Vetting-u në Polici, 200 dorëheqje – Hodaj: Nga pasuria te integriteti, si do hetohet çdo dosje

787
Sigal

Ka përfunduar tashmë procesi i vetëdeklarimit për rreth 11 mijë punonjës të rendit të cilët do t’i nënshtrohen verifikimit të pasurisë, integritetit personal dhe aftësive profesionale. Në një intervistë ekskluzive për TV SCAN, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Julian Hodaj sqaron mënyrën si do funksionojnë Komisionet e Vetingut dhe mënyrën si do verifikohen të dhënat e çdo dosjeje.

“Jemi munduar edhe të kuptojmë nga vështirësitë që patën organet e vetingut në drejtësi në lidhje me shkëmbimin dhe përpunimin e informacionit në fillim. Ky është një kontroll administrativ ky që bëjmë. Do të thotë se çdo e dhënë që deklarohet do verifikohet, do verifikohen edhe të gjithë informacionet që kanë institucionet e tjera. Organet kryesore që lidhen me vlerësimin e punonjësve nga të cilët do të merret informacioni janë: Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, që ka një arkiv mbi aktivitetin e punonjësve të policisë ndër vite, është Shërbimi Informativ Shtetëror që edhe ata duke qenë shumë afër institucionit që punon për sigurinë kombëtare kanë të dhëna mbi punonjësit e policisë, është Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, është DSIK-ja që është hub-i ku mblidhen të gjithë informacionet për dhënien e certifikatave të sigurisë, bankat, ZRPP-ja, ALUIZNI. Është parashikuar që të gjithë komisionet të kenë akses të drejtpërdrejtë në të gjithë databazat shtetërore dhe në fund fare, po jo më pak e rëndësishme, është verifikimi i informacioneve që vijnë nga publiku”, sqaroi Hodaj.

Hodaj sqaron se rezultatet e vetëdeklarimeve hodhën poshtë edhe spekulimet për tërheqje masive nga ky proces. Ai bën me dije se kanë paraqitur vetëdeklarimet rreth 98% e punonjësve të policisë, ndërkohë që numri i dorëheqjeve është rreth 200.

“Është një proces që ka përfunduar me sukses dhe 98% e të gjithë punonjësve në të gjitha organet – sepse janë tre organe, të gjithë flasin për policinë e shtetit por në fakt vlerësimit i nënshtrohen edhe punonjësit e Gardës së Republikës dhe ata të SHÇBA-së. Në masën dërrmuese, pra 98% e tyre kanë dorëzuar deklaratat dhe do t’i nënshtrohen procesit. Numri i dorëheqjeve është diku tek 2%, pak a shumë diku tek 200 persona tek të tre organet. Është një numër i pranueshëm, nuk është ndonjë numër shqetësues. Konstatojmë me kënaqësi, që edhe gjithë ajo klimë e trumbetuar më përpara për dorëheqjen në masë apo mosdorëzimin në masë nuk u verifikua”, shprehet Zëvendësministri.

Hodaj u jep përgjigje edhe pikëpyetjeve që u ngritën nga efektivë të shumtë për saktësinë e plotësimit të vetëdeklarimeve.

“Unë e kuptoj stresin dhe shqetësimin e dikujt që duhet të deklarojë disa të dhëna dhe në shumicën e herëve merakoset, që ato të dhëna të jenë super të sakta, po ne kemi dalë edhe kemi shpjeguar mjaftueshëm, besoj, që ky nuk është provim gjuhë-letërsie apo matematike dhe gabimet materiale-njerëzore nuk është se i penalizojnë punonjësit. Është një vlerësim objektiv. E rëndësishme ishte dhe e kemi thënë shumë herë, që në formular të deklarohen vetëm rrethana të vërteta. Ajo që nuk do të tolerohet është gënjeshtra. Për pjesën tjetër kanë mundësi të japin shpjegime. Nëse kanë gabuar një shifër mund ta korrigjojnë, nëse kanë gabuar një të dhënë diku kanë mundësi ta korrigjojnë, po ajo që nuk do të tolerohet, është deklarimi i rremë”, u shpreh Hodaj.

Procesi i Vetingut në Polici pritet të zgjasë dy vjet, dhe fillimisht atij do t’i nënshtrohen punonjësit me gradat më të larta. Intervistën e plotë me Zëvendësministrin Julian Hodaj do të mund ta ndiqni në orën 19:30.

SCAN