Arben Kosturi: “Roma Versitas Albania” një mundësi e artë për studentët romë dhe egjiptianë

1071
Sigal

Flet kryetari i shoqatës rome “Disutni Albania ” në Korçë, Arben Kosturi:Kemi patur mbështjen e  qeverisë zvicerjane

Tashmë studentët romë dhe egjiptianë e kanë një mundësi të artë. Të gjithë ata që e kanë pasur ëndërr vijimin studimet universitare, por për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe sociale, nuk mund ta realizonin dot, sot ajo është e mundur. Projekti “Roma Versitas Albania ”, i financuar nga Fondacioni i Edukimit të Romëve, u ofron mundësi dhe lehtësi të shumta për vazhdimin e studimeve, që nesër ata të jenë dikush e të realizuar plotësisht. Ndihma që u ofrohet është konkrete, duke filluar që nga mësimi i kompjuterit, dhënia dhe marrja e informacionit e deri te krijimi i mundësive për mësimin e gjuhës rome dhe angleze. Përpjekjet e projektit shkojnë edhe më larg: për studentët që nuk do të kenë mbarëvajtjen e pritshme do të jepen leksione plus. Shpenzimet për pedagogët që do të përfshihen në këto kurse do të mbulohen nga vetë fondacioni. Aktualisht janë lidhur marrëveshjet me Universitetin e Tiranës dhe Universitetin “Fan Noli” të Korçës. Gjithashtu, gjithçka është ndërtuar në mënyrë të tillë, që askush prej studentëve të mos mendojë për largimin nga shkolla apo për braktisjen e studimeve, pasi në rast se ndodh kështu, ai humbet gjithë lehtësirat e ofruara, humbet ëndrrën e tij të madhe, shoqërinë studentore e gjithçka tjetër që nuk mund ta gjejë në ambiente të tjera. Pra, qëllimi i projektit është i përcaktuar qartë, Studentët rome dhe egjiptianë që hyjnë në auditorët e universitetit duhet të dalin që andej me studime të përfunduara dhe rezultate cilësore. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai që nuk studion do të diplomohet. Për mbarëvajtjen e projektit do të kujdesen edhe shoqatat që janë bërë fituese të këtij programi. Ato do të ndjekin hap pas hapi gjithë ecurinë e studentëve rome dhe egjiptianë. Një nga këto shoqata, fituese e projektit është dhe shoqata rome “Disutni Albania ” me kryetar Arben Kosturin. Ai na tregon më shumë mbi këtë projekt.

Kur ka nisur të vihet në zbatim një projekt i tillë?

Ky është projekt i parë i këtij lloji i zbatuar në Shqipëri. Aktualisht shtrihet në dy qarqe, në Tiranë dhe në Korçë. Por në rast se projekti do të rezultojë i suksesshëm, atëherë ai do të shtrihet edhe ne qaraqe të tjera të vendit. Mendoj se do të ndodhë kështu. Megjithatë, tashmë shoqata jonë rome në Korçë, “Disutni Albania”  po e sheh si të domosdoshme botimin e një buletini në gjuhën rome dhe angleze dhe shpërndarjen e saj kudo që ka romë dhe egjiptianë në vendet tona fqinje si në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi etj, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave mes komuniteteve rome,  të cilat kanë të bëjnë kryesisht me edukimin e nxënësve dhe studentëve romë dhe egjiptianë.

Diçka më shumë rreth këtij programi, si bëhet përzgjedhja e kandidatëve?

Siç e thamë edhe më parë në bisën paraprake, tashmë studentët romë dhe egjiptianë e kanë një mundësi të artë. Pjesë e këtij programi u bënë të gjithë ata që patën dëshirën të aplikonin dhe që mundën të jenë fitues. Sigurisht, jo gjithkush prej studentëve romë dhe egjiptianë mund të jetë përfitues i këtij programi, përparësi kanë të gjithë ata që nuk kanë kushtet e mjaftueshme për të vijuar shkollimin e tyre. Programi ofron ndihmesën e vet, sepse  synimi tij është të rrisë normën e ruajtjes së vijimit dhe kapacitetet akademike të studentëve romë dhe egjiptianë. Projekti në fjalë synon përmirësimin e nivelit të vijimit, të performancës dhe diplomimit të studentëve rom dhe egjiptianë, por në të njëjtën kohë atyre u kërkohet që të kenë një vijim të rregullt të arsimit universitar në Shqipëri.  Pra, në qoftë se ata nuk dëshirojnë të humbasin këtë mundësi, atëherë duhet të jenë edhe studentë të rregullt, këmbëngulës në qëllimin e tyre për të përfunduar studimet me rezultate të larta e mbi të gjitha për të qenë dikush në shoqëri. Nëse harrojnë detyrimet, atëherë humbasin të gjitha privilegjet që u ofron projekti në fjalë. Përveç shoqatës tonë, fituese e projektit rezultoi edhe Shoqata Internacionale për Solidaritet (SHIS) në Tiranë.

A ekzistojnë kritere në përzgjedhjen e kandidatëve?

Sigurisht që po. Ekzistojnë kritere të përcaktuara qartë dhe zbatohen me përpikëmëri. Renditja e kandidatëve përfitues bëhet, së pari, sipas nevojës për përfitimin e mbështetjes akademike, si dhe, sipas një sërë kriteresh të tjera, ku mund të përmendim: largësinë fizike nga vendi ku jeton nxënësi deri te universiteti që do të studiojë. Gjithsesi, mjaft i rëndësishëm mbetet edhe suksesi (rezultati) që ka pasur gjatë vitit të kaluar. Por, nëse kandidati apo kandidatja ka fituar certifikata mirënjohje ose diploma, atëherë këto janë pikë shtesë për vetë studentin që aplikon. Gjendja social-ekonomike e sudentit është një kriter tjetër po kaq i rëndësishëm, ashtu siç kanë përparësi edhe studentët që vijnë nga familjet me një prind vetë ushqyes. Kandidatet femra kanë përparësi në përzgjedhje. Pra, bazuar në kriteret e mësipërme, bëhet edhe renditja e kandidatëve sipas pikëve që ka marrë gjithësejcili. Ne ndjekim hap pas hapi gjithë ecurinë e studentëve fitues. Me këtë rast më duhet të vë në dukje edhe diçka tjetër: përfituesve të këtij programi u ndërpritet pjesëmarrja në rast të prezantimit të dokumenteve të pavlefshme ose informacioneve të pavërteta. E njëjta gjë ndodh edhe kur përfituesi nuk dëshmon progres (përparim) në studime, ose në rastet kur i braktis studimet. Të gjitha këto kanë për qëllim rritjen e përgjegjësisë të studenti që ai të mos mendojë braktisjen e shkollës, por përfundimin e saj

A keni pasur  mbështetje edhe nga institucione të tjera?

Po. Eventet tona janë ndjekur nga personalitete të vendit dhe të huaj. Kështu mund të përmend ceremoninë zyrtare të organizuar në Tiranë me pjesëmarrjen e studentëve universitarë rom, të cilët ishin në pritje të përfitimit të bursës RMUSP nga Roma Education Fund për suksesin e tyre të vazhdueshëm akademik, ku me pranimin e kësaj burse, ata iu bashkuan grupit prej 100 përfituesish RMUSP për vitin 2014-2015, nga Bullgaria, Republika Çeke, Hungaria, Kosova, Republika e Maqedonisë, Rumania, Serbia, Sllovakia dhe Turqia. Që të gjithë janë trashëgimi e përpjekjes dhjetëvjeçare e REF-it për të ndërtuar një brez të rinjsh rom në të gjitha sferat e jetës akademike dhe profesionale. Pjesëmarrjen e autoriteteve të larta të vendit dhe të huajve e evidentuam edhe gjatë aktiviteteve të tjera, siç ishte ai me studentët që studiojnë në shkencat sociale dhe humane në Shqipëri, me qëllimin e qartë të krijimit të një forumi publik motivues për të ndarë nevojat e tyre, si dhe të sigurojë kushte për ta, për të ndërtuar marrëdhënie të tilla, të cilat do t’i shoqërojnë ata në të ardhmen e jetës së tyre akademike dhe profesionale. I pranishëm në këtë ngjarje ishte ambasadori zvicerjan në Shqipëri shkëlqesia e Tij, Christoph Graf. Dëshiroj të shtoj gjithashtu se qeveria zvicerjane ka qenë vazhdimisht në mbështetje të arsimit të romëve dhe egjiptianëve në Shqipëri dhe në vendet fqinje.

Pra, tashmë  ju e keni fituar një mbështetje të mjaftueshme?

Besoj se po. Megjithatë na duhet të punojmë shumë dhe vazhdimisht dhe të mësojmë nga shoqatat tona të romëve dhe egjiptianëve. Mund të them se nuk na ka munguar ndihma e Brisilda Taços, e cila është vetë një alumni e RMUSP dhe anëtare e bordit përzgjedhës RMUSP  në Shqipëri. Po kështu kemi qenë të mbështetur edhe nga zëvendës rektori i Universitetit të Tiranës, prof. assoc Ervin Demo. Në takime të tilla mjaft domethënëse ka qenë dhe fjala e oficeres së programit REF, Szilvia Pallaghy, e cila tha: “Pas jush qëndrojnë me mijëra fëmijë, më pak të privilegjuar, të cilët ende nuk kanë një mundësi për të hyrë në arsim cilësor gjithëpërfshirës. Ju luani një rol kyç në qytetarinë aktive dhe duhet të siguroheni që dera e mobilizimit social të mbetet hapur”.   Në aktivitetet tona nuk kanë munguar as intelektualë të tillë si  pedagogu i Universitetit Marin Barleti, Erion Kristo,  Meleqe Rrënja, mësuesja e parë rome në Shqipëri, Skënder Veliu, kreu i organizatës “Amaro Drom” Isida Rrapi –ish-alumni RMUSP,  Emiliano Aliu, koordinator i “Roma Veritas”, financuar nga REF në Shqipëriet. Gjithashtu nuk mund të lë pa përmendur Marsela Tahon, kordinatore e REF-it për Shqipërinë. Sigurisht nuk kanë munguar asnjëherë as ndihma nga Ministria e Mirëqenies Sociale, përfaqësuar nga Ilda Bozo

Mund të na thoni shkurtimisht diçka mbi Fondacionin për Edukimin Rom?

Po . Deri në fund të 2010 REF i ka marrë 14 propozime për projekte nga Shqipëria, 5 nga të cilat u aprovuan. Nga 2006 deri në 2008 UNICEF-i në Shqipëri dhe “Amaro Drom” zbatuan një projekt me mbështetjen e REF-it, i cili u fokusua në advokim për implementimin e strategjisë rome, në një fushatë për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e regjistrimit të lindjeve, për arsimin dhe rritjen e përfshirjes së fëmijëve romë në arsimin parashkollor. Shtatë OJQ, rome dhe 200 mësues, pesë administrata të rretheve dhe një numër intelektualësh të komunitetit rom u përfshinë në këtë projekt. REF-i e vlerësoi projektin si një praktikë të mirë. Në monitorimin e fundit, stafi i REF-it vuri re se sfidat përfshijnë nevojën për t’u kushtuar vëmendje balancimit etnik dhe komunikimit me prindërit jo romë. UNICEF në Shqipëri advokoj gjithashtu me sukses për rekomandimet, të cilat fokusohen që përfshirja sociale të bëhet pjesë e strategjisë kombëtare për zhvillim dhe integrim.

Vepror HASANI