U vetëvar në kasollen e bagëtive, flasin familjarët e viktimës

502
Familja Sela në fshatin Burim të njësisë administrative Maqellarë është tronditur mesditën e djeshme nga një ngjarje tragjike. Djali i saj, Blerim Sela, 27 vjeç, është gjetur i pajetë në afërsi të banesës së tij. Sapo mjekët e spitalit rajonal të Peshkopisë kanë informuar Komisariatin e Policisë Dibër se në urgjencë ka mbërritur një person i pajetë, drejt vendit të ngjarjes është nisur grupi hetimor.
Zyrtarë të Policisë Peshkopi sqaruan se viktima Blerim Sela është gjetur nga vëllai i tij në kasollen e bagëtive i varur me litar. Ai i ka hequr me shpejtësi litarin nga fyti dhe shumë shpejt ka gjetur një makinë, me të cilën ka udhëtuar drejt spitalit të Peshkopisë. Por pa mbërritur në urgjencën e spitalit, 27-vjeçari ka ndërruar jetë për shkak të komplikacioneve që i ka shkaktuar varja me litar.
“Prej tri-katër ditësh ne mbanim nën kontroll çdo lëvizje të Blerimit. Ndryshe nga më parë, ai pati probleme serioze me shëndetin. Ishte në depresion të madh. Nuk e kuptuan nga i erdhi. E vizituam dhe morëm mjekim, me shpresë se shëndeti mendor i tij do të përmirësohej”, janë shprehur për oficerët e Policisë Gjyqësore pjesëtarë të familjes Sela, shkruan “Panorama”.
“Nga veprimet paraprake të kryera nga grupi hetimor dhe nga eksperti mjekoligjor, dyshohet se vdekja është shkaktuar si pasojë e vetëvarjes në litar në kushte të depresionit. Eksperti mjekoligjor gjatë këqyrjes paraprake të trupit të viktimës nuk ka konstatuar asnjë shenjë dhune a dëmtim tjetër”, shtuan burimet policore.
Sakaq hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë nga Policia dhe Prokuroria e Dibrës.
Sigal