Vrasja e Nikajt në Dajt. Policia: Ja autorët në kërkim

535
Pesë janë personat që kanë marrë pjesë në vrasjen e Enton Nikajt një ditë më parë në zonën e Linzës në kryeqytet, tashmë të gjithë të shpallur në kërkim nga policia e Tiranës. Mes personave të dyshuar si autor direkt në vrasjen me pistoletë të 30-vjecarit Nikaj blutë e Tiranës kanë listuar Ervis Martinaj. Po ashtu në listën e të kërkuarve janë Emiljano Nina 20 vjeç, Mirsad Kucanaj 28 vjeç, Bujar Hasani 32 vjeç dhe Oliver Gjoka 29 vjeç. Burime nga grupi hetimor thanë për Shqiptarja.com se shkak për këtë konflikt midis Nikajt, Martinajt dhe personave që shoqëronin këtë të fundit ka qenë një borxh i pashlyer prej 200 mijë eurosh.
Prej pasdites së djeshme policia ka kryer kontrolle të shumta në Tiranë dhe banesat e të dyshuarve por nuk ka mundur t’i arrestojë ata. Pas ekzekutimit të Nikajt me një plumb pas koke në parkimin e restorant “Muraga” në Linzë dhe plagosjes së Ismail Gaxherrit, një nga bashkëpronarët e restorantit, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me fuoristradën e viktimës Mercedez Benz me targë AA725MD. Autorët tashmë të shpallur në kërkim janë nën akuzë për vrasje të kryer me paramendim dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Grupi hetimor ka mundur të sekuestrojë si provë materiale në vendngjarje 2 gëzhoja pistolete model TT ndërsa sipas pamjeve të siguruara nga kamerat e lokalit rezulton se autorët e dyshuar në largim janë kujdesur të marrin dhe dy pistoletat që ata përdorën në krim. Gjatë konfliktit – thanë hetuesit – një pistoletë është përdorur për të kërcënuar Gaxherin me qytën e të cilës ai është goditur ndërsa me pistoletën tjetër është ekzekutuar Nikaj.
Precedentet e Nikajt
Viktima Enton Nikaj ishte një person i njohur për policinë e Tiranës pasi disa herë ai ishte arrestuar dhe po ashtu dënuar me 14 vite burg për vrasje të kryer 1 dekadë më parë dhe 2.3 vite burg në 2015 për shkatërrim prone, dënime këto të shlyera. Nikaj kishte fituar lirinë pak muaj më parë, ndërsa rezulton nga sistemi TIMS se ai ishte kthyer në Shqipëri vetëm një muaj më parë pasi kish qëndruar në Turqi prej disa kohësh.
Autorët e dyshuar
Ervis Martinaj, 33 vjeç
Emiljano Nina, 20 vjeç
Mirsad Kuçanaj, 28 vjeç
Bujar Hasani, 32 vjeç
Oliver Gjoka, 29 vjec. 
Sigal