A duhen përfshirë në “Veting” avokatët e “demokracisë”, ish-zyrtarë të sigurimit shtetit?

577
Vjollca KUTA
Kur flitet për dekriminalizim të shërbimeve publike e private që licencohen prej shtetit në funksion e shërbim të interesit publik, për më tepër të sektorit të shërbimeve të drejtësisë, qofshin këto edhe private, patjetër që duhet mbajtur parasysh fakti që 25 vite më parë u shkëputëm politikisht prej ish-diktaturës komuniste. Por realisht edhe sot pas 25 vitesh, rezulton, se nuk jemi shkëputur nga shërbimet, strukturat, dhe ish-zyrtarët e ish-pushtetit të diktaturës komuniste. Ka një pyetje që kërkon, jo vetëm përgjigje, por edhe veprim konkret: A duhet të përshihen në procesin e “Veting”-ut edhe avokatët, të cilët kanë punuar në ish-strukturat e sigurimit të shtetit, “veprimtaria” e të cilit dihet se cila ka qenë në raport me shqiptarët? Nuk e kemi fjalën këtu, për policët që ruanin kumbullat në fshatra apo që denonconin ata që vidhnin ndonjë “dorë fasule” prej varfërisë ekstreme dhe pagave ditore sa 500 gramë bukë, por për ish-oficerët dhe drejtuesit e strukturave që zbatonin mbi shqiptarët, “programin” goditës që kishte ideuar e hedhur në veprim kupola e regjimit komunist! Sepse ka shumë prej ish-“kalecëve” të devotshëm të ish-sigurimit të shtetit, të cilët pasi kanë zbatuar me devotshmëri misionin e zbulimit dhe masakrimit të “armiqve të partisë e të popullit”, prej 25 vitesh janë tjetërsuar në avokatë që “mbrojnë popullin” për drejtësi nëpër gjyqe, madje edhe shumë prej viktimave të tyre! Është absurde, të konstatosh sot, që ata që zbatuan dhunën e urdhëruar prej ish-sigurimit të shtetit si “urdhër”, por edhe si devotshmëri për prova besnikërie ndaj partisë e regjimit edhe për të bërë “pak karrierë” në organet e ish-degëve të punëve të brendshme, tashmë janë kthyer në avokatë të drejtash publike! Disa emra prej ish-sigurimsave të kohës së diktaturës të implikuar edhe me vetëdije, përkushtim e pasion në dhunën ndaj qytetarëve që piketoheshin si “armiq”, rezulton se kanë kërkuar edhe të kandidojnë për komisionet e “Veting”-ut! Pyetja shtrohet qartë, përshtat përmbajtjes dhe moralit të ligjit të dekriminalizimit: A duhen përfshirë në “Veting” avokatët e “demokracisë”, ish-zyrtarë të sigurimit shtetit? Është domosdoshmëri në “operacion pastrimi” të këtij kontingjenti, mbasi ligji për “Veting”-un dhe vetë zbatimi i këtij procesi, nuk mund të quhen të plotë, aktivë, funksionalë, realë e efiçent, në rast se në krye të komisioneve të “Veting”-ut, do të lejohen të aplikojnë edhe ish-oficerë “aktivë, produktivë e të dalluar” të ish-sigurimit të shtetit të para viteve 1990! E jo vetëm kaq, por si për çdo shërbim publik, qoftë edhe privat në drejtësi veçanërisht, duhet të bëhet verifikimi jo vetëm i “CV” të shërbimeve të kryera prej tyre gjatë kohës së diktaturës, por edhe i mënyrës dhe burimit të pasurive të krijuara! E pse jo, të kalojnë në “filtër” edhe të zgjedhurit në krye të këtij shërbimi privat, që ka lidhje me drejtësinë publike, proces të cilin duhet ta nisë Ministria e Drejtësisë! 
“Avokati i Popullit”, njofton vazhdimin e aplikimit për KLP nga radhët e avokatëve
Procesi i aplikimit dhe përzgjedhjes së aplikantëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me anëtarë nga radhët e avokatëve. Sipas ligjit dhe udhëzimeve e kritereve të vendosura nga “Avokati i Popullit”, kanë të drejtë të kandidojnë, sipas disa kritereve që duhen verifikuar paraprakisht, mbasi ndodh që nuk vetë-deklarohen aktivitetet e kryera gjatë regjimit komunist të para vitit 1992. Dje. “Avokati Popullit” ka njoftuar zyrtarisht, se vijon procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me kandidatë nga radhët e avokatëve. Ja njoftimi zyrtar: 

“Për fazën e rishpalljes për shprehje interesi për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga Avokatia, do të jenë të vlefshme aplikimet për të gjithë kandidatët e fazës së mëparshme, të cilët janë njoftuar se kanë plotësuar kriteret formale për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe se, kësaj liste mund t’i bashkëngjiten edhe aplikantët kandidatë, të cilët mund të kenë dërguar aplikimin e tyre brenda datës 08.05.2017 me rrugë postare, sipas rregullave ligjore për vlefshmërinë e aplikimit”.
Sigal