Viktima të COVID-19/ Udhëtimi i fundit në atdhe i emigrantëve shqiptarë

285
Sigal

Epidemia e koronavirusit ka goditur dhjetra familje emigrantësh që jetojnë në Europë, trupat e së cilëve po përcillen në vetmi drejt banesës së fundit në Shqipëri – një situatë që po ndryshon edhe ritet tradicionale të varrimit.

Paraditen e së premtes në portin e Durrësit mbërritën 10 makina funerale, që sollën në atdhe arkëmortet e 15 qytetarëve shqiptarë që kanë ndërruar jetë në Europë – një pjesë e tyre viktima të koronavirusit të ri COVID-19.

“Në këtë periudhë nga Europa na kanë ardhur 10-12 raste me koronavirus që kur ka nisur situata,” thotë Endri Sheqeri, përfaqësues i Agjencisë Funerale “Universal”.

“Pra që janë të konfirmuara, se mund të ketë edhe raste të tjera që vijnë, por që nuk kemi pasur konfirmim,” saktësoi ai, duke shtuar se vetëm përpara 4 ditësh kanë sjellë dy xhenaze nga Xhenova, që janë varrosur në fshatin Bërdicë të Shkodrës.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Policinë e Shtetit tregojnë se dhjetëra makina funerale kanë hyrë në Shqipëri gjatë një muaji nëpërmjet linjës së tragetit me Italinë në Portin e Durrësit – porta e fundit e hapur me Europën për shqiptarët që vdesin në dhe të huaj.

Drejtuesit e agjencive funerale i thanë BIRN se ka një fluks në rritje kërkesash për shërbimet e tyre, në mënyrë të veçantë nga Veriu i Italisë, ku shumë prej viktimave po digjen për shkak të mungesës së hapësirave në varreza.

Për shkak të koronavirusit, nga agjencitë funerale që transportojnë arkëmortet merren masa të jashtëzakonshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19, si dhe merret leje nga konsullatat shqiptare në Itali.

Por epidemia nuk ka transformuar vetëm mënyrën se si transportohen të vdekurit drejt banesës së fundit, por edhe ritet mortore. Numri i personave që marrin pjesë në varrime është reduktuar në një grusht të afërmish të të ndjerit.

Rritet numri i akëmorteve

Që nga shpërthimi i epidemisë së COVID-19 në Shqipëri, 475 persona janë infektuar me koronavirusin e ri SARS-CoV-2, ndërkohë që 24 pacientë kanë humbur jetën nga sëmundja. Megjithatë, pasojat e epidemisë duken shumë herë më të mëdha mbi familjet shqiptare, një pjesë e të cilave jetojnë jashtë kufijve të vendit.

Të dhënat zyrtare të siguara nga Policia e Shtetit tregojnë se nga 12 marsi kanë hyrë në Portin e Durrësit 47 makina dhe furgona të agjencive funerale – që mbajnë nga 1 deri në 4 arkëmorte.

Numri i viktimave nga COVID-19 mes tyre është ende i paqartë, por drejtuesit e agjencive funerale me të cilat BIRN bisedoi raportojnë të paktën dyfishim të kërkesave për të sjellë arkëmorte në Shqipëri.

Sipas agjencive, fluksi i zakonshëm nga Italia është 15 deri në 20 arkëmorte në muaj, ndërkohë që transporti i trupave të të ndjerëve në muajin e fundit ka qenë dyfish ose trefish më i lartë. Ndërkohë, arkëmortet e reth 50 shqiptarëve të vdekur gjatë muajit të fundit në Itali presin të riatdhesohen për t’u përcjellë në banesën e fundit.

“Ka shumë fluks për të sjellë,” thotë Mariglen Saliaj nga Agjencia Funerale “Genti” me qendër në Fier. “Por nuk na e kanë përcaktuar nëse janë të prekur me COVID-19, sepse edhe mund të jenë, por nuk ia shënojnë tek skeda e vdekjes që marrim ne. Por frika është shumë e madhe,” shtoi ai.

Agjencia italiane me të cilën bashkëpunon Saliaj numëron aktualisht në morgun e saj 20 të vdekur që pritet të sillen në Shqipëri për t’u varrosur.

Përpara epidemisë së koronavirusit, agjencitë shqiptare shkonin në qytetet italiane për t’i tërhequr trupat nga morgu, por tashmë, për shkak të rregullave të reja të vendosura për parandalimin e përhapjes së COVID-19, trupat përcillen drejt portit të Barit nga agjenci të specializuara.

Përfaqësuesi i një agjencie funerale nga Durrësi, i cili preferoi të mos identifikohej me emër, i tha BIRN se kërkesa ka edhe nga shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, por deri tani nuk kanë mundur t’i riatdhesojnë për shkak të mbylljes së kufijve me dy vendet fqinje.

“Unë deri më tani kam pasur 5 raste me sjellë, por nuk mundem sepse i bie të ngec në Maqedoni,” tha agjenti funeral. “I kam bërë email Ministrisë së Jashtme për autorizim, por nuk na kanë kthyer përgjigje,” shtoi ai.

Ndryshojnë ritet e varrimit

Personat që kanë humbur jetën për shkak të COVID-19 trajtohen në mënyrë të veçantë në Itali. Sipas Endri Sheqerit, trupat vendosen në mbështjellëse të mbyllura me vakum, më pas në çanta hermetike dhe arkëmorti nuk hapet kur vjen në Shqipëri, siç e do tradita dhe zakoni.

Kush humb jetën me COVID-19 në Itali, rri 2-3 orë në morg dhe më pas trupi i viktimës dezifentohet me klorinë, vendoset në çantat e biodegradueshme dhe saldohet në arkivol me valvul. Akrivoli ndërkohë ka një fund prej llamarinë xingato dhe me përbërje plumbi.

Për shkak të situatës së krijuar, udhëtimi drejt atdheut i njerëzve që humbin jetën në Itali kërkon së paku 2 javë kohë. Përfaqësuesit e agjencive shprehen se e njëjta procedurë ndiqet edhe për qytetarët që humbin jetën në Spitalin Infektiv në Tiranë dhe përcillen drejt morgut.

Vështirësitë e riatdhesimit të të vdekurve nga jashtë i kanë bërë disa “varrimihës” ta mendojën dy herë biznesin e tyre të trishtë. Xhovano Nikaj, përfaqësues i Agjencisë Funerale “Nikaj” që operon në qarkun e Lezhës, i tha BIRN se nuk shkonte më në Itali për të tërhequr arkëmorte për shkak të epidemisë së COVID-19.

“Këto kohë nuk shkoj më sepse kam frikë,” tha Nikaj. “Gjatë eksperiencës sime 23-vjeçare nuk ka ndodhur ndonjë situatë e ngjashme si tani,” shtoi ai.

Drejtuesi i agjencisë funerale nga Durrësi i tha BIRN se masat ekstreme të higjienës që duhet të marrin në kushtet e epidemisë, shpesh i kanë krijuar përshtjellim.

“Unë vetë e dezinfektoj nga jashtë përpara se e fus në makinë arkivolin,” tha ai. “Shumë e vështirë, moment me të poshtër nuk e bën nëna,” shtoi agjenti.

Mariglen Saliaj tregon se nuk janë vetëm varrëmihësit që kanë frikë, por edhe familjarët dhe të afërmit e të ndjerëve.

Për herë të parë, ceremonitë e varrimit në Shqipëri po realizohen me pak persona, krejt e kundërta e ritit zakonor që kërkon përcjelljen e të ndjerit nga sa më shumë miq e të afërm, duke u shoqëruar me vizita dhe dreka përkujtimore.

“Tani po kthehem nga një varrim në Fier dhe ishin 10 veta,” tha ai, ndërsa shtoi se mesatarja e personave që i pëcjellin të vdekurit në periudhën e pandemisë është 4 veta. “Nuk ka kush të ngrejë arkivolin,” përfundoi Saliaj./Birn