Ahmet DEMA/ “Klubi  Labëria” dhe veprimtaria patriotike…

1120
Sigal

 *Një dolli e me shëndet/ Nëntë për kombin, një për vete…

Në një nga lagjet e vjetra të Vlorës është themeluar edhe “Klubi Labëria” në vitin 1908…  Katër vargjet e gdhendura në atë kohë transmetohen dhe falsin shumë edhe për këtë kohë:

Njëmbëdhjetë vjeshta e dytë,

Vlorës seç i çelen sytë,

Kjo ditë e shënuar bie,

Nder për lagjen “Muradie”…

I besojmë dhe mëshojmë folklorit, fjalëve të urta, proverbave, sepse ato që montojnë në historinë e popullit, bëhen pa interesa e përfitime personale… E hapëm “portën” e këtij shkrimi kështu, e duke u kthyer tutje në kohë, në 106 vjetorin e “Klubit Labëria”, themeluar në vitin 1908, ndonëse mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër të përafërt të tij me datën 11 tetor, e cila njihet si data e themelimit të “Klubit Labëria”.

Sidoqoftë, sipas shumë shkrimeve për “misterin” dhe për muajin tetor, kjo datë dhe ky muaj më shumë se të tjerat solli mbarësi, sepse “Klubi LABËRIA” ishte dhe organizimi me serioz për dritë në sy të shqiptarëve dhe për Pavarësi Kombëtare. Ndaj për Vlorën, me guximin, mençurinë, patriotizmin dhe besën e dhënë, i janë besuar, ose u vet organizuan për aksione më të guximshme të çështjes Kombëtare.

 Ndaj dhe detyra e gjithë shqiptarëve ngeli: “Të marrin flakën e atdhetarisë që këta burra ndezën në Vlorë, në kohë shumë të vështira, të shpërndajnë dhe të ndriçojnë udhën, për të shërbyer me përkushtim Vlorës dhe atdheut tonë të dashur. “Që e nesërmja të jetë dhe do të jetë më e mirë”.

 Po si ndodhi rrjedha? Më 23 korrik të vitit 1908 xhonturqit shpallën “Hyrjetin”- Kushtetutën) që premtoi liri kombëtare nënë perandorinë e saj.

Ashtu si edhe të tjerë, shqiptarët e interesuar jo për portofole perandorake, po për interesa madhore kombëtare, duke ju mbetur besnik “Lidhjes së Prizrenit”, “7 Marsit të Korçës” etj., ngjarje që kalendari historik i ka shënuar dhe folklori i ka ruajtur në gji, të gdhendur në këngë si amanete të çmuara… Mençuria, ajka vlonjate ndërmori më 11 tetor 1908 aktin e Themelimit të “Klubit LABËRIA”.

Është detyrimi ynë si pasardhës të tyre, të kujtojmë, të evidentojmë dhe të nderojmë, po dhe të kryejmë mirë detyrimin tonë historik, në vazhdim të veprës së tyre, në shërbim të atdheut, kombit!

  Po kush ishin këta burra të Vlorës, të rrallë të kohës dhe të krahinave për rreth saj? Më shumë se 40 burra në atë kuvend burrash, ku zgjodhën për kryetar nderi Ismail Qemali, Kryetar Ekzekutiv Xhemil Vlorën dhe sekretar Leonidha Naçi.

Me rastin e 100- vjetorit të “Klubi Labëria”, dega Vlorë, akordoi dhe i nderoi këta burra faqendritur të historisë me Certifikatën e “Mirënjohjes së Labërisë” me motivacionin: “Për veprimtari të shquar atdhetare-patriotike, pas vdekjes”. Kurse këtë vit në kujtim të tyre, te ndërtesa, ku u themelua ky klub do të organizojmë “ Nderim dhe Homazhe për “Klubin LABËRIA” të themeluar në vitin 1908.

Nuk u bashkuan për kot, ata burra me përgjegjësinë  e kohës, për brezat dhe vendin, për të kthyer në moto pune të çdo ore, muaji e viti, realizimin e ëndrrave të Rilindësve tanë, që ishte me çdo kusht Shpallja e Pavarësisë.

  Qëllimi shumë i qartë i tyre, veprimtaria shumë aktive në terren, bëri që të ketë ndaj veprimtarisë së këtij klubi dhe njerëzve në përbërje të tij edhe kërcënime, deri dhe me arrestime nga regjimi i kohës. Kështu ndodhi pas vrasjes së oficerëve turq, zunë dhe dërguan në Stamboll anëtarët më aktivë të “Klubit Labëria”: Ibrahim Avdullan, Elmaz Kanina, MuçoSharra, Duro Shaska dhe Ali Beqiri. Kurse shumë të tjerë u arrestuan, por nuk e ndërprenë aktivitetin… U riorganizuan edhe më shumë  dhe shtuan veprimtarinë në teren, ndonëse në Lumin e Vlorë, ku dhe gjenin shtrat të nxehtë të veprimtarisë së tyre në, Kaninë, Drashovicë, Dukat, Brataj, Smokthinë, etj., qendra për patriot të tillë si e dr. Koleka, Hamzai Isai, Hamit Lumi, Jani Minga që qenë përcjellës dhe udhërrëfyes direkt të ideve për hapjen e shkollave, nëpërmjet shpërndarjes së librave shqip, te djemtë vlonjat, që ishin mbrujtur me idealet e Pavarësisë Kombëtare. Ata propagandonin: “Shkolla shqipe, qëllon më shumë se një top perandorak!”

Është kjo arsyeja që për periudhën 1908-1912 objektiv i gjithë këtyre objektivave i “Klubit LABËRIA” ishte Shpallja e Pavarësisë Kombëtare pa kushte e Ismail Qemalit. Asgjë nuk kursyen gjithë ata patriotë, anëtar të “Klubit”, në shërbim të asaj kauze kombëtare të shumë ëndërruar! Edhe natën e bën ditë. Shkrime të shumta dhe kapitalet e tyre, gjithë energjitë njerëzore dhe intelektuale i vunë në shërbim të kombit, deri sa më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, u bë realitet: Shpallja e Pavarësisë Kombëtare, ëndrra e 500 vjetëve të shkuar.

Është kjo arsyeja që poetët e kohës kanë lënë për Vlorën dhe bëmat e saj vargje që i përsëritën me:

Rrofsh e qofsh e bardha Vlorë

 Me Flamurë përherë në dorë,

 Me atë kryekuror,

 Më Njëzetë e tetë Nëndor…

Ishte kjo arsyeja që më 28 Nëndor 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Vlora të sjellë në gjirin e saj 1 milion shqiptarë…

Ishte po kjo arsyeja që Kuvendi i V i Labërisë, në Gjirokastër të vlerësojë kaq shumë nga personalitete më te shquara të vendit dhe të mbar opinionit shqiptar.

E në qoftë se historianët dhe vet koha nxori në ballë të historisë burrat e shquar të këtij Klubi i s’ka mbetur mbrapa edhe roli i grave të Labërisë.  Ato dhe aktiviteti i tyre qe shumë domethënës sa dhe frymëzues, sepse kishin një trashëgimin që si mohohet dot. Ato do të frymëzoheshin dhe do vazhdonin në rrugën e Miro Tërbaçit, vajza 20 vjeçe që për të marrë hakun e vëllait të sajë më 1828 la të vrarë pashain turk në Berat. Të Miro Kondit, që u bënë frymëzuese, të Marigo Posio, qëndistares së flamurit kombëtar, anëtare aktive e “Klubit Labëria” më 1908.

Si këto dhe te ato gra do të gjenin frymëzimin më 1920- Rubie Hosi, Hanko Mete, Sorte Rrokaj, apo Sado Koshena, etj. Dhe për të ruajtur e shtrirë këtë traditë më tej të 42 dëshmoret e Vlorës, nga të cilat 3 “Heroina të Popullit”, Qeriba Derri, Zonja Çurre, Persefoni Kokëdhima, të trija bija të Labërisë.

Është interesant fakti që në 5 femra të ekzekutuara në Luftën e “Dytë Botërore” fashizmi, nazizmi të varura në Litar. 3 prej këtyre grave ishin shqiptare, dhe 2 prej këtyre ishin bija të Labërisë: Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima.

Për këto tregues më 1907 kur luftonte në Labëri, Mihal Grameno do shkruante: “Gratë e Kurveleshit nuk i mbulojnë fytyrat dhe punojnë bashkë me burrat në stane, në arë e në ç’do punë tjetër që kanë”.

Kurse më 1920, At’ Shtjefën Gjeçovi konstatonte: “Këtu asnjë, fare fanatizmi nuk ka… kur të jetë puna e patriotizmës i gjen në çdo rast gati”!

Rrënjët e gjithë kësaj parade për gjithë atë veprimtari atdhetare dhe patriotike që mbolli e korri “Klubi Labëria” na bëjnë ne pasardhësit, vazhduesit e tyre që edhe pas 106 vjetësh, në 70- vjetorin e Çlirimit të vendit, të luftojmë që traditën e atdhedashurisë dhe të besës ndaj kombit tonë të lemë trashëgim te brezat pasardhës, të pazëvendësuar me asgjë tjetër.

Kjo na motivon që në pragun e 70- vjetorit të Çlirimit të vendit, më 29 Nëntor 1944- 2014 jemi të angazhuar për të kryer e nderuar çdo akt historik e atdhetar, datë historike që ka të bëjë me fatet e lirisë, dhe Pavarësisë së Atdheut.

Mendojmë se i shkon këtyre radhëve, duke e përmbyllur me vargjet e autorit dhe anëtarit të “Klubit Labëria”, Ali Asllani, poeti i shquar i vendit, bir i Labërisë:

  *Vlora trime, mrekulli,

   E ngre kupën me dolli,

   Me dolli e me shëndete,

   Nëndë për kombin, një për vete…

 

        Kryetar i shoqatës “Labëria”- VLORË