Vdekja e 16-vjeçarit nga arresti kardiak te “Asllan Rusi”, kardiologu sqaron se çfarë mund të ketë ndodhur

17
Sigal

Kardiologu Alfred Nonaj ka komentuar një ngjarje të rëndë që ndodhi përpara disa ditësh pranë Pallatit të Sportit Asllan Rusi, ku një adoleshent pësoi atak kardiak dhe ndërroi jetë.

Nonaj tha se adoleshenti që ka ndërruar jetë mund të ketë pasur probleme me zemrën. Mjeku rekomandoi që të gjithë personat që merren me sport, të bëjnë ekzaminime sa i përket zemrës. Ai shtoi se personat që kanë konstatuar probleme me zemrën, duhet që të lënë duhanin dhe alkoolin.

“Arresti kardiak është pushimi i aktivitetit elektrik të zemrës. Vdekja e menjëhershme në 90 përqind të rasteve është nga arrestet kardiake. Me probabilitet, djali mund të ketë ndërruar jetë nga arresti kardiak. 16-vjeçari mund të ketë pasur probleme me zemrën, por nuk është diagnostikuar. Problemi është se në shumicën e rasteve, individi nën 40 vjeç nuk bën vizita. Nëse bëhen vizita, në shumicën e rasteve mund të identifikohen. Unë mendoj se kush dëshiron të merret me sport, e mira është që të bëjë kontrollet mjekësore të zemrës. Kur Eriksen pësoi atak kardiak në fushë, nëse e mbani mend rastin, mundet që edhe nuk është diagnostikuar. Kur bëhet aktivitet i lartë fizik, zemra ka aritmi të madhe. Problemet me zemrën ndalen duke lënë duhanin, duke lënë alkoolin. Mosha e njerëzve që preken nga sëmundjet e zemrës është ulur, edhe për shkak se nuk bëhet më një jetë me aktivitet të shtuar fizik”, u shpreh Nonaj.