Aida Cara: Shqiptarët janë artdashës dhe i vlerësojnë artistët

792
Sigal

Flet këngëtarja e muzikës popullore, Aida Cara: Unë e gjej veten tek muzika popullore

Këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore, Aida Cara, padyshim ka arritur  të zërë një vend që meriton në mesin e këngëtareve më të popullarizuara,  jo vetëm në Shqipëri, por kudo në trevat ku ka shqiptarë, dhe në vendet ku jetojnë shqiptarë. Repertori i saj përmban këngë popullore të të gjitha trevave të Shqipërisë, por veçanërisht të Shqipërisë së mesme. Hyrja e saj në konkurrencën e këngëtareve të këngës popullore ka ardhur në mënyrë të bindshme, pasi kënga për Aidën është pasion, dashuri, dëshirë dhe përkushtim. Një jetë me muzikë, për plot 20 vjet me radhë këngëtarja Aida Cara është prezente në tregun muzikor, në skenë e kudo. Në këtë intervistë, këngëtarja Cara na flet për karrierën e saj muzikore, si dhe planet e afërta në këtë fushë.

 Për çfarë keni studiuar, dhe prej sa vitesh jeni në skenën shqiptare?

 Kam mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme. dëshira ime ka qenë gjithmonë për të vazhduar studimet e larta në Akademinë e Arteve, për muzikë ose për pikturë, pasi të dyja më kanë pëlqyer gjithmonë. por jam larguar nga Shqipëria dhe nuk kam pasur mundësinë ti ndjek studimet e larta. Kam kënduar që fëmijë me grupet dhe koret e fëmijëve në shkollë, por si profesion kam 20 vjet që e ushtroj muzikën.

 Cila është rryma muzikore që ju këndoni? Sa e lidhur jeni me muzikën?

 Më pëlqen çdo lloj rrymë muzikore, mjafton të këndohet dhe interpretohet bukur. Unë e gjej veten tek muzika popullore. Kënga është dashuria, pasioni im. Është profesioni im dhe e bëj me shumë dëshirë dhe përkushtim.

 Cilën do veçonit nga këngët tuaja më të pëlqyerën nga publiku?

 Kam realizuar disa këngë dhe videoklipe të cilat janë të pëlqyera nga publiku shqiptar, por mendoj se më të suksesshme janë këngët “Shoqnia”, “Hopa-hopa”, “Ura e Tabakëve”. Kam edhe një baladë me kolegun Ymer Bajrami nga Prishtina që titullohet “Veç njëherë në jetë”, dhe që është shumë e pëlqyer dhe e klikuar në Yotube.

  Ju këndoni brenda dhe jashtë vendit. Si pritet kënga popullore në diasporë?

 Po, është e vërtetë që këndoj këtu dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, si në Itali, Gjermani, në Zvicër. Kam kënduar për shumë vite për bashkë atdhetarët tanë dhe kudo jam ndier e vlerësuar dhe e mirëpritur. Shqiptarët janë artdashës dhe i vlerësojnë artistët.

 Cilat janë planet tuaja në fushën e muzikës në të ardhmen? Do të shohim ndonjë album të ri?

 Po punoj dhe është në planet e mia që të realizojë dy këngë dhe dy videoklipe të reja në bashkëpunim me kompozitorin Alban Furtuna dhe Edi Balili, dhe me shtëpitë diskografike Max produksion dhe BBF TV.

 Ndonjë turne jashtë vendit?

Këto ditë jam e ftuar në një koncert në Bruksel, ku do të këndoj për bashkë atdhetarët tanë atje. Për festën e Shën Valentinit jam e ftuar në Milano.  Në axhendën time është Australia. Së shpejti pres të jem përballë një publiku artdashës siç janë shqiptarët e Amerikës, ku jam e ftuar nga Albanian Entertainment, me president zotin  Hysen Elmazaj, për të performuar për shqiptarët që jetojnë atje.

 Intervistoi: Eglantina Alliaj