Vrasja e ndërtuesit, biznesmenët në Durrës të pasigurt për jetën

389
Sigal

 Apeli i ministrit të Brendshëm Tahiri: “Atentatet në mes të ditës po na tmerrojnë, nuk kemi siguri nga shteti”

Atentati i ndodhur paraditen e të shtunës, ndaj një tjetër biznesmeni, ndodhur në një nga akset rrugore më të populluara të plazhit në Durrës, ka rritur shkallën e pasigurisë për jetën tek shumica e biznesmenëve. Të ndodhur përballë kësaj situate, e cila po agravon, dhjetëra biznesmenë i janë drejtuar Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, kryetarit të saj zotit Andrea Xhavara, për të kërkuar institucionalisht nga qeveria dhe Ministria e Brendshme rritjen e masave dhe të sigurisë për jetën e tyre. “Nuk ndjehemi të sigurt, krimi po bën ligjin në rrugë, lokale, pallate, sheshe, në mes të ditës, ja 2 orë më parë u vra një tjetër kolegu ynë, atentate në mes të qytetit dhe popullatës, po tmerrohemi, ndaj i drejtohemi zotit Saimir Tahiri, të angazhojë seriozisht policinë dhe agjentët e kriminales, të parandalojnë aktet kriminale, sepse kriminelët po bredhin me kallashnikovë në makina dhe nuk po i ndalon njeri”. Kështu u shprehën dy biznesmenë durrsakë të indinjuar nga atentati i të shtunës për “Telegraf”, duke kërkuar rritjen e profesionalizmit te radhët e policisë, pasi kjo situatë e rënduar e krimit, po i detyron ata që të shesin gjithçka dhe të ikin sa më larg Shqipërisë. Shifrat e krimit në Durrës, sidomos muajt e fundit, janë në rritje alarmante, por veçanërisht ato po fokusohen ndaj biznesmenëve. Kjo si pasojë e rritjes së papunësisë, rritjes së nivelit të varfërisë, mungesës së optimizmit tek të rinjtë se situata do të përmirësohet dhe aftësia e joshjes së grupeve kriminale që u bën të rinjve për t’i afruar dhe rekrutuar si vrasës me pagesë. Mjaft biznesmenë në Durrës, ndjehen të tmerruar nga situata e rënduar kriminale dhe rritja e frikshme e numrit të elementëve kriminalë në radhët e të rinjve. Atentati ndaj biznesmenit Kujtim Dyrmyshi paraditen e të shtunës në qendër të plazhit, ka ngjallur panik tek shumica e qytetarëve durrsakë që merren me biznes. Jo vetëm biznesmenët e mesëm dhe të mëdhenj, por edhe shitësit e vegjël, edhe ata që kanë kioska dhe lokale të vogla, ndjehen të pasigurt, pasi rritja e numrit të drogaxhinjve dhe e elementëve kriminalë, ka bërë të pasigurt jetën dhe aktivitetin e tyre. Nga burimet policore mësohet se, “çdo 304 ditë kemi denoncime nga pronarë lokalesh dhe kioskash për grabitje dhe gjobë vënie nga adoleshentë, që vijnë dhe u bëjnë presione pronarëve të tyre me thika dhe pistoleta, për t’u marrë para”. Krimi realisht ka marrë revansh të paparë muajt e fundit. Qytetarët, por veçanërisht klasa e biznesit, ndjehet e kërcënuar, pasi elementët kriminalë duket se nuk po ndalen në çmendurinë e tyre për të siguruar para të pandershme, duke marrë edhe jetë të pafajshme. Policia e Shtetit duhet të angazhojë gjithë arsenalin e saj njerëzor dhe logjistik, duhet të grumbullojë gjithë potencialet e veta duke nisur pa asnjë ditë vonesë ndëshkimin e krimit. Krimi ndëshkohet me forcën e ligjit  dhe forca e ligjit nuk ka efekt dominant me fjalime retorike, por me veprime praktike. Nga tetori 2013 deri qershor 2014, në Durrës janë vrarë 4 biznesmenë dhe kanë mbetur të gjymtuar 2 prej tyre. Deri sot asnjë autor krimi i zbuluar, asnjë autor krimi i arrestuar dhe dënuar. Kjo është arsyeja e vetme që po i alarmon duke i bërë të struken në panik dhe të ndjejnë pasiguri për jetën ata që biznesin e kanë vënë me rrugë të ndershme dhe që shpresën e mbajnë akoma tek qeveria dhe Policia e Shtetit.