Sigal

Ata hynë në faqet e lavdishme të historisë së popullit të tyre me heroizmin e pashoq duke mos kursyer as jetën e tyre. Hynë në histori duke bërë vetë histori dhe mbeten të pavdekshëm e të përjetësuar në altarin e lirisë. Mes këtyre bijve dhe bijave të shtrenjtë të popullit tonë është dhe emri i Heroit të Popullit Mitro Xhani, rënë për liri, më 25 korrik 1944 në betejën e Dukajt të Tepelenës me mercenarët e qeverisë kolaboracioniste të zhytur në tradhtinë e tyre si bashkëpunëtor të nazi-fashizmit. Heroi i Popullit Mitro Xhani lindi në Piqerasin bregdetar të Sarandës (sot bashkia e Himarës) në vitin 1916. Vitet e fëmijërisë e përballën dhe e njohën me jetesën e varfër, me skamjen dhe urinë që mundoheshin të përballonin bashkëfshatarët e tij në kodrat me ullinj e agrume buzë Jonit, por edhe me varkat e vogla të peshkimit. Pas mbarimit të arsimit fillor në vendlindje, megjithëse në moshë të vogël, detyrohet të punojë në lutërvinë e vajit në Piqeras.

Nuk do të rrinte shumë këtu pas sjelljes së pronarit të lutërvisë dhe largohet në Sarandë si punëtor në punishten e duhanit. Si në lutërvinë e vajit dhe si në punishten e duhanit njohu shtypje dhe shfrytëzim të rëndë. Shpejt edhe prej këtej e pushojnë nga puna për organizim revoltash kundrejt pagës së vogël që u jepnin aso kohe. Këto shtuan dhe kalitën e tek Mitrua një shpirt urrejtës ndaj kësaj shtypjeje dhe shfrytëzimi të egër që ushtrohej në kurrizin e punëtorisë së kohës me një pagë qesharake me të cilën nuk mbanin dot as frymën gjallë. Qëndresa e popullit shqiptar kundër pushtuesit italian më 7 prill 1939 u bë për Mitron simbol frymëzimi kundër armiqve të vendit. Më herët akoma, në shtëpinë e tij në Piqeras, Mitroja u njoh me Mustafa Matohitin, i cili u bë njeriu më i dashur dhe më i respektuar për të. Mustafa Matohiti kish qenë kryetar komune në Piqeras dhe si agjitator i flakët kundër pushtuesve fashistë, kishte ndezur tek shumë të rinj, ashtu si dhe në zemrën e Mitros, urrejtjen kundër pushtuesit. Edhe në shërbimin ushtarak në Tiranë si xhenier, Mitroja e thellon aktivitetin e tij antifashist si agjitator në radhët e ushtarëve, por edhe duke shpërndarë trakte në mjediset e repartit.

Kjo veprimtari ra në sy të italianëve dhe një ditë e thërret një kapiten shqiptar, spiun i italianëve duke i kërkuar shkaktarët e trazirave që kishin filluar në repart. Mitroja i jep përgjigje të ashpër spiunit kapiten dhe ai e kërcënon me një afat që të mendohet gjatë natës dhe në mëngjes të trokasë në zyrën e tij. Mirëpo Mitrua tanimë kish vendosur rrugën e tij atdhetare dhe me një grup shokësh ushtarë arratisen gjatë natës me gjithë armatim dhe bashkohen me çetën e Pezës. Fillon kështu rruga luftarake e djaloshit trim nga Piqerasi. Frymëzim për të qe bërë edhe akti i bashkëfshatarit të tij, Heroit të Popullit Vasil Llaçi, i cili kish qëlluar me revolver Mbretin italian Viktor Emanueli i 3-të. Në çetën e Pezës, përkrah babë Myslimit, qëndroi rreth shtatë muaj dhe niset për në Bregdetin e tij të dashur dhe krahinën e Kurveleshit. Qe gusht i vitit 1942. Në këto dy zona patriotike, vatra të rëndësishme dhe përkrahëse masive të LANÇ-it, Mitro Xhani kreu detyra të rëndësishme partie mes shtresa ve të varfra të popullsisë kudo ku ishin dhe punonin duke përcjellë tek ata fjalën e partisë dhe ëndrrën e lirisë.

Falë kësaj pune të palodhur dhe detyrave të shumta që shtronte PKSH-ja në këto zona u ngritën Këshillat NAÇL, organizatat e rinisë, gruas si dhe shtimin e rradhëve partizane me formimin edhe të çetave të reja. Në këtë kohë, kur kryente këtë aktivitet agjitativ, mori pjesë edhe në aksionin kundër taksambledhësit fashist, në asgjësimin e postbllokut të Borshit, në aksionin e Zhubdenës kundër një autokolone italiane dhe në aksione të tjera në Kuç e Gusmar etj. Në këto aksione ra në sy karakteri i tij gjakftohtë, i guximshëm dhe trim. Me formimin e çetës “Hajredin Tremishti” u rreshtua në radhët e saj si anëtar i komandës me detyrën e intendentit. Aktiviteti dhe besnikëria e tij bënë që në dhjetor 1942 Mitro Xhani të pranohet anëtar i PKSH-së. Detyrat për të tani shtoheshin dhe bëheshin më të vështira, por përfundonin me sukses. Në çetë u njoh me “Karadakun”, Xheladin Beqirin dhe shokë të tjerë që kryen aksione të përbashkëta kundër armikut, aksione dhe njohje të cilat e rritën dhe e edukuan më shumë.

Së bashku me lëvizjen e çetës, Mitrua nuk harronte t’u fliste masave popullore për partinë, komunizmin dhe LANÇ-in. Asnjëherë nuk përtonte për të përcjellë fjalën e partisë tek njerëzit dhe kishte një oratori të thjeshtë, të qartë, të kuptueshme, plot urrejtje për armikun dhe dashuri të madhe për popullin. Më 30 gusht 1943 merr pjesë në Luftën e Libohovës dhe më 17 shtator në Sarandë kundër fashistëve italianë. Në tetor 1943 Mitrua ngarkohet me detyrën e komisarit të çetës “Çerçiz Topulli” dhe dy muaj më vonë, më 22 dhjetor 1943 emërohet zv/komisar i batalionit”Abaz Shehu” dhe me krijimin e Brigada 6-të Sulmuese. Mitro Xhani u caktua zv/ komisar i batalionit të dytë të kësaj Brigade. Mori pjesë në shumë beteja që organizoi Brigada me armikun pushtues, si në Bregdet, Rrëzomë, në Lunxhëri, në Përmet, në Kuç, në Himarë, në Delvinë, në Muzinë, në Mezhgoran, në Libohovë etj. Kudo u shqua si komunist i vendosur, organizator i zoti dhe luftëtar trim. Më 20 korrik 1944 batalioni nisi marshimin për në Këlcyrë.

Pas kalimit të Urës së Dragotit shtabi i batalionit vendosi goditjen dhe asgjësimin e garnizonit armik, i përbërë nga gjermanë e mercenar që ishte dislokuar në Dukaj dhe kishin filluar terrorizimin dhe grabitjen e popullsisë vendase. Natën midis 23 dhe 24 korrikut batalioni i dytë organizoi zbulimin në këtë rajon, ku armiku kishte pjesën më të madhe të batalionit “Vermoshi” me rreth 250 veta, të përforcuar me armë të rënda. Në 24 korrik 1944, në mbledhjen e organizatës së partisë së batalionit, komunistët diskutuan me pjekuri mbi sulmin në Dukaj dhe Salari ku qenë dislokuar forcat gjermano- mercenare. Mitrua kishte qenë në krye të grupit të zbulimit dhe raportoi situatën dhe informacionet e siguruara. Shkëmbi i lartë në Dukaj qe pikë strategjike në rrugën Tepelenë-Vlorë. Megjithëse qe shumë i vështirë t’i ngjiteshe, Mitrua u ngjit dhe luftonte në këmbë duke pasur në krah bashkëfshatarin e tij, dëshmorin Apostol Çuni dhe tetë shokë partizanë. Në të gdhirë të 25 korrikut filloi beteja e përgjakshme.

Shkëmbim zjarri pa pushim. Pas tri orësh luftë dhe përleshje trup më trup Mitrua plagoset por nuk jepet, ecte dhe shtinte pa pushim deri sa bllokoi me trupin e tij mitralozin armik në fortifikim dhe grinte shokët e tij. Ra Mitrua bashkë me tetë shokë të tjerë. Kurrë s’kishte parë ky shkëmb një betejë të tillë. Me një qëndresë burrërore, me një qëndrim të fortë, por me lotët që rridhnin, gruaja e tij, partizania trime Athina Xhani, tha para trupit të shoqit: “Betohem se do të jem kurdoherë ajo që kam qenë, besnike dhe e vendosur deri në vdekje për çështjen e popullit dhe të partisë.

Më lejoni shokë që nga Mitrua të mbaj kujtim automatikun dhe bustinën e tij. Ju premtoj se ky automatik në duart e mia do të bëjë po atë që ka bërë deri tani në duart e Mitros!” Dhe vërtet, Athina Xhani i qëndroi besnike idealeve dhe emrit të të shoqit deri sa u largua nga jeta me nderime para pak vitesh. Automatiku dhe bustina qëndronin në muzeun e fshatit deri në ardhjen e demokracisë kur muzeu pushoi së funksionuari duke u përfshirë në rrënim të plotë dhe zhdukjen totale të dokumentacionit. Sot një bust i këtij Heroi pret në një bodrum të vendoset në piedestalin e nderit që i takon, por heshtje. Dikur, edhe autori i këtyre radhëve, në shkollën 8-vjeçare, nxënësit e kompanisë që mbanin emrin e Heroit shkonin çdo 25 qershor në shkëmbin e Dukajt.

Dikur çdo 5 Maj apo jubile, njerëzit shtyheshin e nuk linin radhë në lapidar, sot numërohen me gishtat e dorës, falë disa përpjekjeve modeste të shoqatës së veteranëve të LANÇ-it. Pse kështu?! Nga kush tremben që të nderojnë të rënët e Luftës dhe dëshmorët e saj që janë krenaria, nderi dhe lavdia e atdheut dhe popullit të tyre. Nderim dhe respekt për ta! Qofshin të paharruar në shekuj!