Agron Mema/ Gjenerali grek dhe goditja e Çerçiz Topullit

846
Në librin me kujtime të Ihsan Budos, themelues dhe aktivist i PKSH-së në Sarandë si dhe luftëtar i LANÇ-it në formacionet partizane të jugut, por që provoi persekucionet dhe burgjet komuniste,”Unë partizani shqiptar që shpëtova 20 mijë ushtarë italianë” vijnë shumë fakte dhe ngjarje të panjohura nga ajo periudhë që me qëllim janë fshehur nga historia. Themi me qëllim sepse protagonistët kryesorë të saj u dënuan nga sistemi për të cilin luftuan, dhe faktet e ngjarjet u servirën sipas interesit të atyre që përfituan pa hedhur një pushkë kundër armikut, por hëngrën frytet e ëmbla të pushtetit të pas luftës. Këtu vjen edhe një fakt i çuditshëm dhe plotë mesazhe që hedh dritë mbi bashkëjetesën me besimeve fetare dhe etnive të ndryshme në Gjirokastër dhe Sarandë, por edhe në evidentimin e figurave dhe vlerave të qytetit të Gjirokastrës. Ihsani shkruan se kur ka qenë në burgjet komuniste, në Ballsh, bashkë me të vuante dënimin edhe një shoku i tij i ngushtë, minoritari Stavri Papa (Bozgo), person i cili kishte kryer detyrën e kryetarit të degës së punëve të brendshme të Gjirokastrës në periudha të caktuara. Dhe një nga ditët që rrinin së bashku, Ihsani e pyet mikun se si shpjegohet që gjithë familjet e pasura të rrethit të Gjirokastrës i kishit vënë në shënjestër dhe një farë Harallamb Papadhopulli, që ishte nga tregtarët më të pasur të Gjirokastrës, nuk e keni bezdisur, apo nga që njerëzit e tij ishin nëpër punë të kualifikuara dhe njëkohësisht edhe bijtë dhe bijat janë lejuar të ndjekin studimet e larta në të gjitha profilet, pa kurrfarë kufizimi? Strati e mori fjalën dhe tha: -Se është pikërisht ashtu si thua ti se këtë familje nuk e kemi bezdisur, por e kemi lënë të qetë, për këto arsye-“Gjatë okupacionit grek më 1940, në Gjirokastër, kryekomandanti grek ishte një gjeneral dhe nën komandë të tij kishte edhe kalanë e Gjirokastrës. Gjenerali grek meqë ishte autorizuar dhe udhëzuar, që bashkë me komandimin e trupave greke të organizonte edhe administratën civile, që të merrej me plotësimin e nevojave të popullit. Në këtë kuadër gjenerali ishte urdhëruar që pasi të studionte situatën, ti propozonte qeverisë greke personin që duhej të ishte prefekti i Gjirokastrës. Gjenerali grek i propozoi qeverisë greke që kryesohej nga Metaksai, që si prefekt i Gjirokastrës të emërohej zoti Jani Diamanti, minoritar nga Derviçani që kishte mbaruar studimet e larta në Athinë për jurist. Kryetari i qeverisë greke, Metaksai, i dha këtë përgjigje gjeneralit: -Para se ju të më propozoni se kush duhet të jetë prefekt i Gjirokastrës, ju duhet të thërrisni në zyrën tuaj dhe të konsultoheni me zotin Harallamb Papadhopullin dhe pasi të marrësh përgjigjen e tij, të më propozosh atë person që ai do t’ju rekomandoj (Se ç’farë lidhje kishte kryeministri grek, Metaksai, me Harallamb Papadhopullin, janë gjëra të panjohura)
Gjenerali grek, sipas porosisë së kryeministrit të tij, Metaksait, thirri në zyrën e tij Harallamb Papadhopullin. Fjalën e mori gjenerali duke e vënë në korent për gjithçka sa thamë më lart. Plaku Harallamb Papadhopulli, pasi e dëgjoi me kujdes të madh gjeneralin grek, e pyeti se kë keni menduar ju për të emruar prefekt të Gjirokastrës? Gjenerali grek ju përgjigj se unë kam menduar që këtë detyrë t’ia ngarkojmë zotit Jani Diamanti. Plaku i Gjirokastrës, Harallamb Papadhopulli, e mori fjalën duke ju drejtuar gjeneralit: -Përse zoti gjeneral keni menduar, që një detyrë të tillë t’ia ngarkoni Jani Diamantit, për faktin se është i besimit ortodoks? Jo, zoti gjeneral, kini menduar shumë keq! Ju , gjeneral, sot keni pushtuar Gjirokastrën, por ju mbas pak kohësh do të ikni së këtejmi dhe ne gjirokastritët, ortodoksë e myslimanë, do të jemi siç kemi qenë me njeri-tjetrin. Në këtë qytet mazhoranca është myslimane. Ne as që e shihnim njëri-tjetrin nga këto pozita teologjike. Ne jemi miq me njëri-tjetrin, ju vemi për Bajram e na vijnë për Pashkë, ju vemi nëpër dasma e mort, e po ashtu na vijnë, kemi respekt për njëri-tjetrin që duhet marrë shembull. Nisur nga këto pozita, gjeneral, në qytetin e Gjirokastrës edhe prefekti duhet të jetë i besimit 
mysliman.
Zgjedhja e prefektit në qytetin e Gjirokastrës
Gjenerali e pyeti Harrallambin se kë mendonte ai. Zoti Harallamb ju përgjigj gjeneralit se ai mendonte një person që ka simpati të madhe tek të dyja besimet fetare që përbëjnë qytetin, e që është me arsim të lartë dhe që ushtron detyrën e farmacistit në qytetin tonë, dhe ky është zoti Beso Gega.
Me kaq ç’do gjë mori fund. Gjenerali grek i propozoi kreut të qeverisë së tij, Metaksait, mendimet dhe propozimet e Harallamb Papadhopullit dhe Beso Gega u emërua zyrtarisht në detyrën e prefektit të Gjirokastrës.
Z.Harallamb, para se të dilte nga zyra e gjeneralit, ju drejtua atij me këto fjalë:
-Ju, zoti gjeneral dje keni vrarë Çerçiz Topullin!
Gjenerali i befasuar nuk ishte në gjendje për t’ju përgjigjur.
-Po, po, e keni vrarë atë Hero. Pa e dini, ju zoti gjeneral,-vijoi Harallambi,- se Çerçiz Topulli nuk është vetëm hero i Shqipërisë, por edhe i Greqisë apo gjithë Ballakanit, për faktin se luftoi kundër armikut tonë të përbashkët, Perandorisë Osmane?
Gjenerali akoma nuk qe në gjendje ti përgjigjej. Plaku Harallamb i tha gjeneralit: -Shko dhe shikoje atë Monument madhështor që është ngritur në sheshin që mban emrin e Tij, ku një palo ushtar i juaji e ka plagosur në këmbën e djathtë nga urrejtja patologjike që kishte. Gjenerali e shikoi plakun Harallamb në sy dhe duke e falënderuar e i premtoi se do të marrë masat e duhura. Gjenerali grek , në kuadër të këtij angazhimi, hetoi dhe gjeti se cili qe ushtari që kishte kryer një krim të tillë. Ushtari u vu para Monumentit të Çerçiz Topullit dhe kaluan para tij gjithë forcat e armatosura që ishin në qytetin e Gjirokastrës duke e pështyrë në fytyrë. Përfundimisht ushtarin e arrestuan dhe e dërguan në Janinë.
(Shënim:-Autori thotë se gjithçka thuhet për këtë ngjarje nuk janë fjalët e tij apo të Strati Papajt. Gjithë kjo përmbajtje ishte në një dosje që gjenerali grek kishte në zyrën e tij e që e la kur iku, ashtu siç janë luftërat që kur sulmon kundërshtari je në pamundësi që të marrësh gjithçka. Në këto kushte , komanda greke u largua nga Gjirokastra dhe la shumë dokumente, ndërmjet tyre edhe dosja në fjalë. Ky dokument u bë pronë e Sigurimit të Shtetit e që sot kushedi në ç’cep të bodrumeve të Ministrisë së Brendshme gjendet).

Fati i prefektit Beso Gega
Beso Gega u shërbeu me nder gjithë qytetarëve të Gjirokastrës, por u arrestua, hetua dhe gjykua si agjent nga regjimi monist. Beso Gega ishte jo vetëm patriot i shquar, por edhe admirues i LANÇ-it ku kemi dhe dëshmorin e Glinës Petrit Gega, i cili ishte djali i tij. Jo vetëm kaq, por e bija, Liri Gega, që dihet fati i sajë tanimë së bashku me bashkëshortin, gjeneralin Dali Ndreu, ishte një nga udhëheqëset e LANÇ-it, e po ashtu edhe djali i vogël i tij Astrit Gega që mbulonte detyra të rëndësishme gjatë luftës dhe pas saj nuk i shpëtoi burgut komunist. Përfundimisht, një patriot i tillë, Beso Gega, pasi doli nga burgu, në kuadrin e një izolimi të plotë nga shoqëria dhe vet regjimi, i dha fund jetës në mënyrë tragjike. Por nuk ishin ngopur akoma dhe në vitin 1977, në moshën 71 vjeçare , të arrestonin doktor –veterinerin Qemal Gega, të vetmin djalë të që kishte mbetur nga Beso Gega, ky bashkëmoshatar me Enver Hoxhën dhe shokë të ngushtë edhe në Francë dhe kishin kaluar një jetë të tërë me njëri-tjetrin. Qemal Gega edhe kur e liruan nga burgu e internuan në kënetat e Myzeqesë, ku edhe vdiq. Kështu u mbyll tragjikisht fati i familjes gjirokastrite të ish prefektit të sajë Beso Gega. Ndaj dhe historia e qytetit të Gjirokastrës duhet shkruar drejt ku të mos mungojnë këto fakte që e nderojnë vet qytetin dhe gjirokastritet.
Sigal