Zbardhen detajet e ekzekutimit të Artion Shaskaj në Romë

472
Me një ekzekutim të stilit mafioz u vra në orët e vona të së dielës, Artion Shaskaj, 33-vjeçari shqiptar, pronar i një picerie në komunën e Velletrit, në Romë. Mediat italiane shkruajnë se shqiptari u qëllua nga afër nga një killer, me gjasë profesionist. Siç rrëfejnë dëshmitarët në vendngjarje, dy persona me motor iu afruan Shaskajt pranë hyrjes së picerisë, dhe e qëlluan tre herë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.
Dyshohet se përpara se ta ekzekutonte, vrasësi e ka thirrur në emër shqiptarin. Në brendësi të lokalit të viktimës, gjendeshin edhe bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël, 4 dhe 5 vjeç. Artion Shaskaj, i cili në zonë njihej me emrin Toni, ishte një person që nuk njihej për problematik në zonë. Sipas mediave të vendit fqinj, ai gëzonte vlerësimin e banorëve të Velletrit dhe ishte një njeri paqësor. Autoritetet italiane njoftuan se momentalisht nuk përjashtohet asnjë pistë. Prokuroria vijon hetimet dhe po analizon kamerat e zonës për identifikimin e autorëve të vrasjes.
Sigal