Albana Shehu Qiriako:“Femrat shqiptare nuk bëjnë sa duhet për veten”

831
Sigal

INTERVISTA/ Flet Drejtorja e Departamentit të Programacionit në TV “Scan”, Albana Shehu Qiriako: Bota e televizionit është e vështirë, por të jep kënaqësi

Është shumë e kënaqur me profesionin që ka dhe pse është shumë e kufizuar në lëvizje. I mungon shumë familjes dhe asnjëherë s’e di se si i ikën ora e punës, për vetë ritmin e saj.  Për ‘të, bota e televizionit është e vështirë, por të jep sodisfaksionin dhe kënaqësinë, që rrallë ta jep ndonjë profesion tjetër… Është profesion që të mban gjatë gjithë kohës të ingranuar. Sipas saj, femrat janë një forcë shumë e madhe e shoqërisë sonë, por duhet të përpiqen më shumë për ta gjetur vendin që i takon, në këtë shoqëri.

  Ka një ndër pozicionet më të vështirë në TV “Scan”, por me durim dhe me korrektesë ka kaluar çdo vështirësi. Gjatë gjithë ditës  e gjen duke mbajtur kontakte dhe duke dhënë orientime papushim. Dhe telefonat e saj besoj se rrallë i gjen të lirë… Ajo i mungon shumë familjes pasi një pozicion i tillë të kufizon lëvizjet. Për vetë specifikat që ka departamenti i Programacionit, ku duhet të jesh ndoshta orar pa orar në punë, ka arritur në konkluzionin se komunikimi njerëzor dhe qytetar ka shumë vlera,sidomos në fushën e medias, ku aq më tepër, punonjësit e saj, duhet të shpalosim qytetari dhe kulturë, në marrëdhëniet me njerëzit.

Bota e televizionit është shumë e vështirë, por edhe e bukur. Pse zgjodhët pikërisht këtë rrugë, për profesion?

 E vërtetë, bota e televizionit është e vështirë, por të jep sodisfaksionin dhe kënaqësinë, që rrallë ta jep ndonjë profesion tjetër… Është profesion që të mban gjatë gjithë kohës të ingranuar. Ka qenë zgjedhje e hershme e imja ( ndoshta edhe e trashëguar nga familja). Që në fëmijëri, angazhohesha me Pallatin e dikurshëm të Pionierëve dhe kam patur fatin e madh, të punoj me ikona të skenës dhe ekranit, të cilët përkushtoheshin me të vërtetë shumë dhe jepnin çdo gjë të mirë nga vetja e tyre (me shumë dashuri dhe respekt, kujtoj edhe të gjithë pedagogët e atëhershëm, por në veçanti, profesorin, i cili ishte i palodhur me ne, Suat Gegën), me kujtohen detaje të paharruara nga puna e palodhur që bëhej… Shumë nga ai brez i atëhershëm i Pallatit të Pionierëve sot aderojnë në fushën e medias dhe të artit.

  -Cila është ora më e vështirë për një Drejtore Departamenti të Programacionit?

Orët e vështira janë plot, por po ju them vetëm një detaj që në dukje është i lehtë, por ka vështirësitë dhe angazhimet e veta. Qëllon, të mblidhen disa emisione dhe programe, për të cilat duhet të japësh zgjidhje dhe të mos mbetet asgjë pa u bërë, me pak ankth dhe stres në fillim , por me kënaqësinë në fund që ja ke dalë. Pasi mendoj, të thuash nuk bëhet një gjë është më e kollajta, por t’ja dalësh ajo është bukuria e gjithë kësaj punë. Kam pasur raste të tjera ku më është dashur të qëndroj në punë për ditë dhe net, pa u shkëputur, pa fjetur fare, ndoshta edhe me një orë të vetme gjumë apo fare. Dhe them me bindje që: nuk ka asgjë që nuk realizohet, vetëm duhet përkushtim dhe dashuri për punën që bën…

-Si nis puna për ju në TV “Scan”?
Puna, nis me mbledhjet e mëngjesit të departamenteve, ku ndahen detyrat dhe objektivat e ditës dhe më pas mbledhja në zyrën e drejtorit të Përgjithshëm. Dhe gjatë gjithë ditës duke mbajtur kontakte gjatë gjithë ditës dhe duke dhënë orientime papushim . Dhe telefonat tanë besoj se rrallë i gjen të lirë…

-A i mungoni shumë familjes me këtë lloj profesioni?
Të them të drejtën, unë nuk jam gjatë gjithë ditës në shtëpi, por tashmë familja ime është mësuar me profesionin tim dhe janë bërë edhe ata të ndërgjegjshëm për këtë, por ata janë pjesa që më japin forcën dhe kurajon për t’ja dalë, në këtë profesion.

-Kur nxehesh si vepron me vartësit?
Unë zakonisht nuk nxehem, ose më saktë nuk jam person që e shpreh zemërimin. Jam person që përdor fjalën si mjet komunikimi dhe jo pasthirrmat apo ulërimat… Për vetë specifikat që ka Departamenti i Programacionit, ku duhet të jesh ndoshta orar pa orar në punë, kam arritur në konkluzionin se komunikimi njerëzor dhe qytetar ka shumë vlera, sidomos në fushën e medias, ku aq më tepër ne, punonjësit e saj, duhet të shpalosim qytetari dhe kulturë, në marrëdhëniet me njerëzit.

-Cilat janë të veçantat dhe të përbashkëtat mes një drejtuese në TV dhe atyre në gazetat e përditshme?
Ndryshimi mes drejtuesve të media së shkruar dhe asaj elektronike , mendoj se qëndron në faktin se në median elektronike, duhet të jesh shumë i shpejtë, qoftë në vendimmarrje, ashtu e dhe në përgatitjen apo kontrollin e materialit pasi koha është tepër e çmuar në televizion. Shikuesi pret që të marrë në çdo sekondë informacionin që pret, pasi ky është misioni i medias televizive, të jesh pranë shikuesit dhe ta informosh në çdo moment. Prandaj je i detyruar të punosh me ritëm maksimalisht të shpejtë dhe njëkohësisht të jesh edhe saktë.

-Je penduar që keni zgjedhur këtë profesion?

Nuk jam penduar kurrë që kam zgjedhur këtë profesion, madje edhe në momente të vështira.

-Ju në një pozicion të vështirë. Ka shumë femra që respektohen në këto detyra?

Mendoj që femra shqiptare ka filluar të ndihet e vlerësuar, por ka akoma shumë punë për të bërë. Ne akoma për fat të keq, jetojmë në një shoqëri maskiliste.

 Sipas këndvështrimit tuaj cili është problemi më i madh i femrës shqiptare sot?

Problemi më i rëndësishëm i femrave sot tek ne është se ato nuk bëjnë sa duhet për veten e tyre.. Ato janë një forcë shumë e madhe e shoqërisë sonë, por duhet të përpiqen më shumë për ta gjetur vendin që i takon, në këtë shoqëri. Janë ato që i japin kuptimin jetës dhe pa dyshim vendi i tyre është në piedestale. Pa ato asnjë shoqëri nuk bën dot përpara.

Në gjithë këto impresione, çfarë vlerëson tek njeriu?

 Tek njerëzit vlerësoj pa masë sinqeritetin, shpirtgjerësinë dhe mirëkuptimin. Të japësh dashuri, gjithashtu, është shumë e rëndësishme dhe mendoj se është pikërisht ajo që na duhet ne si komb.

 A është shoqëria shqiptare maskiliste?

Për çdo ditë maskilizmi lëshon terren, por ende shoqëria jonë është e tillë. Femrës sot i duhet të ketë më shumë kurajo, më shumë impenjime në shoqëri, më shumë e lidhur me dijen, studimin.