Aktori Rus Xhorxh Iobadze, fitues në festivalin e Korçës: Vetëm dashuria të bën të thurësh ëndrra për jetën

797
Sigal

Aktori rus, Xhorxh Iobadze, fitues i shfaqjes më të mirë

 

Vetëm dashuria të bën të thurësh ëndrra për jetën

 

Nga Vepror Hasani

 

Festivali i 16-të Ndërkombëtar i Monodramës kishte nisur që prej një jave. Korça ishte në festë. Atë mbrëmje jepej shfaqja e fundit. Spektatorët ishin të shumtë. Për një çast të shkurtër skena e teatrit “Andon Zako Çajupi” u pa bosh. Pastaj dritat u fikën, por sakaq u ndezën përsëri. Të gjithë panë të shtrirë mes skenës një djalë të ri, ngjasonte me një qenie të plagosur. Rrëmbimthi u çua në këmbë; jo, nuk u çua, u shkëput fluturimthi prej i skenës dhe u ngjit lart si diçka që mund të qëndronte në ajër. Ishte i qeshur, dukej sikur donte të na thoshte: “Unë jetoj me plagët e mia, qesh me to, nuk stepem nga asgjë, më pëlqen dashuria. Edhe lotët janë dashuri. Dashuria na mban gjallë; vetëm këtë gjë i kam zbuluar kësaj jete. Lotët dhe dhimbjet janë jetë; të tjerat shkojnë ashtu siç vijnë”. Ky ishte impresioni i parë që përshkoi shikuesit tejpërtej. Vetiu u dëgjuan duartrokitje të forta. E ndjeu simpatinë e spektatorit dhe foli shqip: “Faleminderit!” Nuk kishin kaluar më shumë se disa sekonda, por ai e kishte fituar zemrën e spektatorit. Ishte simpatik në çdo lëvizje. Mes tij dhe aktorit pati një afrimitet të çuditshëm, sikur të njiheshin prej vitesh. Quhej Xhorxh Iobadze, vinte nga Teatri i Moskës. Monodrama e tij titullohej “Unë, Gjyshja, Iliko dhe Hilarioni”, bazuar në novelën e Nodar Dumbadze, kurse në rol e kishte emrin Zuriko, ndaj tashmë e në vijim ne do të flasim vetëm për Zurikon, i cili aktronte, vallëzonte, këndonte, kërcente dhe herë pas herë thoshte diçka shqip. Ai kishte shok të tij edhe një qen të quajtur Murada, që e donte po aq shumë. Me rolin e tij ai krijoi një nga ata tipa me të cilin njerëzit bien në dashuri që në çastin e parë. Nuk ju ka ndodhur të shihni personazhe të tillë gjatë jetës tuaj? Keni rastin të njiheni me të. Ngjarjet i përkasin vitit 1940.

Fashti i Zurikos, më i bukuri në botë

 

Zuriko jetonte në një fshat, ku më të djathtë të tij rridhte lumi Gubazouli, ndërsa më të majtë një lumë i vogël me emrin Lasha, i mbushur me gaforre dhe peshq. Urën e lumit Gubazouli e merrte çdo vit uji i furishëm i pranverës, por Zuriko e quante fshatin e tij më të bukurin në botë. Aty djemtë rriteshin këmbëzbathur, por për të ishte i vetmi vend ku mund të jetonte me Gjyshen, Ilikon, xhaxhain Hilarionin dhe qenin e vet të quajtur Murada, ndaj fshati i tij ishte më i bukuri dhe më i dashuri në botë. Në shkollë shkonte këmbëzbathur deri sa fillonte e ftohta e parë; në çantë mbante gjithnjë fruta dhe llastiqe; kishte vetëm një palë pantallona të arnuara dhe qenin Murada që e merrte çdo ditë me vete. Ishte nxënës i shkollës së mesme në klasën e gjashtë. Edhe Murada ishte i gëzuar që e shoqëronte Zurikon deri te shkolla; ata flisnin me njëri-tjetrin si shokë dhe kuptoheshin më mirë se njerëzit. Sa herë Murada binte dakord, i përgjigjej me lëvizjen e bishtit. Në fshat, Zurikon, e quanin “qendashës”, por ai nuk donte vetëm qentë, donte gjithçka, kurse në shkollë e quanin “batakçi”dhe “Përtac”, ndërsa Gjyshen e tij “Zarbanike”; kjo e bënte që edhe Gjyshen ta donte më shumë. Të gjitha këto, Zuriko i rrëfente me valëzimet e tij, me fjalën, me kitarën, me plastikën, me mënyrën e shprehjes, me dhimbjen, me gëzimin e me gjithçka tjetër që buronte prej shpirtit të tij, sepse ai ishte vërtet Zuriko; emrin e vet Xhorxh Iobadze, e kishte harruar. Peripecitë e tij të shumta e bënin të dashur për spektatorin. Ishte një djalë çapkën, që dinte ta rrëfente bukur jetën e tij sa t’i bënte të gjithë për vete. Kur spektatori entuziazmohej, ai sërish gjente një fjalë shqip: “Ju dua shumë”! Komunikimi i tij ishte prej mjeshtri. Dëshironte të na tregonte çfarë është dashuria.

Doktori

 

Kur vinte pranvera, Zuriko-s i duhej ta linte shkollën për një javë që të prashiste misrin, por që të mos përjashtohej nga shkolla i duhej raport mjekësor. Për këtë arsye, në një prej mëngjeseve të pranverës, nuk ngrihej nga krevati, shtrëngonte kokën me peshqir, përpiqej të ishte i zbehtë dhe të kishte pamje të dhimbshme, kurse Iliko shkonte të thërriste doktorin. Me të mbërritur mjeku, Zuriko rënkonte: “Po vdes!” Por kur e pyeste doktori çfarë të dhemb, nuk dinte si t’i përgjigjej. “Të gjitha i dhembin”! – ndërhynte Gjyshja. “Edhe flokët?”- pyeste doktori. “Edhe flokët!” – përgjigjej vetë Zuriko. “Kohët e fundit është dobësuar shumë, shtonte Hilarioni, nuk ka oreks fare…”. Por doktori e kuptonte lojën. “Po për pulë të pjekur me lëng hudhre, ose djathë me nenexhik, ose pulë të zierë me erëza, ose, miku im i dashur, ndoshta le të themi dhe troftë në salcë arrash? Si thua? Askush nuk i përgjigjej. Edhe të donin, familja e Zurikos nuk i përballonte dot meny të tilla. “Ky idiot do ma çmendë fëmijën”, mërmëriste Gjyshja. “Me çfarë e trajtoni të sëmurin?” – pyeti doktori. “Fërkohet me uiski dhe vodka”, ishte përgjigjja. “Silleni vodkën këtu!” Doktorit i duhej një kupë çaji me vodkë që të jepte raportin. Të gjitha këto, aktorit Xhorxh Iobadze, në rolin e Zurikos i thoshte në rusisht, por te spektatori mbërrinin sikur të ishin në shqip. Gjithkush prej tyre dëshironte që Zuriko ta merrte raportin; madje spektatorët ishin gati t’i thoshin doktorit se Zuriko ishte vërtetë i sëmurë. Pse ndodhte kështu, sepse bota ishte e padrejtë me të, ndaj njerëzit dëshironin t’i dhuronin pakës dashuri, aq sa mundnin, por edhe sepse Xhorxh Iobadze e bënte të vërtetë personazhin. Ai jo vetëm aktronte, edhe regjia edhe koreografia ishin të tijat.

Vdekja tragjike e qenit Murada

 

Misri po rritej, por soja që kishin mbjellë po u dëmtohej nga lepujt. Zuriko dhe Hilarioni vendosën t’i ruanin të mbjellat. Të nesërmen në mëngjes herët, morën armët dhe shkuan në fushat e fermës; me ta u bashkua edhe qeni Murada. Me të mbërritur atje, vendosën të pushonin. Hilarioni nxori nga çanta një pulë të zierë, bukë, djathë, një shishe me vodka rrushi, kurse Zurika hithra, fasule, patate të ziera dhe kripë. Gostia filloi, nisën të pinin vodka; u dehën të dy. Nisën t’i thurnin lavde njëri-tjetrit. Murada nuk ishte më aty, kishte shkuar të gjuante lepuj. Shkuan edhe ata të dy. I pari qëlloi Zuriko, pastaj Hilarioni dy herë me radhë. U dëgjua një klithmë qeni që ta copëtonte zemrën. Zurikos iu errësuan sytë, këmbët iu prenë, ra përdhe. “Murada, i dashur, më shiko mua!”- nisi vajtimin Zuriko duke puthur qenin e tij të besuar. “Mblidh veten bir,- i tha Hilarioni, duke fshirë lotët. Murada hapi sytë dhe pa nga ata; edhe qeni po qante. Qanin të tre. Hilarioni kishte pushkë të keqe, kështu e kishte vrarë dhe qenin e tij kohë më parë; pa dashje. Nuk ka brengë më të madhe se të vrasësh një tjetër pa dashje. Është dhimbje që nuk harrohet. Murada fërkoi me butësi fytyrën e tij te gjuri i Hilarionit, sikur donte t’i thoshte: “Ndodhi padashur! Unë e di që ju më donit shumë, jam i bindur që nuk do të më vrisnit kurrë”. Pastaj Murada hodhi sytë për herë të fundit mbi Zurikën dhe vdiq. Nuk do t’i shikonte më miqtë e tij. E varrosën poshtë një rrapi, pa mbajtur dot lotët. Ishte një dhimbje e madhe. Nëse në botën tjetër ka parajsë për qen, atëherë porta është e hapur për Muradën, tha Hilarioni, duke shpresuar ta takonin atje, nuk e dëshironin ndarjen as pas vdekjes.

Dashuria e Zuriko-s me Merin

 

Zuriko kishte rënë në dashuri me Merin. Romulus, shoku i tij, e ndihmoi të shkruante letrën që do t’ia dërgonte Merit: “E dashur, e pakrahasueshme! – diktonte Romulus, dashuria është ndjenja më e madhe. Nga dashuria njeriu bëhet i mpirë, ngecet, verbohet, çmendet…
“Nuk është e vërtet!” – kundërshtoi Zuriko. “E di, por është kaq e nevojshme… i shpjegoi Romulus. “… që kur të pashë për herë të parë, e dija të vërtetën absolute të bukurisë. Mora vesh kuptimin e qenies sime. M’u duke si një hyjnizim i bukurisë shpirtërore dhe kënaqësisë estetike…”. “Nga i gjen këto fjalë?” – e pyeti Zurika. “Një student nga Tbilisi i dërgoi një letër motrës sime. Ai kishte rënë në dashuri me të. Dhe ajo donte të martohej? – pyeti sërish Zurika. “U mblodhëm. Por pastaj një nga miqtë tanë nga Tbilisi na njoftoi se studenti u çmend…”.
Shkruaj, i tha Romulus: “Nuk ka kuptim ta fsheh, për mua je më shumë se jeta. Bëhu shoqja ime shpirtërore. Të lutem. Më hoqën paqen sytë e tu, qerpikët, dhëmbët si perlë, buzët si koral, flokët si rubinë, gishtat, duart. Me ty përgjithmonë, ose vdekje për mua! Mirupafshim!” Letrën e futi fshehtas në çantën e Merit. Po atë ditë u takua me Merin. “Meri!”, – i tha me butësi. E lexove letrën, Romulusi e ka fajin, unë nuk doja të shkruaja, por ai më tha është e nevojshme. “Nuk është mirë të tallesh kështu, Zuriko…”. “Nuk po tallesha, Meri… Unë…”. Pastaj nisën të ecnin ngadalë përmes dëborës së freskët, kaluan pranë shtëpisë së tij dhe pemëve të mbuluara me dëborë. I tregoi edhe për Muradën: “E doja shumë… Edhe Murada më donte shumë… Flisja me të si njeri… Kur ai vdiq unë isha gati të bëja vetëvrasje… Nga dashuria një njeri mund të çmendet!… Ke ftohtë? – e pyeti Merin, duke i hedhur lëkurën e deles mbi shpatulla. Kaluan edhe nga shtëpia e Merit. Zuriko e përqafoi me butësi Merin, kurse ajo e tërhoqi dhe e futi fytyrën e tij në flokët e lëshuara të saj. Meri qau, qau dhe ai. Binte dëborë, frynte erë, kishte dhe hënë, dhe diell, dhe dashuri, dhe lot, dhe shumë, shumë dëborë.

Dashuria të bën të thurësh ëndrra për jetën

 

Në atë fillimdashurie, Zuriko ndjeu lumturi të paprovuar. Nuk ishte më ai fshatari i Zurikelas, ndihej më i rritur dhe kishte diplomë kolegji. Shpejtonte të kthehej në fshat sa më parë, atje kishte Gjyshen, Ilikon dhe xhaxha Hilarionin. Por tani kishte edhe Merin, si mund ta linte atë të priste?! Ëndrrat e tij ishin të mëdha: para shtëpisë do të bënte një vreshtë, brenda tri vjetëve do të merrte prodhimin e parë. Do të punonte shumë, do të kishte shtëpi me oborr, por edhe një qen me emrin Murada. Mbi të gjitha kishte Merin, me të do bënte dymbëdhjetë fëmijë; njëmbëdhjetë djem, dhe një vajzë të bukur me sytë blu. Në qytet do të shkonte shpesh që t’u sillte, fëmijëve dhe gruas së tij, dhurata dhe libra. Nuk do të harronte as për Gjyshen; ajo do të qante nga gëzimi, kur ta merrte vesh për dhuratat. Do të jetonin bashkë të gjithë: me Gjyshen, me Ilikon dhe me Hilarion. Do të kishte shumë fëmijë, nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, dëshironte të ishin shumë: një fshat i tërë. “E gjithë bota do të jemi ne”, – thoshte Zuriko, – dhe do të jetojmë përgjithmonë”. Një çast më pas i thirri Gjyshes, por nuk mori përgjigje. Shkoi në dhomën e saj dhe pa se ajo po flinte. Nuk donte ta zgjonte, po ajo hapi sytë, sikur ta dinte që ishte takimi i fundit me nipin e saj. E pyeti a ishte diplomuar në Universitet. Zuriko nxori me të shpejtë diplomën nga xhepi dhe ia dha Gjyshes. Ajo e mori, e përkëdheli dhe i rrodhën lot. Tani ulu dhe më dëgjo,bir… unë nuk do ta arrij mëngjesin. Falënderoj Zotin që nuk më la të vdisja para se të vije ti. Mos i humb, bir, Ilikon dhe Hilarionin, duaji dhe gjithmonë dëgjo çdo gjë… Pastaj Gjyshja u ngrit dhe zgjati duart drejt tavanit: “Zot i Mirë, Zot i Madhërishëm, Mamaja e Zotit, Virgjëresha Mari e Bekuar, të ngarkoj djalin tim… Mbaje dhe mbroje… Bëhu mbrojtësja e tij në telashe… Zgjati ditët e tij dhe shtoji brezat e ardhshëm. Amen!

Pastaj me qetësi ajo tha: Shuaje dritën dhe dil…

Pak më vonë

“Kur, pak minuta më vonë, u ktheva te gjyshja, – tregonte Zuriko,- ajo nuk po merrte më frymë. U përkula nga ajo për një kohë të gjatë, për një kohë të gjatë shikoja nga afër fytyrën e saj të ëmbël, të dashur. Dikush hyri në dhomë dhe qëndroi mbrapa meje. Dëgjoja dikë që merrte frymë dhe ndieja që kjo frymë do ishte gjithmonë me mua, gjithë jetën time. E dija që ishte Meri, Meri im, që ndezi dritën. Pastaj pashë mbrapa. Pashë rrotull për dritën dhe në rrezet e saj, Ilikon tim, Hilarion tim dhe Gjyshen time”.