Aqif Pashë Elbasani, figurë e shquar e historisë shqiptare

3857
Sigal

Kush ishte Aqif Pashë Elbasani, Biçakçiu i famshëm i disa ngjarjeve historike

Aqif Pashë Elbasani, ose siç njihet me mbiemrin tjetër Biçakçiu; ka qenë ministër i Brendshëm nga 28. 3. 1914 deri më 3. 9. 1914 në Qeverinë e Ismail Qemali. Ai njihet edhe për një fakt tjetër sepse ka ngritur flamurin e Pavarësisë në Elbasan që më 25 Nëntor të vitit 1912, d.m.th tri ditë para atij që u ngrit në Vlorë.

Biçakçinjtë e me nam të Elbasanit

Aqif Pashë Elbasani rridhte nga familja e madhe dhe dëgjuar e Biçakçinjve. Si fis Biçakçinjtë dalin në dritë dhe njihen për herë të parë në fillimet e shek.XV. Veprimtaria e kësaj familjeje të pasur është plot me kontribute politike dhe atdhetare në çdo periudhë historike të Shqipërisë. Ajo gjithmonë ka qenë e përfshirë në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore prej lindjes së saj dhe deri në  çerekun e parë të shekullit të shkuar. Biçakçinjtë, kjo familje fisnike me gjak shqiptar, ka qenë shumë e dalluar dhe e spikatur  për gjatë sundimit të tejzgjatur të perandorisë Osmane.

Aqif Pasha, pasardhës i denjë i kësaj familje të madhe çifligarësh

Aqifi lindi në qytetin e Elbasanit, mbaroi arsimin e mesëm në vendlindje, studimet e larta për drejtësi i kreu në Stamboll, ku u lidh herët me qarqet patriotike shqiptare. Pas fitores së Revolucionit xhonturk, ai u bë kryetar i klubit “Bashkimi”. Ky moment shënon jo vetëm kurorëzimin e veprimtarisë shoqërore e patriotike, gjatë studimeve por dhe themelon patriotin konsekuent. Ai nga sot e në vazhdim do të jetë në të gjitha tubimet, kongreset ku luhen e vendosen fatet e atdheut. Është pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës, në atë të Elbasanit, 1909, si dhe kontribuues aktiv në çeljen e Normales në vitin 1909.

Në Shpalljen e Pavarësisë, dora e djathtë e Ismail Qemalit

Qe ndër njerëzit më të shquar, me më merita në organizimin e kryengritjes së përgjithshme për shpalljen e Pavarësisë dhe u vu pa hezitim në krah te Ismail Qemalit. I njohur si besnik i Qeverisë së Vlorës u ngarkua me shumë detyra të cilat i krehu me përgjegjësi e përkushtim atdhetar. Dha një kontribut të shënuar në vendosjen e drejtësisë shqiptare e cila nuk kishte kurrfarë baze shkencore. Hartoi dhe zbatoi në praktikë punën për të drejtën penale e civile, duke vendosur për herë të parë në vend jurinë në gjykatoren e noterisë. Po në këtë kohë kemi përkujdesjen e tij të madhe ndaj përpjekjeve që vinin nga të gjitha anët për copëtim të Shqipërisë, për gllabërimin e trojeve etnike. E përjetoi me dhimbje këtë mallkim dhe do t’i mbështeste me armë e para  luftëtarët dibranë të Elez Isufit. Në protestat e qytetit të Elbasanit realizuar në 1913 kundër copëtimit të trojeve etnike, Aqif  Pasha ishte figurë qendrore. Pas dorëheqjes së  Qeverisë së Vlorës, Aqif Pasha, sikundër dhe shumë patriotë të tjerë, mbështetën Princin. Nuk pranoi dhe refuzoi prerë të merrte pjesë në të ashtuquajturin Qeveri të Durrësit. Nuk pati dhe kurrë nuk qe në një mendje me Esat Pashë Toptanin, madje shume shpesh u ndesh me forcat e atij krahu, pasi pati zbuluar qysh herët qëllimet e errëta nga ku buronte edhe ajo urrejtje karshi Princit të sjellë nga Evropa.

Në krye të Kongresit të Lushnjës

Në vitin1918 i dërgon me kurajo atdhetare e largpamësi Kongresit të Durrësit tërë platformën e cila që një shërbesë e shenjtë, qe një platformë për veprim të mëtejmë të Çështjes Kombëtare, për mënyrën dhe mjetet e duhura në kundërvënie të qëllimeve shoviniste të fqinjëve e më gjerë. Gjatë kësaj kohe vlen të përmendet lidhja e tij e ngushtë me Hoxhë Kadrinë dhe Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Kjo veprimtari e zjarrtë e me vizion tërësisht atdhetar, tërë ky angazhim i shquar në organizimin, ruajtjen, fuqizimin e shtetit e çon në mbledhjen e Kongresit të Lushnjës, kongres që e nxori në krye të Asamblesë. Është një nga pikat e arta të veprimtarisë së tij të mëtejme. Mund të thuhet me fakte e prova se qe fat për vendin që pikërisht në atë vit të vështirë e të rrezikshëm  siç qe ai i luftës heroike të Vlorës, Aqif pasha, kjo figurë e adhuruar fund e majë, qe jo vetëm krah por dhe ndihma e parë për finalen fituese të luftës. Pa dyshim qe pikërisht, edhe këtë radhë kontributi i madh i tij dhe patriotëve të shumtë të Elbasanit, që luftës së Vorës i dhanë frymë kombëtare. Një jetë e tërë në shërbim të pavarësisë dhe lirisë së Shqipërisë , duke i bërë nder jo vetëm në punët e brendshme, por dhe në stimujt dhe lidhjet e fuqishme me emigracionin. Autoriteti i Aqif  Pashës ishte i pranishëm edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, të fqinjëve dhe më gjerë.

I patundur deri në fund

Në vitin 1922 tërhiqet nga jeta politike, emigron në Baden e më pas në Vjenë. Edhe këtu ai mban lidhje më shokë e miq atdhetarë aq sa grupi politik i Nolit e kandidoi në zonën e Korçës në vjeshtë të 1923 dhe ku Aqif pasha do të kurorëzohej me fitore. Më 1926, me rastin e vdekjes, gazeta “Liria Kombëtare”, e vlerësonte si “njeri pozitiv” duke e përjashtuar nga bejlerët dhe pashallarët” e liq”. Veprimtaria politike e Aqif pashë Elbasanit është vlerësuar sipas kohës. Në vitet e pluralizmit politik është ngritur për të një përmendore, e vendosur në njërin prej shesheve publike të Elbasanit., por në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, kjo figurë do riparë dhe rivlerësuar, pasi ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të veçantë në çështjen atdhetare.

ÇIFLIGARË TË MËDHENJ ME KONTRIBUTE HISTORIKE

Familja e Biçakçinjve, pinjollët e saj, falë veprimtarisë së tyre, fituan dhe gëzuan me plot meritë shumë tituj, grada dhe ndere si nga Porta e Lartë ashtu edhe nga autoritetet ballkanike e vendase. Pesha e angazhimeve të saj,  si dhe kontributi i elementeve njerëzor, dalë nga gjiri i tyre, ka qenë i pranishëm në forma e rrugë të ndryshme edhe në historinë tonë jo të largët. Kjo familje çifligare, me një pasuri marramendëse, ndër të parat në Shqipëri për nga inventari pasuror, në mos e para, akoma nuk i ka të përcaktuara kufijtë. Natyrisht që, një pjesë e mirë e kësaj pasurie u shkri për të mirën e vendit. Të vendosur në zemër të Shqipërisë, në treva të buta e të begata vite mbas vitesh biçakçinjtë e famshëm të Elbasanit punuan, luftuan dhe u kulturuan duke bërë emër të mirë. Si një racë e fortë shqiptare ata mbajtën mbi shpatulla shumë drama dhe halle.

BREZA PASHALLARËSH DHE SUNDIMTARËSH

Po kush ishin brezat e Biçakçinjve. Sipas historisë dhe dokumenteve të gjetur nëpër arkivat. I pari që njihet është  Sinan pashë Biçaku-100-1470; Sinan bej Biçaku, mësues, profesor i vetë Sulltanit; Ahmet aga Biçaku, komandant në betejat e perandorisë për pushtimin e Arabisë dhe Egjiptit, Sedefqar, kryearkitekt i perandorisë; Ibrahim pashë Biçaku 1587-1632, vezir në Bursa; Halit pashë Biçaku1690-1775, ushtarak i lartë i vëllai i tij arriti deri prefekt i Stambollit; Ibrahim pashë Biçaku 1715-1770 disa herë vezir i perandorisë si në Manastir, Hungari, poet, muzikant;  Muhamet Biçakçiu, arkitekt i ujësjellësit të parë në Elbasan; Ibrahim pashë Biçaku, vezir, më tej dhjetëra e dhjetëra ofiqar deri te ai më afër nesh, Sefedin bej Biçaku, ushtarak i lart. Ndërtoi dy kisha të krishtera në qytet,ndonëse paguhej e trajtohej prej vetë perandorisë. Një tjetër pinjoll i këtij fisi dhe familjeje ishte Dervish bej Biçaku1820-1885, i ati i Aqif  Pashë Elbasanit, që drejtoi dhe sundoi në ato vite në Elbasan.

Ergys SINANI