Vdekja e 15 vjeçarit, shokët: Nëna e denoncoi për 500 lekë

435
Në rajonin e policisë, dy versione janë dhënë për vdekjen e një 15 vjeçari mbrëmjen e së martës, i cili u hodh nga kati i pestë i një pallati në Kamzë të Tiranës. E ëma e tij është shprehur se djali i’a përsëriste shpesh herë që një ditë do të provonte fluturimin, ndërsa shokët e tij kanë dhënë një version tjetër. Bëhet fjalë për një shumë që ai kishte marrë në shtëpi dhe teksa ka parë uniformat blu, ka menduar se e kishte denoncuar e ëma. Viktima është Artan Bushi, fëmija i pestë i një familje nga Dibra, që ishte zhvendosur prej vitesh me banim në Kamzë.  Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 të së martës, në rrugën “Berisha”, ndërsa djali ka ndërruar jetë disa orë më vonë në urgjencën e spitalit, ku u dërgua për ndihmë mjekësore. 
Adoleshenti ka qenë duke luajtur “Play Station” me tre shokët e tij deri në orët e mbrëmjes dhe sapo ka përfunduar lojën, është shkëputur nga ata, duke u futur në hyrjen e pallatit nga ku më pas u hodh. Nëna e Artan Bushit është shprehur në polici se djali i thoshte vazhdimisht që mund të fluturonte, pasi këtë i’a thoshte Zoti, duke thënë se fliste me të. Ndryshe nga e ëma e 15-vjeçarit, disa prej shokëve që kanë qenë duke luajtur me të deri pak minuta para ngjarjes, kanë dhënë një version krejt tjetër në polici. Ata kanë deklaruar se Artan Bushi nuk mund të jetë hedhur qëllimisht nga kati i pestë i pallatit, por mund të ketë rrëshqitur kur po u ikte forcave të policisë. 
Sipas tyre, ai u kishte treguar se kishte bërë një debat me të ëmën, për 500 lekë të rinj që kishte marrë në shtëpi pa lejen e saj dhe ajo e kishte denoncuar në polici. Për këtë arsye, në momentin që ka dalë nga vendi ku po luanin “Play Station”, ai ka parë disa punonjës policie në rrugë dhe ka menduar se do e arrestonin, pasi e kishte denoncuar e ëma. U ka thënë shokëve se do shkonte të fshihej që të mos e kapte policia dhe është futur te pallati nga ku u hodh. Shokët e tij kanë deklaruar se e kanë parë derisa është ngjitur në katin e dytë të pallatit, kur ka dalë në dritare duke parë poshtë, ndërsa më pas nuk e kanë parë më derisa ra nga lartësia.
Sigal