Zyrtarë të lartë në trafik droge, Prokuroria hap edhe dosjen e Radarëve

579
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka në dorë edhe një tjetër dosje që lidhet me çështjet e trafikut të drogës dhe implikimit mundshëm të strukturave shtetërore në këtë aktivitet kriminal.
ResPublica mësoi se dosja në fjalë lidhet me çështjen e radarëve dhe prek një sërë institucionesh që mbulojnë menaxhimin dhe funksionimin e këtij sistemi që lidhet me sigurinë kombëtare. I pyetur nga ResPublica për këtë çështje, zëdhënësi i Prokurorisë, Albi Seriani pohoi ekzistencën e një dosje për të cilën ai nuk kishte ende akses.
Nuk dihet nëse dosja lidhet me nxjerrjen jashtë funksionit të radarëve të monitorimit gjatë vitit 2015-2016, periudhë që përkon me kulmin e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë siç kanë pretenduar forca të opozitës. Kjo problematikë është ngritur edhe letërkëmbimet mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, ku të gjitha institucionet kanë pranuar problemet që kanë ekzistuar në funksionimin e aparaturave.
Detyrën e kontrollit të hapësirës detare përmes Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD) e ka Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si detyrë parësore për sigurinë kombëtare, por edhe për NATO-n, pjesë e së cilës jemi.
Ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është thirrur disa herë në Komisionin e Sigurisë për problemet që ka patur në hartimin dhe prokurimin e procedurës së “klasifikuar” nga Ministria e Mbrojtjes për “mirëmbajtjen e sistemit të radarëve” për tre vjet (2015 – 2017). Burime thanë se opozita është në dijeni të ardhjes së kësaj dosje dhe pritet që në ditët në vijim të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor për këtë çështje.
Sigal