VIDEO/ Publikohen pamjet e vendosjes së eksplozivit në lokalin në kryeqytet

251
Sigal

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një lokal në ‘Rrugën C’ në Prishtinë, në orët e para të mëngjesit të së martës.

Shpërthimi i eksplozivit të vendosur në hyrje të lokalit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ku fatmirësisht asnjë person nuk është lënduar.

Në video shihet qartë se si i dyshuari del nga makina, kalon dy korsitë e rrugës dhe e vendos me shpejtësi eksplozivin në hyrje të lokalit, raporton indeksonline.

Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë në orën 02:20 minuta, ndërsa policia është njoftuar për shpërhtimin në orën 03 e 30 minuta.

“Sot rreth orës 03:30, jemi njoftuar për një rast shpërthimi në një lokal në rrugën “C”, në Prishtinë. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin. Nuk raportohet për persona të lënduar. Për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, janë duke punuar njësitet përkatëse në koordinim me Prokurorinë e Shtetit”, ka thënë për IndeksOnline, Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës.

Deri pasditen e sotme, nuk është raportuar për identifikimin apo arrestimin e ndonjë të dyshuari.

Hetimet janë ende duke vazhduar me intensitet.