Vlorë, pushohen 20 sanitare nga spitali

402
Sigal

Vazhdojnë pushimet e infermierëve dhe sanitarëeve nga Ministria e Shëndetësisë në të gjithe vendin. Këtë herë nga vala e pushimeve nga puna është prekur spitali i Vlorës, ku mësohet të jenë njoftuar për shkëputje nga puna 20 sanitare, të c ilat prej vitesh punonin në këtë institucion. Sipas tyre, motivacioni i shkarkimit ishte thjesht ‘ristrukturim’ dhe flaken në rrugë dhjetra punonjës pavarësisht vite të punës. Por, ashtu si edhe në spitalet e tjera të vendit, sanitaret nuk janë pajtuar me këtë vendim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe i kanë kërkuar drejtorit të spitalit që të rishikojnë këtë vendim, por përgjigja ka qenë negative.

Njëra prej sanitareve të pushuara nga puna ka kërcënuar se do të vetëvritet, pasi siç thotë edhe vetë, fëmijët i ka humbur prej disa vitesh dhe tani nuk ka më asgjë se çfarë të humbasë. Një tjetër thotë se ka kredi për të shlyer pasi e kishte marrë për kurimin e fëmijës, por kjo gjë nuk ka shërbyer fare që drejtuesit e spitalit të rishikojnë vendimin për pushim. Të njëjtat probleme kanë edhe sanitare të tjera, disa prej të cilave janë kryefamiljare e tashmë nuk kanë me çfarë të mbajnë ekonominë e familjes së tyre. Vala e shkarkimeve nëpër spitale vazhdon prej disa muajsh në të gjithë vendin dhe motivacioni i vetëm është në kuadër të ristrukturimit.