshjes Hidrokarbure me ndarje prodhimi me kompaninë që shfrytëzon rreth 95% të prodhimit të naftës ekzistuese në rang vendi dhe shtrihet në zonën e vendburimit naftëmbajtës Patos-Marinëz. Ky vendburim nafte ka qenë ekzistues dhe kompania nuk ka rënduar kostot hidrokarbure me shpenzime kërkimi, por ka filluar direkt prodhimin e naftës. Për këtë arsye pritshmëria në lidhje me fitimin që do të vinte nga shfrytëzimi i kësaj pasurie kombëtare në dobi të qytetarëve ka qenë shumë e madhe. AKBN si struktura përgjegjëse kryesore, por edhe Albpetrol dhe Ministria e Energjetikes, në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure, nuk kanë monitoruar dhe mbikëqyrur shpenzimet për operacionet hidrokarbure, por e kanë lejuar kompaninë që të kryejë shpenzime, mbi çmimet e tregut dhe mbi normativat dhe referencat ligjore në fuqi. Kështu që të ardhurat e realizuara nga shitja e naftës së prodhuar nuk kanë mbuluar kostot hidrokarbure. Për këtë arsye, kompania shtetërore Albpetrol, nuk ka marrë sasinë e hidrokarburit, naftës së premtuar në planin e zhvillimit, si dhe Buxheti i Shtetit nuk ka marrë tatimin mbi fitimin. Mosrealizimi i mbikëqyrjes ka sjellë humbje të mëdha në Buxhetin e Shtetit. Vlen të theksojmë, se, së paku që nga viti 2013 e në vazhdimësi, si KLSH nga auditimet e ushtruara në Ministrinë e Energjisë (MEI), në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore(AKBN) dhe në Albpetrol Sha, kemi ngritur shqetësimin e keqshfrytëzimit të burimeve naftëmbajtëse dhe për pasojë kemi denoncuar humbje dhe mungesa të konsiderueshme ekonomike dhe financiare për buxhetin e shtetit, duke rekomanduar marrjen e masave për përmirësimin e situatës në sektorin hidrokarbur. Po ashtu, kemi kërkuar si KLSH një zgjidhje të shpejtë të problematikës së banorëve të fshatit Zharrëz, shumë më përpara ngjarjes së lëkundjeve sizmike në zonën e Marinzës dhe protestës së tyre, me kontribute të menjëhershme nga Buxheti i Shtetit dhe nga kompania që mban koncesionin hidrokarbur në zonë, në investime për dëmshpërblimin e dëmeve materiale ndaj familjeve dhe rikthimin e parametrave normalë mjedisorë në fshat. Në Projekt-raportin e Auditimit të nisur AKBN-së dhe MEI-t me shkresën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nr. 850/7 datë 09.03.2015, kemi konstatuar se “…një dëm tjetër i pa rekuperueshëm me pasoja subsidencë (fundosje) të sipërfaqes do të ndodhë për shkak të prishjes së ekuilibrit të forcave të brendshme në njësinë e kolektorit. Çka do të çojë në shkatërrimin e shtresave litologjike, për rrjedhojë nuk kemi ruajtje të nëntokës, një nga kriteret bazë që qeveria duhet ta monitoroj në mënyrë skrupuloze, mbasi n.q.s. nuk do të mbahet qëndrim i menjëhershëm, do të kemi subsidencë (fundosje) të sipërfaqes së tokës në zonën përkatëse, e shoqëruar në vazhdimësi me lëkundje sismike. Kjo është e sigurt nga ana shkencore ku nuk shtrohet pyetja: A do të ndodhë? Por, kur do të ndodhë? E njëjta linje qëndrimi në favor të qytetarëve, banues të fshatit Zharrëz, u përcoll edhe në Vendimin e Kryetarit të KLSH me Nr. 850/11 të Prot ( Nr.34) datë 30.04.2015 për auditimin në AKBN dhe MEI, në Vendimin me Nr. 179 dt. 31.12.2016 për auditimin në AlbPeptrol Sha., si dhe në Vendimin e djeshëm për Auditimin e fundit në AKBN.

7. Theksojmë me forcë se një nga kërcënimet serioze ndaj financave publike është niveli i ulët i efektivitetit në prokurimet publike të mallrave, shërbimeve dhe realizimit të punimeve, kryesisht në infrastrukturën rrugore. Ajo që nuk po arrihet të sigurohet përmes sistemit elektronik të prokurimit është vlera për paranë e shpenzuar, një tregues i rëndësishëm për një sistem efiçient prokurimi publik. 

8. Nga auditimi në Autoritetin Rrugor Shqiptar, kemi konstatuar se institucioni reflekton një nivel të ulët përgjegjshmërie me pasoja negative në efektivitetin e përdorimit të fondeve buxhetore në këtë sektor strategjik. Dëmi i konstatuar është i konsiderueshëm, i ardhur kryesisht nga mungesa e mbikëqyrjes gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore. Më konkretisht, ka rezultuar:

 Mungesa e një politike të kujdesshme për realizimin e projekteve, të cilat janë të mbivendosura dhe të pa harmonizuara me politikat e zhvillimit në sektorin e transportit.

 Kryerja e një numri të konsiderueshëm prokurimesh me objekt “konsulence, studime dhe projektime për projekte investimi”, ndërkohë që mungojnë fondet e programuara për realizimin e këtyre projekteve. Kjo praktikë e cila ka sjellë kosto shtesë në kontratat e lidhura për zbatimin e punimeve si pasojë e shkëputjes në kohë ndërmjet projektimit dhe zbatimit të projekteve, 

 si dhe shume mungesa te tjera. 
03/ lufta kundër antikulturës së pandëshkueshmërisë
Kongresi XXII i INTOSAI-t nënvizoi se “SAI-t kanë nevojë të mbledhin dhe promovojnë gjerësisht ne publik rezultatet e auditimeve të kryera prej tyre, duke theksuar risqet e mundshme ne zbatimin e politikave dhe programeve të qeverisë, risqe të cilat mund të minojnë një menaxhim të shëndetshëm të Financave Publike”. Në përputhje me objektivin e tij strategjik të përmirësimit të qeverisjes, nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit, institucioni gjatë vitit 2016, për shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, me pasojë shpërdorimin e fondeve publike dhe dëmtimin e pronës publike, KLSH ka bërë 49 kallëzime penale ndaj 176 punonjësve publikë, kryesisht nëpunës të lartë dhe të mesëm të administratës. Nga një analizë në vite, numri i kallëzimeve penale gjatë pese viteve 2012-2016 është rreth 4.5 herë më shumë se kallëzimet penale në pesëvjeçarin 2007-2011, ose në pesëvjeçarin e fundit kemi ecur me një ritëm gjithsej 219 kallëzime ose një kallëzim penal në javë. Si dëshmi të vullnetit të saj për të luftuar anti-kulturën e pandëshkueshmërisë, i kemi kërkuar në vijimësi Qeverisë që të nxjerrë një urdhër për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së nga ana e institucioneve në varësi të saj, por kjo nuk ka ndodhur. 

Partneritetet
Tema e Dytë themelore e Kongresit INCOSAI XXII ishte Profesionalizmi dhe çfarë mund të nxisë besueshmërinë për ta bërë INTOSAI-n një organizatë më të shquar ndërkombëtare. Në harkun kohor 2012-2016, jemi involvuar në aktivitetet e INTOSAI-t dhe EUROSAI-t ,që na japin mundësi të krahasojmë dijet tona profesionale me eksperiencat më të mira evropiane, si dhe t’i shtojmë ato. Në modernizimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit po japin një kontribut të çmuar Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA), nëpërmjet internshipeve te saj, si dhe Zyra e Auditimit Qeveritar të SHBA-së (GAO), përmes fellowship-eve.  

Transparenca dhe Komunikimi
Gjatë vitit 2016, shtypi shqiptar ka pasqyruar raportet dhe njoftimet për shtyp të KLSH-së me 931 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike, përkundrejt 922 gjithsej përgjatë vitit 2015. Gazetarët u janë përgjigjur prononcimeve të institucionit dhe problematikave të dala nga auditimet e ushtruara. Audituesit tanë gjatë vitit të kaluar kanë qenë të pranishëm pothuajse në të gjitha gazetat me 135 shkrime, të shkruara nga 72 auditues. Gjatë katër viteve, 2013-2016 audituesit e KLSH kanë botuar 396 artikuj në shtypin shqiptar.

Publikimet
KLSH vjen në pesë vitet e fundit 2012-2016 me një kolanë botimesh prej 67 tituj librash profesionale, udhëzuesish auditimi, si dhe me karakter informativ dhe historik. 

xxx
Kryekontrollori i Përgjithshëm i SHBA-ve, z. Gene L. Dodaro, mik i shqiptarëve dhe i KLSH, në leksionin e tij në Konferencën Vjetore 2013 të Shoqatës Amerikane të Administratës Publike “Elliot Richardson”, thekson: “Si dikush që e ka kaluar karrierën e tij si një auditues federal, mund të them pa hezitim: puna solide audituese, e bazuar në integritetin dhe parimet e tjera etike është e domosdoshme për një mbikëqyrje efektive të qeverisë dhe mbajtjen e njerëzve përgjegjës. Puna e GAO-s nxjerr në drite mangësitë qeveritare, inkurajon sjelljen e duhur nga ana e zyrtarëve publikë dhe e kontraktorëve privatë, si dhe ndihmon për të penguar sjelljen e diskutueshme. Puna solide audituese gjithashtu kontribon në rezultate më të mira të politikave publike dhe në përmirësimin e performancës së qeverisë”.