Vrasja në Tiranë, makina e autorëve erdhi nga Kosova (Detaje)

114
Sigal

Makina tip Benz e cila u përdor nga autorët në vrasjen e 39-vjeçarit, Briken Sanaj hyri disa ditë përpara ngjarjes në Shqipëri nga pika kufitare e Morinës. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ky automjet ka qenë me targa të Kosovës dhe ka dyshime se nuk është regjistruar në pikën doganore.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të kenë shfrytëzuar një marrëveshje të firmosur pak muaj më parë mes qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare. Në të thuhet se të gjitha makinat që kalojnë përmes pikës doganore të Morinës, nuk është nevoja të regjistrohen në kufi gjatë fundjavës apo ditëve festive me qëllim shmangien e radhëve.

Referuar hetimeve makina ka hyrë me targa të rregullta kosovare, e më pas në Shqipëri i janë vendosur targat AA777GY, që rezultuan të vjedhura.

Për të mësuar se kush është blerësi i automjetit tip Benz që u përdor në krim e më pas u dogj nga autorët, një grup hetuesish kanë udhëtuar drejt Kosovës për të marrë informacionet e nevojshme.

Burime bëjnë me dije se veç këtyre të dhënave policia dhe prokuroria ka në duar disa pamje filmike, ku janë ekspozuar autorët, që dyshohet se ishin 2. Deri në këtë fazë nga analizimi i tyre, hetuesit janë të bindur se nuk bëhet fjalë për vrasës profesionistë, me pagesë.