Vlorë e Kavajë, sekuestrohen rreth 17 ton drogë, dhjetëra të arrestuar mes tyre dhe policë

494
Shkatërrimi i parcelave me kanabis sativa në të gjithë vendin dhe sekuestrimi i sasive të drogës që tentohet të kalohet në vendet fqinje, kanë qenë pjesë e një operacioni të policisë
Shqipëria e vendi i përmbytur nga droga. Në një kohë që shteti ishte i përqendruar në zgjedhjet dhe në rezultatin final të tyre, trafikantët kanë gjetur mundësinë për të paketuar tonelata me drogë duke e bërë gati për ta transportuar në shtetin fqinj, Italinë. Paraditen e djeshme, njoftohet se u sekuestruan rreth 16.9 ton drogë e llojit kanabis në dy vende të ndryshme. Një sasi është sekuestruar në Kavajë, në një fshat të këtij qyteti dhe sasia më e madhe në Llakatund të Vlorës. Ka qenë një operacioni i planifikuar prej ditësh i policisë, por që mëngjesin e djeshëm është finalizuar. Megjithatë, policia njoftoi se ka arrestuar disa persona, ndërkohë që autorët e vërtetë nuk dihet saktësisht se kush janë. Mes të arrestuarve thuhet se janë dhe dy punonjës policie, të cilët dyshohen se kanë dekonspiruar aksionin e përgatitur me hollësi. 15.6 ton drogë dyshohet të jenë kapur në dy banesa në fshatin Llakatund të Vlorës dhe në një përrua, ndërsa rreth 1.3 ton drogë janë sekuestruar në dy automjete në Kavajë. Numri më i madh i të arrestuarve është në Vlorë. Janë vënë në pranga 9 persona. Ndërkohë dy punonjësit e policisë janë shtetasit Lirim Lamaj dhe Avdul Sinani. Ndërsa në Kavajë janë arrestuar tre persona, Joni Sadikaj, Roland Hysenbelliu dhe Kejvi Hajdari. Ky i fundit mësohet të jetë djali i një punonjësi policie. Droga ishte paketuar dhe futur në një automjet gati për tu ngarkuar në një gomone e cila priste pak metra larg saj në det. Sipas policisë pas përfundimit të aksionit inspektor Lirim Lamaj, 49 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, është marrë nën arrest për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre”. Të arrestuarit e tjerë janë:

Inspektor Avdyl Sinanaj, 56 vjeç, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Astrit Lamaj (vëllai i Lirim Lamaj-t), 37 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë, arrestuar për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Balil Gjata, 69 vjeç, banues në fshatin Drithas të Njësisë Administrative Shushicë, Vlorë, me detyrë Kryeplak i fshatit Drithas. Arrestuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”. Myzafer Tushaj, 66 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë. Ervin Tushaj, 42 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë. (Babë e birë, të cilët kishin strehuar lëndën narkotike në banesën e shtetasit Z.A). Rakip Arapaj, 58 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë (Iu gjet sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike në banesën e tij). Kudret Tushaj, 71 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë.

Elion Tafili, 43 vjeç, banues në fshatin Llakatund, Vlorë. Në Kavajë janë sekuestruar 3 automjete, 1 gomone, dhe një mjet i rëndë traktor. Janë shpallur në kërkim dhe tre persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë pronarët e vërtetë të sasisë së drogës. Operacioni i zhvilluar në Kavajë u kodua “Piloti”. Ndërkohë për të bërë të mundur kapjen e sasisë së drogës, informacioni ishte grumbulluar në rrugë operative. Fillimisht është thënë se në një fshat të quajtur Bango, është parë një mjet, i cili kishte dyshime të bazuar se ishte ngarkuar me drogë. Ndërhyrja ka qenë e menjëhershme dhe është konstatuar se informacioni ishte i vërtetë. Nga këqyrja e këtyre automjeteve, rezultoi se në brendësi të tyre kishte pako të mëdha me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, e cila pas peshimit rezultoi rreth 1360 kg. Në Llakatund të Vlorës sasia e drogës së sekuestruar është më e madhe. Operacioni pritet të vazhdoi edhe në ditët në vijim. Ndërkohë që përveç punonjësve të policisë është vënë në pranga edhe kryeplaku i fshatit. 
Sigal