VIDEO/ Dhuna ndaj gazetarit, Prokuroria e Tiranës: Po hetojmë rastin, si dhe veprimet e Policisë

190
Sigal

Prokuoria e Tiranës njoftoi sot se ka nisur hetimet lidhur me incidentin e ndodhur në zonën e Varrit të Bamit në Tiranë mes disa punonjësve të policisë dhe gazetarëve.

Përmes një njoftimi bëhet e ditur se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bashkëpunim me SHÇBA janë duke kryer verifikime të thelluara në lidhje me incidentin e ndodhur me gazetarët në rastin e operacionit policor antinarkotik në një zonë të Tiranës.

“Grupi hetimor po heton rastin mbi veprimet e kryera nga punonjësit e policisë për të përcaktuar ligjshmërinë e veprimeve të tyre.

Sigurojmë opinionin publik që Prokuroria në bashkëpunim me të gjitha organet ligjzbatuese do jetë gjithmonë pranë qytetarëve, mediave dhe kujtdo personi që mund të cënohen nga veprimet arbitrare”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ky është reagimi i parë nga institucionet shtetërore lidhur me incidentin, ku një grup policësh, pasi dështuan në operacionin e tyre për ndalimin ose arrestimin e një personi, identiteti i të cilit nuk dihet, dhunuan gazetarin Ergzs Gjençaj, të cilin e shtrinë në tokë dhe për gati 1 orë e mbajtën palëvizur me pretendimin se ka ndërhyrë në një operacion policor.